Në Ramshtajn të Gjermanisë me pjesëmarrjen e mbi 50 shteteve u mbajt takimi i radhës i Grupit të Kontaktit për Mbrojtje të Ukrainës.
Në këtë takim të udhëhequr nga sekretari i Mbrojtjes së ShBA-së, Lloyd Austin, morëm pjesë së bashku me gjeneral Jasharin si përfaqësues të Republikës së Kosovës, ndërsa temë diskutimi e këtij takimi ishte vazhdimi i mbështetjes për Ukrainën, strategjia që duhet ndjekur në raport me kërcënimet dhe rreziqet nga politikat ekspansioniste të Rusisë, si dhe kontributin e shteteve në fusha të caktuara për mbështetje të Ukrainës dhe forcave të saj të cilat ndodhen në betejë.
Në këtë aspekt Ministria e Mbrojtjes rikonfirmoi gatishmërinë për mbështeje nga Republika e Kosovës në fushën e deminimit, kërkim-shpëtimit dhe menaxhimit të materieve të rrezikshme si dhe ofrimin e trajnimeve për secilën nga fushat e lartcekura.
Pas sesionit të Grupit të Kontaktit gjithashtu takuam Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ministrin e Mbrojtjes të Ukrainës, Oleksii Reznikov, Ministrinë e Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius, ndihmës sekretaren e Mbrojtjes së ShBA-ve, Laura Kuper, ministrin e Mbrojtes të Suedisë, Pål Jonson, ministren e Mbrojtjes të Latvisë, Ināra Mūrniece, ministrin e Mbrojtës së Kroacisë, Mario Banožić, ministren e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Slavjanka Petrovska, Komandantin e Komandës Evropiane të ShBA-së, gjeneral Christopher Cavoli, shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneral Kingjin, si dhe personalitete tjera nga vendet partnere.
Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar të ofrojë gjithë mbështetjen në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë, thuhet në postimin në Facebook të Ministrisë së Mbrojtjes.