H.K, 54-vjeçare nga Prizreni thotë se ndarja e barabartë e pasurisë së familjes mes saj dhe vëllezërve nuk është diskutuar asnjëherë në familjen e saj. Duke pasur edhe dy vëllezër tjerë, ajo si vajza e vetme e prindërve, nuk ka qenë, madje as kandidate për të qenë e përfshirë në testamentin e familjes.
“Në familjen time nuk është folur asnjëherë për këtë çështje. Pasi kam pasur dy vëllezër tjerë, kjo punë dihej, pasuria u takonte atyre. Unë si vajzë, as nuk e kam çuar ndërmend këtë punë” thotë ajo.
Rastet si ky janë ende të shumta në Kosovë dhe e gjithë kjo është si pasojë e privimit edhe më tutje të vajzave nga e drejta e tyre mbi trashëgiminë e prindërve.
Jobarazia gjinore në këtë aspekt vazhdon të mbetet një problem shqetësues për shoqërinë tonë dhe ato të Ballkanit në përgjithësi.
Profesoresha e sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, Vjollca Krasniqi, thotë se trashëgimia në pronë vazhdon të definohet në bazë të së drejtës zakonore, duke theksuar ndikimin edhe më tutje të madh të Kanunit të Dukagjinit në shoqërinë tonë. Sipas saj, përkundër aktiviteteve të organizatave të grave, ende nuk ka një konsensus shoqëror, i cili e sheh të drejtën e trashëgimisë së grave si të drejtë themelore.
“Edhe pse legjislacioni u jep barazi vajzave në trashëgimi njejtë sikurse edhe djemve, e drejta zakonore ndërhyn në praktikat e jetës së përditshme, gjë që i largon gratë nga realizimi i të drejtës së tyre në trashëgimi dhe në pronë”, thotë Krasniqi.
Kushtetuta e Kosovës, përkatësisht neni 7.2 ia garanton këtë të drejtë gruas, duke e siguruar barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, dhe u siguron mundësi të barabarta për pjesëmarrje të dy gjinive në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat tjera të jetës shoqërore.
Ndërsa, neni 3 i Ligjit për Trashëgiminë thotë se “të gjithë personat fizikë në kushte të njëjta janë të barabartë në trashëgimi”.
Ministria e Drejtësisë ka hartuar Projekt Kodin Civil të Republikës së Kosovës, i cili përbëhet nga pesë libra, ku libri i pestë i takon trashëgimisë.
Sipas kësaj ministrie, risi në kuadër të këtij libri, është mbrojtja e pasardhësve në raste kur trashëgimtari heq dorë nga trashëgimia.
“Sa i përket heqjes dorë nga trashëgimia, e të cilën zakonisht në praktikë e shfrytëzojnë gjinia femërore në favor të asaj mashkullore, më shumë si pasojë e vetëdijes së pamjaftueshme dhe si pasojë e të drejtës zakonore dhe marrëdhënieve tradicionale brenda familjes dhe shoqërisë, e më pak nga mos zbatimi i ligjit, bazuar në rregullimin e ri sipas Librit 5, tani heqja dorë nga trashëgimia vlen vetëm për trashëgimtarin që heq dorë dhe jo edhe për pasardhësit e tij, e që dallon nga ligjit aktual, sipas të cilit heqja dorë vlen edhe për pasardhësit e atij që ka hequr dorë”, thuhet në një përgjigje me e-mail të Ministrisë së Drejtësisë, dërguar KosovaLive.
Ky Projekt Kodi Civil është dërguar për aprovim në Qeverinë e Kosovës, më 8 korrik 2019, por për shkak të gjendjes aktuale ende nuk është aprovuar.
Sipas një hulumtimi të Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, pengesat kryesore për ndryshimin e mentalitetit patriarkal të shoqërisë sonë janë: zbatimi i dobët i ligjeve, mungesa e vetëdijes se ligjet ekzistojnë dhe përhapja e qëndrimeve tradicionale dhe praktikave, të cilat në të shumtën e rasteve janë në kundërshtim të ligjeve dhe të drejtave themelore civile.
