Punimet e dorës të njohura si “handmade” kanë filluar të përhapen edhe në Kosovë. Kërkesa për to sa vjen e rritet. Redona Kuqi nga Theranda është një nga ata persona që kreativitetin e saj e shpreh përmes punimeve të ndryshme si çanta, qafore, kuti dhuratash dhe dekorime. Ajo thotë se idetë i rrjedhin natyrshëm, ashtu si ambicja për punë.
Redona merret me këtë veprimtari për një kohë të gjatë, por ka dy vite që ka hapur dyqanin e saj në Therandë, ku i shet produktet e veta. Varësisht nga produkti, çmimet sillen prej 3 deri në 45 euro.
“Sikur shumë biznese që përfitojnë nga sezonat, edhe i imi është i tillë. Secila punë kërkon hyzmetin e duhur duke targetuar moshat, festat, promocionet, marketingjet, sezonat e verës dhe dimrit. Ka shumë faktorë që ndikojnë në shitjen e produktit, unë personalisht mundohem shumë, andaj s’mund të them që nuk është fitimprurëse”, tregon ajo për KosovaLive.
E pyetur se a punon me porosi, ajo thotë se 75 për qind të produkteve të shitura janë nga ato që i ka në dispozicion, ndërsa pjesa tjetër është me porosi, zakonisht për raste të veçanta.
“Materialet me të cilat i punoj këto produkte janë të ndryshme. Çantat janë kryesisht prej lëkurës sintetike, disa i kombinoj me lëkurë origjinale. Të gjitha çantat punohen nga fillimi, krijohet shablloni, pastaj i prej dhe i qepi. Shumica e qaforeve përmbajnë rruaza të kristalta, pjesa tjetër janë me rruaza të sofistikuara si ato të llojit Shamballa dhe Rondelles, poashtu punoj edhe me rruaza seed apo të zakonshme. Me qeset e letrës furnizohem në Kosovë, i marr ato të thjeshtat, pastaj dizajnoj diçka sipas temës, printoj dhe krijoj qese me mbishkrime personale, me dedikime të ndryshme. Edhe për krijimin e dekorimeve furnizohem në Kosovë dhe përdori materiale të llojllojshme”, thotë Redona.
Për promovimin e punimeve të saj, Redona i përdor rrjetet sociale, ku zakonisht komunikon me blerësit e interesuar.
“Promovimi i gjithë kësaj pune është njëra nga pikat kyçe për ta bërë produktin më me vlerë, famoz, e mbi të gjitha të shitur. Facebook dhe në përgjithësi rrjetet e tjera sociale më kanë dhënë mundësi dhe përfitime sa i përket këtij aspekti”, përfundon ajo.
Redona studion dizajn të komunikimit dhe vlerëson se edhe fakulteti e ka vetëdijesuar në aspektin kreativ. Ajo është edhe fotografe dhe merret me dizajnimin e logove.
/Teuta Berisha – Vajzë Dëgjohu/