Build Skills with our trainings

Sign up now!

Të ngacmuara, por të heshtura në vendin e punës

Kor 6, 2020

Shpresa O., 24 vjeçare, flet për përvojën e saj si praktikante e mjekësisë sanitare gjatë vitit të kaluar në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe ngacmimin që e kishte përjetuar në repartin ku e kryente praktikën.

“… Përgjatë një jave që isha në praktikë, një djalë/burrë diku mbi 30 vjeçar, i ciliishte i martuar, më kishte vrojtuar nga distanca. Edhe pse nuk kishim pasur kurrëfarë kontakti e as nuk njiheshim mes vehte, ky burrë më shkroi në Facebook për të ma uruar vendin e punës/praktikës, me pretekstin që gëzon një pozitë të lartë në QKUK dhe mundet të më urojë. Më pas më është drejtuar duke më thënë se ai e di se cilat janë mënyrat për të hyrë në punë – gjë që shkaktoi huti te unë. Më pyeti përse frikohesha dhe i tregova që pritjet e mija janë të punësohem bazuar në kualifikimin që e kam, ndërkaq, ai ma ktheu duke më thënë: ‘paske m’u plakë pra – çikë e re…, se unë i martum jam e kurgja në humbje s’jam’” – duke aluduar kështu në mundësi punësimi në këmbim të diçkaje”, thotë Shpresa O.

Por, ky nuk ishte rasti i vetëm me të cilin ishte ballafaquar: pak kohë nga përfundimi i praktikës në QKUK, ajo ka synuar të përmbushë tutje stazhin e praktikës (stazh ky i obliguar para diplomimit) në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimi Hapësinor, dhe gjatë plotësimit të kërkesës për pranim si praktikante ishte bërë pre e ngacmimit seksual nga një zyrtar i atyshëm.

Fillimisht, ftesa për kafe e pyetjet personale ishin përcjellë edhe me deklarim se “ti mua je ka më pëlqen”. Pasi i kishte treguar fotot e tij me politikanë të ndryshëm dhe figura publike, ai kishte premtuar se do ta njoftonte me ta dhe vendin e punës do ta kishte të sigurtë.

Dije që edhe këta munden me të ngucë kapak, por me rëndësi asht ti me u punësu. Unë kisha pas qejf me u pa me ty, jo këtu në ministri, po me naj ambient tjetër, pak ma të mbyllun”, rrëfen Shpresa çka i kishte thënë ky zyrtar i rreth ’30-tave.

Ndonëse e fyer, e vënë në siklet dhe e përbuzur nga e gjithë situata, ajo si shumë vajza e gra të tjera kishte vendosur që këto përjetime të mos i adresojë në polici a ndonjë institucion tjetër.

“Nuk i kam paraqitur rastet në polici fare, sepse, mendoj që edhe brenda policisë ka shumë ndikim të jashtëm. Unë nuk kam fuqi të përballem me gjëra të tilla. Në fund të fundit, deklaratat e mija mund të mbesin vetëm fjalë goje sipas zyrtarëve policor, meqë nuk kam fakte për t’i dëshmuar këto ngacmime, përpos thirrjeve në telefon; e ato nuk i kam të regjistruara me zë. Pra, jam në pozitë ku më duhet të heshtë. Plus, nuk jam vetëm unë që përballem me këso raste; kam shoqëri dhe prej tyre dëgjoj lloj lloj rasti”, shprehet ajo.

Ngacmimi seksual vazhdon të jetë një temë për të cilën shumë pak ka evidenca zyrtare se sa në të vërtetë është i pranishëm ai në shoqërinë tonë. Hulumtime e raporte të ndryshme e bëjnë të ditur praninë e formave të ngacmimit seksual në sfera dhe ambiente të ndryshme të jetës, përfshirë këtu rrugët, shkollat, vendet e punës dhe hapësirat publike, por, theksojnë që numri i rasteve jo të raportuara, apo të evidentuara mund të jetë shumëfish më i lartë.

