Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim shefin e misionit të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz.
U bisedua për përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për arsimin dhe aftësimin profesional, në shërbim të rritjes së punësimit për qytetarët e Republikës së Kosovës. U theksua rritja ekonomike prej 4,9% në tremujorin e parë të këtij viti, si tregues shtesë, që demokracia cilësore shkon bashkë me zhvillimin ekonomik.
Gjatë takimit u fol edhe për reformat në drejtësi, procesin e vetingut, si dhe luftimin e krimit e korrupsionit.
Duke vlerësuar përkrahjen dhe miqësinë e vazhdueshme të Luksemburgut, kryeministri Kurti shprehu vullnetin e Qeverisë për rritje të bashkëpunimit. Ai e falënderoi Dietz për marrëveshjen e re bilaterale dhe memorandumin e bashkëpunimit me Qeverinë e Luksemburgut, që parasheh përkrahje financiare për Kosovën, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.