Q.G nga Prishtina, pohon se ajo kishte hequr dorë vetë nga pasuria e prindërve. Arsyeja më e madhe pse e ka bërë këtë, sipas saj ishin raportet me familjen.
“S’kam qenë e interesuar me e marrë pronën që më takon, pasi s’dojsha me i prishë raportet me vëllezëritë e prindërit, edhe ashtu burri, me të cilin jam martuar ka pasur pasuri të mjaftueshme” thotë kjo 40-vjeçarja.
Sipas një hulumtim të bërë nga OJQ-ja “Komunikimi për zhvillimin e shoqërisë” (CSD), më 2017, 74% e grave nuk janë të gatshme të pranojnë trashëgiminë mu për shkak të normave zakonore. Nga ana tjetër, 62% e grave të anketuara thonë se nuk do të pranonin ose do të heqnin dorë me vetëdëshirë nga trashëgimia, për shkak të frikës se do të përkeqësonin marrëdhënieve me familjen dhe do të mund të humbin mbështetjen e tyre, gjë tregon edhe tutje praninë e stereotipeve e mentalitetit patriarkal.
Edhe sociologia Krasniqi e vë theksin tek frika për përkeqësimin e marëdhënieve familjare, kur rendit faktorët që ndikojnë që gratë të heqin dorë nga trashëgimia.
“Gratë heqin dorë për arsye se frikësohen se do të humbin dashurinë dhe kujdesin e familjes, e dyta, sepse nuk inkurajohen të realizojnë të drejtën e tyre në trashëgimi, e treta, sepse nuk kanë informacion mbi legjislacionin dhe po ashtu dekurajohen në proceset gjyqësore”, vlerëson Krasniqi.
A.Kryeziu nga Prizreni, gëzon të drejtën e qasjes në pronën e trashëguar nga prindërit. Ajo thotë se prindërit kanë qenë gjithmonë ata që kanë këmbëngulur në ndarjen e barabartë të pasurisë së tyre.
“Prindërit e mi janë përkujdesur gjithmonë, që mua dhe vëllaun të na trajtojnë në mënyrë të barabartë. Unë asnjëherë nuk jam ndjerë inferiore ndaj vëllaut tim. Falë tyre, ne të dy kemi trashëguar pasurinë familjare, në mënyrë të barabartë”, thotë 30-vjeçarja.
Qasjen në trashëgimi, si A.Kryeziu, sipas Agjencisë Kadastrale të Kosovës e kanë vetëm 17,53% e femrave. Sipas kësaj agjencie, nga 551,868 pronarë sa janë të regjistruar, vetëm 96,736 janë femra,.
Sipas zyrtarës për Barazi Gjinore në këtë agjenci, Ibadete Rexhepi, po rritet numri i pronave që po regjistrohen në emër të të dy bashkëshortëve, në bazë të Udhëzimit Administrativ të vitit 2016.
“Bashkëshortët që kanë regjistruar pronë në emër të përbashkët gjithsej janë 5,496” thotë ajo.
Përkundër ligjeve, ndikimi i Kanunit të Dukagjinit sipas të cilit gratë nuk kanë të drejtë të trashëgojnë pronë as nga prindërit e as nga burri, është ende i konsiderushëm, sidomos në zonat rurale, ku edhe diskriminimi i grave e i vajzave në familje është më i madh.
Kanunit, që më shumë është grumbullim i disa adeteve, rregullave zakonore e morale, përshkruan se “Grueja shqyptare farë trashigimit s’ka te prindja, as më plang, as në shpi, – kanuja e xen gruen si nji tepricë në shpi”.
