Ministria e Kulturës njofton se rreth 800 mijë vizita i janë bërë lokacioneve të Manifestës në Prishtinë. Në 25 lokacione mbi 100 pjesëmarrës kanë ekspozuar artin bashkëkohor të kalibrit botëror.
Vëmendje të jashtëzakonshme Manifesta 14 Prishtina ka marrë edhe nga mediet vendore dhe ndërkombëtare, po ashtu edhe nga vizitorët ndërkombëtarë dhe ata vendorë.
Pjesë programit të Manifestës kanë qenë shumë artistë vendorë, të cilët patën një mundësi të jashtëzakonshme të promovimit, rrjetëzimit dhe rritjes së industrisë së artit bashkëkohor për artin dhe artistët kosovarë.
Në konferencën përmbyllëse të Manifestës u tha se përmes saj, Prishtina u kthye në qendër kulturore në Evropës dhe botë.
Folës në konferencë ishin zëvendësministrja e Kulturës, Daulina Osmani, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe drejtoresha e Manifesta, Hedwig Fijen.
Zëvendësministrja Osmani në fjalën e saj tha që janë të kënaqur me ecurinë e 100 ditëve të Manifestës. Sipas saj, me ardhjen e Manifestas në Kosovë, një bienale që qëndron në mesin e 5 bienaleve më të fuqishme të artit pamor në botë, e që vjen për herë të parë në Ballkan, Kosova ka dëshmuar kapacitet që ka për të organizuar ngjarje me përmasa të tilla.
Po ashtu ka njoftuar që me përfundimin e Manifestës, Ministria e Kulturës është duke ndërmarr hapat që të sigurohet një trashëgimi e prekshme dhe konkrete e Manifestës, gjë që do të finalizohet ditëve në vijim. Gjithashtu MKRS është angazhuar për të mbajtur të ekspozuara veprat e intervenimit artistik të Petrit Halilaj dhe Flaka Halitit deri në fund të vitit 2023.
Në fund të fjalimit, zëvendësministrja Osmani ka falënderuar Hedwig Fijen, Komunën e Prishtinës dhe të gjithë të angazhuarit në Manifesta 14.
Manifesta 14 Prishtina do të mbyllet të dielën, thuhet në postimin në Facebook të MKRS-së.