Për KMDLNj është shumë shqetësues linçimi publik që i bëhet disa gazetarëve dhe analistëve duke i cilësuar si argatë të Serbisë, antikombëtarë, të shitur apo edhe legenë ndërsa Policia e Kosovës, ndonëse këto akuza linçuese janë publike, nuk e ndërmerrë asnjë veprim, qoftë edhe për parandalim për t’u marrë pastaj me pasojat.
KMDLNj është i sigurt se Klan Kosova nuk do të mbyllet dhe se këtë çështje e kanë të qartë të gjitha palët “ndërluftuese“ por tërë këtë e bëjnë si luftë për zhvendosje të vëmendjes apo përforcim të pozicioneve që i kanë.
Të akuzoni dikend se është spiun i Serbisë, tradhëtar, se merr para nga Serbia dhe Rusia, pa ofruar asnjë provë është e papranueshme dhe e pafalshme, si në aspektin moral, profesional dhe ligjor, prandaj, KMDLNj insiton që hetimet të shkojnë deri në fund pas së cilave do të caktohej përgjegjësia konkrete, në përputhje me provat.
Kohëve të fundit rreth Klan Kosovës është bërë një presion i madh deri në kohën kur ARBK i hoqi licencën e punës e që fjalën e fundit do ta thotë Gjykata kompetente.
Reagimi i opinionit është ndarë në dysh si asnjëherë më parë; komuniteti i gazetarëve, opozita dhe shoqëria civile sikur edhe ndërkombëtarët, në emër të lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, si vlera demokratike dhe të drejta të njeriut janë në mbështetje të Klan Kosovës kurse pozita, në emër të zbatimit të ligjit dhe parregullsive gjatë regjistrimit si dhe veprimtarisë, është 100 përqind në anën e MINT që ka qenë nismëtar dhe finalizues i heqjes së licencës së punës përmes ARBK-së.
Opinioni kosovar dhe ai që ka mungesë të mjaftueshme të informatave rreth këtij rasti, ka mbetur në udhëkryq duke mos e pasur situatën e qartë për këtë. Reagimi i komunitetit gazetar është krejtësisht i arsyeshëm; e bënë për ta mbrojtur veten dhe punën e tyre kurse reagimi i opozitës gjithashtu është i kuptueshëm për faktin se paraqet rast të mirë për ta luftuar pozitën. Reagimi i ndërkombëtarëve është reagim tipik oportunist dhe në linjë me inetereset politike që i kanë.
Pozita nuk ka si të reagojë ndryshe, në të kundërtën, ministren Hajdari duhet ta dërgojë në shtëpi dhe të gjithë ata që janë në përkrahje të saj. KMDLNj është kundër çdo situate kur pushteti mbyllë mediat përveç rasteve kur gjykata e merr një vendim të formës së prerë. Edhe në rastin konkret, KMDLNj vlerëson se është dashur të pritet një vendim i gjykatës përkatëse, para se politika t’i vendosë dryrin Klan Kosovës sot e nesër apo më vonë ndonjë mediumi tjetër. Rasti i Klan Kosovës duhet të hetohet nga Policia aq më parë që ka pasur nguti dhe tejkalim të procedurave brenda MINT-it që përfundimi të jetë ashtu si është.
Për rastin e Klan Kosovës kanë pësuar edhe të punësuar brenda MINT-it dhe çështja është më e ngatërruar sa që duket në shikim të parë. Këtu nuk mund të jenë dy të vërteta; nëse Klan Kosova ka vepruar në kundërshtim me ligjin atëherë duhet t’i bindet ligjit dhe, në anën tjetër nëse MINT ka shkelur ligjin në përpjekje për të disiplinuar mediet atëherë shkelësit duhet t’i nënshtrohen përgjegjësisë ligjore.
Të bësh thirrje publike për mbyllje të mediave, pa asnjë vendim gjyqësor është hapje e derës që shpie në një autokraci dhe dhunim të lirisë së fjalës. Për KMDLNj kjo është e papranueshme dhe e dënueshme, thuhet në komunikatën për media e KMDLNj-së.