Sipas Strategjisë Kombëtare për të Drejtat Pronësore në Kosovë, një arsye pse shumë femra përjashtohen nga trashëgimia e familjes mund të jetë edhe mospërfshirja e tyre në aktin e vdekjes, që është një dokument deklarativ i lëshuar nga regjistrat civil të komunës, në të cilin duhet të përfshihen të gjithë anëtarët që kanë të drejtë të trashëgojnë pasurinë e palujtshme.
Gjithsesi, ndër arsyet kryesore për numrin e vogël të grave që trashëgojnë pronën e familjes, është mosdija e tyre për ligjet që ua garantojnë këtë të drejtë.
Ministria e Drejtësisë, gjegjësisht Zyra për Komunikim në këtë ministri, ka treguar se në bashkëpunim me projektin e Bashkimit Evropian “Support to the Civil Code of Kosovo – Phase 2” ka organizuar për mbi 22 kampanja sensibilizuese në qytete të ndryshme të Kosovës lidhur me çështjet që përfshihen në Projekt Kodin Civil të Kosovës ndër to edhe çështjet e trashëgimisë.
Mosinformimi i grave për trashëgiminë që u takon, lidhet edhe me nivelin ende të lartë të analfabetizmit dhe papunësisë.
Sipas një hulumtimi të Qendrës Ndërkombëtare për Drejtësi Tranzicionale, shkalla më e lartë e analfabetizmit është tek femrat, sidomos në zonat rurale, ndërsa rreth 70 përqind e grave janë të papunësuara. Kjo pasqyron edhe gjendjen e deritashme të grave në aspektin e trashëgimisë.
Sipas një studimi të Programit të USAID-it për të Drejtat Pronësore (PRP) të vitit 2015, vetëm 19% e grave kishin pronë të regjistruar në emrin e tyre krahasuar me 79% të meshkujve.
78% nga 1,500 të anketuarit kanë deklaruar se në familjen e tyre nuk kanë ndonjë femër të regjistruar si pronare të pronës, ndërsa 16% e tyre kanë deklaruar se një anëtare femër e familjes së tyre është e regjistruar si pronare e pronës, kurse vetëm 6% e të anketuarve kanë deklaruar se më shumë se një femër është e regjistruar si pronare e pronës.
Nga ky studim shihet se nga të gjithë të anketuarat femra, 62% besojnë se femrat duhet të trashëgojnë, krahasuar me 55.6% e të anketuarve meshkuj që mendojnë se femrat nuk duhet të trashëgojnë.
Ky studim në nivel nacional mbi të drejtat pronësore në Kosovë, vë në pah numrin e madh të femrave që heqin dorë apo tërhiqen nga të drejtat e tyre në trashëgimi. Rreth 87% e të anketuarve në këtë studim mendojnë se femrat heqin dorë nga trashëgimia, ndërsa vetëm 10% kanë deklaruar se femrat nuk tërhiqen nga të drejtat e tyre trashëgimore.
Më shumë se gjysma e të anketuarve ( 62%) nuk mbajnë mend kur një femër ka trashëguar një pronë, ndërsa 19% e tyre mbajnë mend një rast.
Se femrat kanë pak njohuri për të drejtat e tyre dhe për dokumentet që kanë të bëjnë me trashëgiminë e dëshmojnë edhe të gjeturat e këtij studimi: 66% e të anketuarve femra kanë deklaruar se nuk kanë njohuri për dokumentet e nevojshme për trashëgimi, krahasuar me 48% e të anketuarve meshkuj që kanë deklaruar të njëjtën gjë.
Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KosovaLive dhe SIT – Center for Counseling, Social Services and Research dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ.
Autore
Diellëza Kabashi është studente e vitit të parë në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”. Ajo ka qenë pjesë e grupit të dytë në programin “Gazetaria Transformuese” në KosovaLive. Interesimet e saj janë për gjithçka që lidhet me gazetarinë, por kryesisht është e interesuar për kulturën dhe sportin në përgjithësi.