Përderisa Ligji për Barazi Gjinore nga viti 2015, thekson se ngacmimi seksual nënkupton çfarëdo forme të sjelljes së padëshiruar verbale, jo verbale, apo fizike me natyrë seksuale, me qëllim apo pasojë prekjen apo shkeljen e dinjitetit të një personi, dhe për të krijuar një mjedis frikësues, armiqësor, degradues, poshtërues apo fyes – vetëdijësimi kolektiv mbi format e ngacmimit vazhdon të mbes një nga problemet më serioze me të cilin përballet shoqëria kosovare.

Në raportin “Ngacmimi seksual në Kosovë” nga viti 2016 të Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës, pohohet se një numër i madh i përfaqësuesve të institucioneve nuk kanë njohuri të mjaftueshme lidhur me këto forma të pahijshme e denigruese të sjelljes, përkufizimin, kornizën ligjore dhe prodecurat që duhet të merren për adresimin e tyre. Pëmëtepër, shumica e tyre ngacmimin e kuptojnë gabimisht si përdhunim ose sulm seksual dhe duke neglizhuar format e tjera të ngacmimit.

Aktivistja për barazinë gjinore dhe lëvizjen feministe, sociologja Linda Gusia, pohon se në Kosovë shumica e njohin ngacmimin vetëm kur ai kalon në sulm seksual.

“Shumica e kolegëve me të cilët kam biseduar, ngacmimin seksual e shohin si të tillë vetëm kur është sulm, pra kur fizikisht tentohet të dhunohet dikush. Do të thotë, të gjitha këto; fjalët e pahijshme, komentet, presionet e ndryshme psikologjike që mund të krijohen e që janë pjesë e ngacmimit seksual nuk shihen si ngacmim”, thotë Gusia.

Edhe në aspektin ligjor deri vonë nuk ka pasur definim të qartë në lidhje me atë se çka nënkuptohet me ngacmim seksual, se cilat forma të sjelljeve të padëshiruara definohen si të tilla dhe se çfarë sanksione ligjore pasojnë për kryesin e një vepre të tillë; të papërcaktuar si vepër penale.

Rina Kika, avokatja e cila ka punuar në draftimin e Rregullores për Mbrojtje nga Ngacmimi Seksual në Universitetin e Prishtinës, tregon se ngacmimi seksual nuk ka qenë i përcaktuar si vepër penale deri në prillin e vitit 2019, atëherë kur edhe ka hyrë në fuqi Kodi i ri Penal.

Një mos-definim i tillë ka kontribuar që për një shumicë të madhe të kosovarëve ekzistojnë ende shumë paqartësi sa i përket identifikimit dhe njohjes së formave të ngacmimit, rrjedhimisht edhe raportimit të tyre.

“Viktimat e ngacmimit seksual mund të paraqesin denoncim për ngacmimin seksual para Policisë apo Prokurorisë, meqë ngacmimi seksual paraqet vepër penale. Po ashtu, mund të ngritet padi edhe për diskriminim”, tregon Kika.

Raportet e publikuara nga OJQ të ndryshme gjithnjë theksojnë vështirësitë që ata hasin në marrjen e numrave të saktë të raportimeve të ngacmimeve seksuale. Ky numër është edhe më pak reprezantues kur bie fjala tek raportimet e rasteve në ambiente të punës.

Zyra për Demokraci, të Drejtat e Njeriut dhe Punë, në kuadër të Ambasadës Amerikane, në vitin 2018 publikoi një raport mbi praktikat e të drejtave të njeriut ku ceket se, sipas  organizatave për të drejtat e gruas, ngacmimi seksual në vend të punës është i rëndomtë në sektorin publik dhe atë privat, por edhe në institucione të arsimit të lartë.

Halime B. 29 vjeçare, para disa vitesh kishte qenë e punësuar në një OJQ me nam në Prishtinë, ku drejtori i organizatës kishte keqpërdorur maksimalisht pozitën e tij drejtuese dhe e kishte ngacmuar.

