Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti zhvilloi një bisedë telefonike me senatorët Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Pete Ricketts.
Kryeministri i falënderoi senatorët për telefonatën dhe për zërin e angazhimin e tyre në senat në mbështetje të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Biseduan për situatën në vend dhe zhvillimet pas zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës. Kryeministri theksoi se kishim një proces zgjedhor të njohur nga komuniteti ndërkombëtar dhe se është e rëndësishme që kryetarët e zgjedhur të mund të punojnë në vendet e tyre të punës.
Përshkallëzimit të situatës të hënën, ku u sulmua Policia e Kosovës, u lënduan ushtarët e KFOR-it dhe gazetarët, i ka kontribuar turma e dhunshme. Njerëz të armatosur e të dhunshëm, pjesëtarë të grupeve kriminale të dirigjuar nga Serbia, të cilët kanë interes pikërisht destabilizimin.
Kryeministri i siguroi senatorët, që është plotësisht i angazhuar për qetësim të situatës dhe se rruga përpara është respektimi i proceseve kushtetuese e ligjore, dialogu dhe zbatimi i plotë dhe i pakushtëzuar i Marrëveshjes Bazike të arritur në Bruksel dhe aneksit të saj në Ohër, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.