Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka bërë të ditur se po vazhdon implementimi i programit “Edukim për Siguri” në tetë kazerma të FSK-së, me ç’rast instruktorët janë duke ligjëruar para nxënësve temat e parapara sipas planit për këtë vit shkollor, duke përfshirë këtu edhe pjesën praktike.
Mehaj në postimin e tij në Facebook ka thënë se Kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë dhe “Lidhja e Prizrenit” në Prizren, ishin dy kazermat në të cilat i ka vizituar për të parë nga afër të rinjtë gjithë entuziazëm teksa marrin njohuri bazike rreth sigurisë e mbrojtjes, armatimeve dhe mjeteve shpërthyese.
Njohuritë e përfituara gjatë kësaj periudhe do të jenë mësim jetësor për të gjithë nxënësit, përderisa do t’i shërbej dhe sigurisë së vendit.