“Pasi e takova për herë të parë drejtorin, ai më kishte dërguar ftesën për t’u bërë miq në Facebook. Filloi të më shkruaj, më bëri ftesë për kafe dhe më jepte përshtypjen që fliste ndryshe, shprehej palidhje. Dikur më bëri oferta për të dalë në drekë. Arrita që disi ta injorojë ofertën dhe të mos e zgjasë shumë muhabetin. Pas pak kohësh, pashë që më kishte shkruar prap, duke m’u drejtuar: “Shkurt e paske pas’, kemi mujt’ me dal me pi naj kafe a najsen”. Unë ja pata prerë; i pata thënë që e respektoj si drejtor dhe të mos i keqkuptojë gjanat! Prej asaj dite më nuk kemi biseduar”, tregon Halimja.

Në bisedat me koleget e punës, ajo kishte kuptuar se drejtori shpesh shprehet lirshëm e në mënyrë banale para tyre, por edhe komenton në mënyrë tejet të pahijshme pamjen e tyre. Ai poashtu u kishte kërkuar favore seksuale kolegeve të tjera – madje, me njërën nga to, ndonëse i martuar, ai ka një lidhje dashurie që nga koha kur ajo është punësuar në organizatë.

Halimja shprehet se kjo temë qëndron e mbyllur brenda mureve të organizatës dhe se askush nuk e ka adresuar problemin diku. Arsye për heshtjen e situatave të tilla, sipas saj, mund të jetë frika për të humbur vendet e punës të cilat janë tejet mirë të paguara në organizatë.

“Nevoja për një vend të punës, i detyron njerëzit me i përbi këto gjana. Madje, është edhe frika nga drejtorët – ata mund të ndikojnë jo vetëm në humbje të punës, por edhe në mundësitë e mëtutjeshme të punësimit. Nëse flet për këto gjana, ia sheh sherrin për punë mandej”, shton ajo.

Ndërkaq, Liridona Sijarina, menaxhere e projektit në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, thotë se ngacmimi seksual është një fenomen goxha i përhapur në ambientet e punës.

“Format më të shpeshta të ngacmimit seksual janë: ngacmimet verbale të natyrës seksuale, ngacmimet fizike, favoret seksuale, të cilat ndodhin sidomos gjatë procesit të pranimit në punë, ose avancimit në pozitë, ku kërkohen favore seksuale në emër të ndonjë “favori” tjetër. Gjithashtu, mund të ketë presione të natyrës psikologjike të cilat kanë qëllim përfitimet seksuale”, thotë ajo.

Pëkundër kësaj, këto nuk raportohen meqë, sipas saj, normat shoqërore janë të tilla që i stigmatizojnë ata dhe priren ta fajësojnë viktimën për këto krime.

“Kjo mendësi gjykuese e stigmatizuese shpërfaqet edhe në institucionet tona, më konkretisht tek zyrtarët policor të cilët nuk kontribojnë në luftimin e këtij fenomeni”, thotë Sijarina.

Sipas Halime B. e cila thotë ka humbur besimi në policinë dhe shtetin tonë dhe ekziston një bindje që askush nuk do të ndërmarr diçka në lidhje me këto shkelje.

“Prej eksperiencës time me policinë mund të them që vet polici mundet me të ngacmu; ta bënë: po e shoh që kokshe çikë e mirë – muj me të ndihmu ty… Kurdo boma add në Facebook… ose, ose, të gjenë me emër e mbiemër në rrjete sociale, të shkruan e të thërret për kafe. Por edhe nëse e raporton një rast në polici, gjasat që ngacmuesi me pasë të njofshëm e krahë të fortë janë të mëdhaja. Kështu, personave të tillë nuk ju ndodhë asgjë, ndërsa neve na mbetet mos me i futë vehtes therra në kambë të shëndoshë; me u anku kot së koti”, thotë ajo.

Luljeta Q. 26 vjeçare, punëtore e administratës në njërin nga institucionet tona publike pohon të jetë viktimë e ngacmimeve seksualenga drejtori ekzekutiv i këtij institucioni.

