EULEX në Ditën Kombëtare për Personat e Zhdukur, ne ritheksojmë përkushtimin dhe obligimin tanë për mbështetjen e përmbushjes së të drejtës së familjeve të 1621 personave të zhdukur për të ditur të vërtetën mbi fatin e më të dashurve të tyre. Për ta bërë këtë, EULEX-i dhe OJQ Qendra Burimore për Persona të Zhdukur (QBPZH) janë duke i organizuar një varg sesionesh informuese në mbarë Kosovën me anëtarët e familjeve të personave të zhdukur nga lufta e Kosovës dhe pas saj.
“Familjet duhet ta dinë të vërtetën dhe askush nuk ka të drejtë që t’ua mohojë këtë. Kjo është mundësia që familjet të marrin disa përgjigje”, tha Bajram Qerkinaj, Drejtor Ekzekutiv i QBPZH-së, ndërsa Negovan Mavriq, Zëvendësdrejtor i QBPZH-së theksoi: “Çështja e personave të zhdukur është një çështje humanitare dhe duhet trajtuar ekskluzivisht si e tillë. Familjet e të zhdukurve duhet të trajtohen me ndershmëri, dinjitet dhe respekt”.
Duke theksuar të drejtën e familjeve të personave të zhdukur për ta ditur të vërtetën, Këshilltarja për të Drejtat e Njeriut në EULEX, Valentina Vitali, tha se familjet e personave të zhdukur kanë të drejtë të kërkojnë informacion nga institucionet përkatëse për rastet e tyre, duke shtuar se këto institucione e kanë për obligim që të ofrojnë informacion me kusht që kjo të mos komprometojë hetimet.
Antropologia Forenzike e EULEX-it, Luísa Marinho, tha se që nga fillimi i mandatit të tij, ekspertët e EULEX-it kanë kryer 725 operacione në terren dhe 197 zhvarrime, të cilat kanë rezultuar në identifikimin e 332 personave të zhdukur. “Këto shifra nuk kanë shumë rëndësi për ata që nuk i kanë gjetur ende të dashurit e tyre. Megjithatë, ato flasin për punën e bërë deri më tani dhe janë tregues i përkushtimit tonë për ta vazhduar këtë punë në mënyrë që t’u japim disa përgjigje familjeve të personave të zhdukur”, përfundoi Marinho.
Për ta ndarë dhimbjen dhe errësirën në të cilën janë duke jetuar familjarët e 1621 personave të zhdukur tash e më shumë se 23 vjet, EULEX-i do t’i bashkohet iniciativës së disa OJQ-ve të Kosovës dhe do t’i fikë dritat sonte në selinë qendrore të tij për pesë minuta në orën 20:30, thuhet në postimin në Facebook të EULEX-it.