Shafrani, që njihet si erëza më e shtrenjtë në botë, kultivohet prej vitesh edhe në Kosovë. Ngjyra e kuqe, aroma e këndshme dhe shija djegëse kombinohen bashkë për ta bërë shafranin si asnjë erëz tjetër. Kjo bimë ka veti shëruese për disa sëmundje, përfshirë edhe parandalimin e sëmundjes së kancerit. Shafrani përdoret në kuzhinë për t’i dhënë shije gjellërave, mund të bëhet çaj, si dhe gjen përdorim edhe në industrinë farmaceutike.
Ali Avdiu nga fshati Keqekollë, në komunën e Prishtinës është kultivues i shafranit që nga viti 2011.
“Idea për kultivimin e shafranit më erdhi menjëherë pas luftës në Kosovë , pasi u ktheva nga Gjermania. Por, në pamundësi për të investuar, sepse fara (bulbat) e shafranit janë shumë të shtrenjta, kjo ide nuk u realizua deri në vitin 2011, kur bashkë me mikun tim Qemajl Vuçiterna të përkrahur nga USAID-i filluam me mbjelljen e shafranit”, tregon Aliu.
Shafrani është një ndër erëzat më të shtrenjta në botë. Ҫmimi për një gram shafran sillet prej 8-12 euro, ndërsa çmimi për kilogram sillet prej 3000-5000 euro.
“ Ne jemi në biznes të përbashkët me familjen Vuçiterna. Kemi mbjellë 40 ari me shafran. Kultivimi i saj ka një kosto të lartë, një farë (bulb) kushton 10-12 cent dhe për një hektar nevojiten 500,000 bulba, pra kostoja për një hektar shkon deri në 50,000 euro”, tha fermeri Aliu.
Pjesa më e madhe e shafranit të kultivuar nga familjet Aliu dhe Vuçiterna tregtohet në Kosovë, ndërsa pjesa tjetër eksportohet në Shqipëri.
“ Edhe pse shafrani në Kosovë është kultivuar shumë shekuj më parë, kur ne filluam kultivimin e saj në Kosovë njerëzit kishin pak njohuri për këtë bimë. Por viteve të fundit interesimi është rritur mjaft. Shafrani është një bimë shumë e shtrenjtë dhe ne kemi standard të ulët të jetesës. Bima e shafranit kërkohet më shumë nga ata që kanë standard më të lartë jetese dhe pjesa tjetër e kërkojnë për shërim,” shton Aliu.
Konsumimi i shafranit preferohet për të gjithë njerëzit, por në sasi të vogla. Këshillohet të mos konsumohet më shumë se 0.2 gram në ditë.
Përdorimi i shafranit ndikon në fortësinë e dhëmbëve dhe në shëndetin e mukozës së gojës. Kjo bimë nivelizon qelizat e kuqe të gjakut. Po ashtu shafrani ndihmon në problemet e frymëmarrjes dhe ftohjet si dhe në pezmatimet e lëkurës.
“Shafrani ka shumë vlera ushqyese dhe veti shëruese ndaj sëmundjeve të ndryshme: shafrani vepron kundër qelizave kancerogjene dhe lufton tumoret e ndryshme, ndikon në sistemin nervor qëndror, duke parandaluar dridhjet trupore të njohura si sëmundja e Parkinsonit. Konsumimi i saj ndihmon edhe njerëzit e prekur nga sëmundja e Alzajmerit, e njohur si humbja e memories”, theksoi fermeri.
Prodhuesi kryesor i Shafranit në botë është Irani me 90 -93% të prodhimit të përgjithshëm botëror që është rreth 300 ton në vit. Në vendin e dytë, renditet Greqia me rreth 6 ton e ndjekur nga India (Kashmiri) dhe Maroku me rreth 2-3 ton në vit.
Gentianë Morina “Vajzë dëgjohu”/