Punë intensive në Lokalitetin Arkeologjik në sheshin e Lidhjes së Prizrenit. Lokaliteti Arkeologjik, një hapësirë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore me vlera historike, shkencore, kulturore dhe edukative, po i nënshtrohet punimeve për konservimin dhe prezantimin e tij.
Ministri Hajrulla Çeku, i shoqëruar nga profesionistët e institucioneve vartëse të MKRS, shikuan për së afërmi punimet dhe biseduan detajisht rreth tyre.
“Dinamikë e shtuar e punës në Lokalitetin Arkeologjik të zbuluar 10 vite më parë
Bashkë me profesionistët e institucioneve të trashëgimisë kulturore, pamë nga afër punimet e konservimit dhe prezantimit të Lokalitetit Arkeologjik në qendrën historike të Prizrenit.
Lokaliteti që paraqet rrugëtimin historik mijëravjeçar të qytetit e që kthen kohën prapa në periudhën romake, shumë shpejt do të mund të vizitohet nga qytetarët dhe turistët”, ka thënë Çeku.
Ky projekt i MKRS që synon të ngrisë vetëdijen për rëndësinë e këtij lokaliteti si dhe të promovojë vlerat kulturore nëpërmjet zhvillimit të turizmit kulturor, zbatohet nga UN-Habitat Kosovë, thuhet në postimin në Facebook të MKRS-së.