Ekipi i cirkut italian “Bellucci”, i cili sivjet kishte marrë rrugën nga Italia për t’u vendosur në Prishtinë në një hapësirë afër Stacionit të Autobusëve në kryeqytet, nuk e kishte menduar se do has në rezistencë të organizata “Të bashkuar për kafshët”.
Kjo organizatë që mision ka mbrojtjen e kafshëve dhe aktivitetin vetëdijesues për mbrojtje të kafshëve ka organizuar një përfornmancë në afërsi të cirkut, duke u bërë thirrje qytetarëve për bojkotimin e cirkut italian “Bellucci”, i cili u vendos para disa ditëve afër Stacionit të Autobusëve në Prishtinë.
Në suaza ditore një grup prej 5 deri në 10 aktivistësh vullnetarë po qëndrojnë në Lagjen Kalabria para pikave të shitjes së biletave duke i informuar qytetarët për abuzimin e kafshëve nëpër cirqe përmes parullave, fletushkave dhe videove vetëdijësuese.
Cirku italian “Bellucci”, i cili me leje të komunës u vendos në kryeqytet me 16 prill kishte planifikuar të japë shfaqje dyorëshe çdo ditë deri më 8 maj.
“Abuzimi i kafshëve nga cirku nuk mund të mohohet për faktin më sipërfaqësor se kafshët e egra i takojnë natyrës, nuk e kanë vendin në kafaze të vogla ku rriten dhe vdesin për t`i zbavitur njerëzit me sjellje plotësisht jonatyrale dhe kundër vullnetit të tyre”, thotë Driton Gusia, udhëheqës i organizatës.
Nëpër shumë vende të botës cirku me kafshë është i ndaluar tërësisht meqë nuk ekziston një metodë alternative për trajnimin e kafshëve të egra të performojnë pa u ekspozuar ndaj dhunës traumatike që nga foshnjëria. Kjo cilësohet të jetë arsyeja kryesore pse kafshët e cirkut trajnohen në vende të izoluara nga shumë punëtorë të cirkut.
Sipas aktivistëve të organizatës “Të bashkuar për kafshët” cirku në fillim kishte tentuar t`i largojë nga trotuari.
“Patëm vazhdimisht fyerje dhe kërcënime nga shefi i sigurimit, provokime nga punëtorët e stafit dhe kur këto nuk patën sukses, një individ, që dyshohet se u dërgua nga stafi i cirkut, erdhi drejtë tek ne dhe na sulmoi duke na sharë e shtyrë dhe duke i shqyer parullat tona.
Mirëpo, policia ndërhyri dhe situata nuk eskaloi me lëndime trupore, megjithatë sulmuesi u la i lirë”, shton Gusia.
Në po të njëjtën ditë aktivistët kishin tentuar ta paraqisnin rastin në Stacionin numër 4 të policisë, mirëpo, sipas tyre, tash pas tre ditësh nuk kanë marrë ende asnjë lajmërim prej institucionit.
Aktiviteti vetëdijësues para cirkut do të zgjasë deri në ditën kur cirku të largohet nga Prishtina. Driton Gusia u bënë thirrje dashamirësve të kafshëve të bashkangjiten në këtë iniciativë çdo ditë nga ora 15:45 para Stacionit të Autobusëve në Prishtinë.
“Kemi vërejtur se shumë njerëz e kuptojnë se duke i paguar biletat po sponsorojnë keqtrajtimin e kafshëve megjithatë ata arsyetohen me dëshirën e fëmijëve për t`i parë kafshët ekzotike.
Besoj se fëmijët kanë më shumë kapacitet të bëhen të ndërgjegjshëm meqë vetë entuziazmi i tyre buron nga dashuria për kafshët.
Mirëpo, mendoj se ata meritojnë të njoftohen me realitetin dhe të vetëdijësohen se kjo nuk është aspak kënaqësi për kafshën.
Besoj se edukimi do të ishte më i rëndësishëm për fëmijën sesa eksperienca mashtruese që ofron ky biznes i shëmtuar.
Mësoje fëmijën të respektojë lirinë e tjetrit, e jo të kënaqet kur tjetri vuan. Mësoje të jetë i ndërgjegjshëm dhe të respektojë jetën, lejoje të mendojë përtej dukjes sipërfaqësore para se të merrni bashkë vendimin për ta blerë biletën”, thekson në fund Gusia.
Biletat për shfaqjet të cilat i ofron cirku kushtojnë nga 6 deri në 13 euro, megjithatë që prej nisjes së aktivitetit numri i klientëve është reduktuar dukshëm.
/Gresë Koca – Vajzat ngrisin zërin/