Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, sot u mbajt ceremonia e fillimit të ushtrimit më të madh ndërkombëtar ushtarak në rajonin e Ballkanit, “Defender Europe ’23”, me ç’rast FSK do të tregojë kapacitetet e saja luftarake, e po ashtu shkallën e ndërveprimit ushtarak.
Në këtë ceremoni morën pjesë personalitetet më të larta shtetërore, duke filluar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, gjenerali amerikan, gjeneral brigade, Derek Adams, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, gjeneralë të FSK-së, deputetë të Kuvendit të Kosovës, si dhe ambasadorë, atashe ushtarakë, si dhe oficerë të lartë të shteteve partnere.
Kjo ceremoni filloi me intonimin e himnit të Republikës së Kosovës dhe aleatit tonë kryesor strategjik, SHBA-së, të luajtur nga orkestra frymore e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Fillimisht, mysafirëve të ftuar në këtë ceremoni, iu drejtua presidentja Osmani, e cila në mes tjerash, theksoi se objektivi kryesor i kësaj stërvitjeje është shfaqja e fuqisë ushtarake, për të siguruar paqen dhe se ky ushtrim është kujtesë se forca nuk qëndron vetëm në armë, por edhe lidhjet tona dhe aleancën e përbashkët.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në ceremoninë e hapjes të “Defender Europe 23”, ka bërë të ditur se sot ka filluar ushtrimi ndërkombëtar “Defender ’23”, që do vazhdojë deri më datën 2 qershor, me ç’rast FSK do të tregojë kapacitetet e saj luftarake, e po ashtu shkallën e ndërverprueshmërisë ushtarake.
Mehaj në postimin e tij në Facebook ka thënë se përgatitjet për realizimin e suksesshëm të “Defender Europe 23” i kemi filluar që një vit e gjysmë, trajnimet e vazhdueshme, investimi në blerje të pajisjeve dhe sistemeve të armatimit, shkollimet dhe stërvitjet kanë qenë intensive dhe i kanë paraprirë këtij ushtrimi. Ushtria e Republikës së Kosovës me intervenimet e saj, me bashkëzbarkimet që ka realizuar jashtë vendit, me misionet humanitare në vendet partnere, me operacionet ndërkombëtare siç ka qenë evakuimi i refugjatëve afganë, ka dëshmuar që ne jemi partner i besueshëm për aleatët tanë, në krye më Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përfundimi i suksesshëm i ushtrimit “Defender Europe 23”, do të dëshmojë që ushtria jonë është e aftë dhe e gatshme për të bashkëvepruar me ushtritë partnere të vendeve të NATO-së.
Sot është nder i veçantë të jem para jush në këtë ngjarje e cila shënon hapjen zyrtare të ushtrimit më të madh ndërkombëtarë “Defender Europer 23”. Në këtë ushtrim do të kemi pjesëmarrës 25 shtete me mbi 22 mijë ushtarë. Republika e Kosovës si vend pritës do të ketë mbi 1300 ushtarë, pra ne do të jemi vendi i katërt me më së shumti ushtarë në këtë ushtrim.
Përgatitjet për realizimin e suksesshëm të “Defender Europe 23” i kemi filluar që një vit e gjysmë. Trajnimet e vazhdueshme, investimi në blerje të pajisjeve dhe sistemeve të armatimit, shkollimet dhe stërvitjet kanë qenë intensive dhe i kanë paraprirë këtij ushtrimi.
Për ne është shumë e rëndësishme që ngritjen e kapaciteteve tona ta bëjmë gjithmonë sipas standardeve të NATO-së, sepse rrugëtimi ynë është i qartë, destinacioni ynë është një dhe i vetëm, anëtarësimi në NATO. Prandaj ne do të përmbushim çdo detyrë e obligim që të jemi pjesë e kësaj familje të madhe.
Colin Powell thotë: Kur të gjithë janë të bashkuar për një qëllim, një qëllim pozitiv që i shërben jo vetëm organizatës, por edhe botës, ju keni një ekip fitues.
Vërtetë të gjitha vendet partnere, jemi bashkuar rreth një qëllimi të përbashkët, ky qëllim patjetër që do t’i shërbej botës dhe paqes.
Ushtria e Republikës së Kosovës me intervenimet e saj, me bashkëzbarkimet që ka realizuar jashtë vendit, me misionet humanitare në vendet partnere, me operacionet ndërkombëtare siç ka qenë evakuimi i refugjatëve Afganë, ka dëshmuar që ne jemi partner i besueshëm për aleatët tanë, në krye më Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjithashtu kemi dëshmuar që ne tani më nuk jemi vetëm konsumues, por edhe eksportues të sigurisë. Pra kemi forcuar kapacitetet tona për mbrojtje të vendit dhe garantim të paqes ku do që kërkohet.
Gjatë këtyre dy viteve fokusi ynë kryesor ka qenë në rritjen e numrit të ushtarakëve, trajnimi, stërvitja dhe shkollimi i tyre, pastaj ngritjen e kapaciteteve luftarake përmes blerjes së pajisjeve dhe sistemeve të armatimit, e gjithë kjo është bërë jo për të sulmuar dikë, por për të mbrojtur vendin tonë.
Atdheun e çliruar dhe lirinë e fituar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ne do ta mbrojmë kurdoherë që të jetë e nevojshme. E kaluara jonë na ka mësuar që për të fituar lirinë duhet derdhur gjak, ndërsa për ta ruajtur paqen duhet derdhur mund e djersë.
Liria i takon vendit, vendi i takon popullit të lirë dhe miqëve e partnerëve tanë të përjetshëm. Paqja është rruga jonë, paqja është e vetmja rrugë.
Përfundimi i suksesshëm i ushtrimit “Defender Europe 23”, do të dëshmojë që ushtria jonë është e aftë dhe e gatshme për të bashkëvepruar me ushtritë partnere të vendeve të NATO-s.
Faleminderit dhe urime të gjithëve!
Së bashku jemi më të fortë!






