Përmes konferencës zyrtare nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Kolonel Gazmend Hoxha dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë Jeffrey Hovenier, u nënshkrua pranim-dorëzimi i donacionit të kamerave të trupit për zyrtarë policorë, i cili është projekt/donacion i përbashkët ndërmjet INL-DOS dhe ICITAP-DOJ, pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.
Policia e Kosovës (PK) në mbështetje dhe përkrahje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës vite më parë kishte filluar këtë pilot-projekt, ku fillimisht në bashkëpunim dhe koordinim edhe me institucionet relevante të RKS-së, janë bërë përgatitjen e dokumentacioneve të nevojshme dhe Procedurat Standarde të Operimit.
Pas hartimit dhe rregullimit të procedurave policore, ashtu siç është bërë e ditur për opinionin e gjere, me datën 07 korrik 2023 kishte filluar faza testuese e përdorimit të kamerave të trupit me Njësitë për Kontroll të Autostradave të PK-së, për të vazhduar me njësitet tjera policore.
Për rolin dhe qëllimin e projektit foli drejtori Hoxha, i cili ndër të tjera tha se Policia e Kosovës përmes qasjes inovative të investimeve në teknologji informative ka arritur progres në transformimin digjital, ku edhe realizimi i këtij projekti kë për qëllim rritjen e përgjegjësisë, transparencës, llogaridhënies, rritjes së besimit të qytetarëve ndaj policisë, si dhe të argumentimit të aktiviteteve policore që kryhen gjatë detyrës zyrtare në terren.
Ndërsa, ambasadori Hovenier theksoi se, ceremonia e ditës së sotme shënon donacionin për kamera të trupit nga Qeveria e SHBA-së për Policinë e Kosovës. Këto kamera të trupit janë burim i ri jetik për zbatim të ligjeve në Kosovë të cilat do ta rrisin besimin dhe sigurinë e publikut për policinë dhe ndjeshëm do ta përmirësojnë llogaridhënien.
Policia e Kosovës, shpreh mirënjohjen e saj për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj PK-së, e cila vazhdon të mbetet e përkushtuar në përmbushjen e vizionit dhe misionit të saj në shërbim ndaj vendit dhe qytetarëve pa dallim, thuhet në postimin në Facebook të PK-së.