“Ajo që më shqëtëson më së shumti është që ngacmimet seksuale tek ne nuk merren parasyshë nga organet kompetente. Sido që të jetë situata, fajësohen vajzat dhe gratë. Ato madje etiketohen me emra të ndryshëm. Policia dhe organet e tjera kompetende duhet të jenë më të vëmendshme kur bëhet fjalë për ngacmimet seksuale në vendet e punës, sepse, ato ndodhin përditë, kurse viktimat nuk kanë ku të drejtohen për shkak të frikës nga stigma”, thotë ajo.

Sipas Sijarinës, ngacmimi seksual lidhet shumë me pozitën dhe perceptimet shoqërore ndaj gjinive, me ç’rast gratë shihen ende si objekte seksi ndërsa burrat në shoqëri patriarkale si kjo e jona, gëzojnë pushtet shoqëror dukshëm më të madh se gratë.

“Në nivel institucional, shteti duhet të zhvillojë kampanja vetëdijësuese mbi të drejtat e punëtorëve në vendin e punës (dhe tregun e punës, duke qenë që ngacmimi seksual shpesh ndodhë edhe para vendosjes së raporteve kontraktuale, gjë që iu kushton shumë shpesh grave, të mbesin të papuna apo të pranojnë të punojnë në ambiente abuzive). Gjithashtu, duhet të investohet më shumë në ngritjen e kapaciteteve të policëve, prokurorëve, gjykatësve dhe inspektorëve të punës në raport me të drejtat e punës të cilat kanë ndjeshmëri gjinore”, thotë ajo.

Avokatja Rina Kika rendit masat që mund të ndërmerren në parandalimin, zvogëlimin dhe ndëshkimin e formave të ngacmimit seksual.

“Tolerimi i ngacmimit seksual përmes mos-ndëshkimit të kryersëve të tij, e nxitë vazhdimin e kësaj sjellje, pasi që e kthen atë në sjellje të pranueshme. Prandaj informimi në lidhje me ngacmimin seksual, raportimi dhe ndëshkimi i rasteve të ngacmimit seksual është i domosdoshëm për çrrënjosjen e ngacmimit seksual dhe arritjen e barazisë gjinore”.

Në mposhtjen e problemit të pranisë së ngacmimit seksual në vende të punës, por edhe luftimit të tij vlerësohet se do të ndihmonte shumë edhe përfshirja më e lartë e grave në tregun e punës, por edhe në procese vendim-marrëse. Kështu, sipas Broshurës për Stabilitet të publikur më 2019 nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet vetëm 12 % e grave në Kosovë janë të punësuara, në krahasim me 46.6 % të burrave.

Bazuar në Manualin për Integrim Gjinor, të publikuar nga Qendra PEN në vitin 2013, del se në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Kosova është e para sa i përket infrastrukturës ligjore në mbështetjen e angazhimit të grave në vendim-marrje. Megjithatë, statistikat rreth përfshirjes së grave në pozita ekzekutive në instucione publike, në parti polike e sektore të tjera dëshmojnë për përfshirje të ulët të tyre.

Sociologja Linda Gusia, beson se në kontekstin e institucioneve publike do të duhej të kishte më pak raste të ngacmimit, krahasuar me sektorin privat, meqë në to  ka më shumë mekanizma ligjorë dhe ekziston një sistem më strikt i llogaridhënies, ndërkohë që në sektorin privat, ku mekanizmat e tillë janë më të dobët dhe ka më shumë shkelje të të drejtave të punëtorëve në përgjithësi.

Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KosovaLive dhe SIT – Center for Counseling, Social Services and Research dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ.


Autore

Kaltrina Zhushi

Kaltrina Zhushi ndjek studimet e nivelit Master për Sociologji në Univeristetin e Prishtinës. Njëkohësisht gjatë kohës së lirë kryen punë vullnetare në organizatën Down Syndrome Kosova. Ajo është e interesuar në temat që lidhen me pabarazitë shoqërore, sidomos ato që trajtojnë diskriminimin dhe dhunën në baza gjinore. Një fushë tjetër e interesimit për të janë çështjet mjedisore/ambientaliste dhe ato të të drejtave të kafshëve. Ajo ishte pjesë e grupit të dytë në programin “Gazetaria Transformuese” në Kosovalive.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM