Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka kujtuar njërën ndër masakrat më të tmerrshme të regjimit serb ndaj popullit shqiptar të Kosovës, atë të Mejës, në të cilën 376 burra të moshës 15 deri në 75 vjeç, 36 nga të cilët nën 18-vjeç, u ekzekutuan nga polica dhe ushtria serbe.
Presidentja Osmani ka thënë se në Mejë ka ende varre të hapura, ka nëna që vijnë aty dhe qajnë pranë varrit të zbrazët, sepse regjimi serb ende i mban të fshehura të dhënat për vendndodhjen e të vrarëve të Mejës e të gjithë Kosovës, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Presidentes.
Sot kujtojmë njërën ndër masakrat më të tmerrshme të regjimit serb ndaj popullit shqiptar të Kosovës, atë të Mejës, në të cilën 376 burra të moshës 15 deri në 75 vjeç, 36 nga të cilët nën 18-vjeç, u ekzekutuan nga polica dhe ushtria serbe.
Meja është plaga jonë e përhershme, por edhe gurë që duhet të peshojë rëndë në ndërgjegjen e regjimit serb, të djeshmit, i cili në mënyrë të planifikuar i ndau e i vrau bijtë tanë, i fshehu ose i zhduku përjetësisht kufomat e tyre, sikur edhe i këtij të sotmit, i cili vazhdon të jetojë mbi krimet e kryera nga shteti i tyre, pa e vrarë ndërgjegjen dhe pa u kërkuar falje viktimave.
Prandaj, e themi zëshëm, këtu e përditë: të vrarët e Mejës janë viktima të gjenocidit serb të kryer në Kosovë.
Ky gjenocid duhet të njihet me emrin e vërtetë. Meja është dëshmia e pamohueshme e një synimi të tmerrshëm të një shteti për vrasjen kolektive të një populli, por edhe thirrja e përhershme e jona për ta artikuluar kumbueshëm thirrjen tonë për drejtësi.
Në Mejë ka ende varre të hapura, ka nëna që vijnë aty dhe qajnë pranë varrit të zbrazët, sepse regjimi serb ende i mban të fshehura të dhënat për vendndodhjen e të vrarëve të Mejës e të gjithë Kosovës.