Prej dhjetorit të vitit 2014 aktorët dhe stafi teknik i teatrit të Gjilanit nuk janë paguar për shfaqjet e vëna në këtë skenë. Për këtë gjendje artistët gjilanas fajësojnë komunën, e cila për më shumë se shtatë muaj nuk ka ndarë buxhet për ta.
Aktorët ndihen të lënë pas dore nga drejtuesit e komunës, të cilët nuk i kanë marrë parasysh kërkesat e tyre për pagesat mujore dhe lidhjen e kontratave të punës.
Erson Zymberi, regjisor i shumë shfaqjeve të sukseshme rrëfen për KosovaLive gjendjen e rëndë të teatrit dhe të aktorëve , të cilët që nga viti 2014 nuk kanë pasur mbështetje financiare.
“Gjendja aktuale në Teatrin e Gjilanit është e rëndë si në kontekstin menaxhues, artistik dhe në atë profesional. Kjo vjen si rezultat i injorimit dhe i trajtimit të padinjitetshëm të këtij institucioni artistik dhe kulturor nga Komuna e Gjilanit dhe nga autoritetet përkatëse përgjegjëse komunale,” tha regjisori.
Ndër të tjera ai theksoi se aktorët vazhdojnë të jenë pa kontrata pune.
“Krejt në kundërshtim me Ligjin për Teatrot, që prej disa vitesh, vazhdon të veprojë pa udhëheqës artistik dhe pa një strukturë të konsoliduar të Ansamblit rezident të aktorëve, ndërkohë që, përkundër premtimeve të vazhdueshme nga autoritetet komunale për ndryshimin e gjendjes, aktorët dhe stafi teknik i këtij teatri, që nga dhjetori i vitit 2014, vazhdojnë të jenë pa kontrata,”deklaroi Zymberi.
Gjendja e vakët kulturore është kthyer në një shqetësim edhe për banorët e kësaj komune:
“Më pëlqen arti. Kam përcjellë çdo shfaqje që është dhënë në Teatrin e Gjilanit. Mirëpo kohëve të fundit jeta kulturore në qytetin tonë nuk na ka ofruar shumë. Shpresoj që kjo gjendje të ndryshojë sa më shpejt,” u shpreh Alma, qytetare e Gjilanit.
Për shkak të mungesës së mbështetjes financiare aktorët janë detyruar t’i anulojnë reprizat e mëtutjeshme të shfaqjeve të këtij teatri si “Mbledhje në parlament ” dhe shfaqjen “UFO-t”, për të cilat pati mjaft kërkesa nga publiku.
Deri më sot e vetmja mbështetje që iu është dhënë aktorëve ka qenë një shumë e vogël për këto shfaqje, sa për t’i mbuluar disa shpenzime në realizimin e skenografisë.
Aktorët tregojnë se komuna iu ka mbetur borxh për këto shfaqje, duke mos paguar asnjë pjesëtarë të trupës së teatrit që nga punëtorët e skenës e deri tek aktorët.
“Komuna ka paguar një pjesë të vogël për realizimin e skenografisë dhe ndonjë pagesë për kostumet, mirëpo pjesa më e madhe e borxhit nuk është paguar. Për vitin 2015 komuna realisht nuk ka kontribuar absolutisht në Teatrin e Gjilanit,”tregon regjisori i shfaqjes “UFO-t”, Erson Zymberi.
Për këtë çështje u munduam të kontaktonim disa herë edhe me drejtorin për kulturë në komunën e Gjilanit, Bujar Haziri, por pa mundur të marrim ndonjë përgjigje.
Vepra e parë e vënë në skenën e teatrit të Gjilanit ishte komedia “ Vllazni interes” e regjisorit Kristoi Floqi, e cila u shfaq më 26 mars të vitit 1944.
/Nita Ismaili – Vajzë Dëgjohu/