Në Kazermën “Ushtarët e NATO-s” të Komandës së Forcave Tokësore në Istog, u mbajt gara tradicionale “Ujku Garues 2022”.
Qëllimi kryesor i kësaj gare ishte demonstrimi i shkathtësive ushtarake në nivel ekipi si në përgatitje fizike, psikike, ashtu edhe në shkathtësi operacionale në nivel të bashkëpunimit ekipor, në manovrime të ndryshme taktike luftarake.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në postimin e tij në Facebook ka thënë se “Ujku Garues” është garë e shkathtësive ushtarake e organizuar nga Komanda e Forcave Tokësore, e cila është e fokusuar në nëntë disiplina me karakter stërvitor ushtarak, si: vrapimi, kalimi i poligonit taktik, shtyrja e HMMVV, kalimi i zonës së rrezikshme, bartja e municionit, hedhja e granatës, bartja e të lënduarit, si dhe qitja me armë të shkurtë dhe të gjatë.
Kjo garë pasqyron përgatitjen fizike të pjesëmarrësve dhe punën ekipore ku vlerësohet motivimi, pasqyrohet aftësia e shkathtësive ushtarake, menaxhimi i energjisë si dhe ruajtja e aftësisë së triumfit.
Përgëzimet më të larta për organizatorët dhe të gjithë garuesit!