Mungesa e lidhjes së institucioneve të arsimit të mesëm dhe të lartë me organizatat punuese bën që të rinjtë tanë gjatë shkollimit të mos aftësohen sa duhet në aspektin e zhvillimit të tyre profesional dhe përfitimi i përvojës në punë për ta konsiderohet të jetë një faktor i rëndësishëm.
Prandaj të rinjtë e Kosovës punën vullnetare e shohin si rrugë alternative për fitim të përvojës profesionale dhe si mundësi, edhe pse të vogël, për të zënë ndonjë vend pune kur ato shumë mungojnë.
Puna vullnetare rëndom nis vetëm si shërbim humanitar dhe kontribut në komunitet.
“Puna vullnetare më duket si një akt që jo çdo kush mund ta bëjë përveç atyre që nuk kanë qëllime materiale prej kësaj pune. Duke nisur nga kjo, sot sa herë bëj punë vullnetare më duket që po arrij një qëllim human”, thotë Vjosa Çakiqi, studente e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Universitetin e Prishtinës dhe vullnetare në festivalin “PriFilmFest” në Prishtinë.
Por punëtorët vullnetarë fitojnë shumë edhe pse jo materialisht. Zhvillimi profesional dhe përfitimi i përvojës në punë konsiderohet të jetë rezultat kyç i punës vullnetare.
Gerta Hasaj, studente e Fakultetit Filologjik, Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, thotë se puna vullnetare që e bën në Këndin Amerikan në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, e ka përgatitur atë për profesionin e saj të ardhshëm.
“Puna vullnetare ka qenë një ndihmesë e madhe për mua si mësuese e ardhshme për shkak të aktiviteteve të ndryshme që organizohen me fëmijë të moshave të ndryshme”, thekson Hasaj.
Për dikë tjetër puna vullnetare mund të sjellë rezultate të ngjashme me ato të trajnimeve profesionale. Kështu mendon Vjosa Cakiqi.
“Puna vullnetare, përveç që të ndihmon në zgjerimin e rrethit shoqëror, ajo të jep përvojë aq shumë sa që ndihesh sikur ke përfunduar një trajnim mbi ushtrimin e asaj detyre”, thotë Cakiqi.
Për më tepër, përveç përvojës profesionale, puna vullnetare konsiderohet se ndihmon edhe në përmirësimin e performancës akademike.
Gresë Hajdari, po ashtu studente e Fakultetit Filologjik dhe vullnetare në Këndin Amerikan, tregon rezultatet e punës vullnetare në performancën e saj akademike.
“Gjatë punës vullnetare shpeshherë kam mbajtur prezantime të ndryshme para audiencave nga më të ndryshmet. Kjo ka ndikuar shumë tek unë pasi që, para së të punoja si vullnetare kam pasur probleme gjatë prezantimeve në Fakultet apo diku tjetër. Kam fituar vetëbesim dhe përvojë të mjaftueshme për të performuar një prezantim të kënaqshëm”, thotë Hajdari.
Përveç zhvillimit akademik dhe profesional, puna vullnetare ndihmon në zhvillimin e një mori aftësish tjera, siç pohojnë edhe studentet e intervistuara, duke përfshirë aftësi komunikuese, aftësi udhëheqjeje dhe zgjidhje të problemeve.
/Fatbardha Shabanaj – Vajzat ngrisin zërin/