Shoqëria kosovare vazhdon të ketë një qëndrim paksa konfuz ndaj komunitetit LGBTIQ+, i cili gjithnjë e më zëshëm është në kërkim të mirëkuptimit, pranimit por edhe mbështetjes.
Shumëçka ka ndryshuar nga ajo shfaqja e parë e hapur e orientimeve seksuale më 1996, që sipas një publikimi të “Qendrës për Barazi dhe Liri të Komunitetit LGBT në Kosovë” (CEL) që korrespondonte me bashkimin e parë mes gjinisë së njëjtë – dy vajzave. Ngjarja ishte nuk ishte mirëpritur aspak e ishte sulmuar edhe mediatikisht. Edhe pas gati njëzet vjetëve, më 2017, duke u bazuar në vlerësimet e organizatave që merren me të drejtat e këtij komuniteti, Kosova medialisht ishte pasqyruar si “…vendi më homofobik në rajon’.
Por, mu në tetor të të njëjtit vit në Prishtinë u mbajt parada e parë e komunitetit LGBTIQ+ në Kosovë. Kjo ngjarje nuk kaloi pa u verejtur nga organizatat që mbrojnë të drejtat e këtij komuniteti, sikur National Lgbt Right Organization (LGL) si dhe nga mediat vendore e ndërkombëtare, vëmendjen e të cilave gjithsesi e shtoi edhe prania e presidentit të Kosovës në paradë në mesin e shumë njerëzve, sikur edhe mbështetja nga shumë yje të skenës botërore.
Ajo që e karakterizon këtë komunitet kohëve të fundit është një zëshmëri në rritje, por mbase edhe një diskurs paksa i ndryshuar shoqëror sa i përket orientimeve seksuale, ndonëse hezitimi, mospranimi por edhe kundërshtimet, sidomos kur hapet çështja e martesave mes individëve të gjinisë së njëjtë, vazhdojnë.
Foto e marrë nga: PB Performance & Development
Prishtinasja E.K, studente në Universitetin e Prishtinës shprehet se ky komunitet është pjesë e jona, duke shtuar se secili ka të drejtë ta jetojë jetën në mënyrën e vet konform rregullave të jetës që gjithësecili i krijon për vetën dhe të cilat nuk e cenojnë lirinë e tjetrit.
Për martesën mes pjesëtarëve të LGBTIQ+ thotë se ka qëndrim neutral.
“Personalisht nuk e mbështes por as nuk e kundërshtoj. Pse? Po e ripërsëris që konsideroj që secili individ ka të drejtë të jetojë jetën si një prej privilegjeve më të mëdha, në mënyrën e tij dhe në të cilën ndihet i plotësuar”.
A.B. nga komuna e Dreansit, student i po të njëjtit universitet e sheh këtë komunitet si “një grup ndryshe nga ne” dhe konsideron se po propagandohet më tepër për të sesa për problemet reale të shoqërisë.
Martesën mes pjesëtarëve të këtij komuniteti nuk e kualifikon si “një e drejtë”.
“Do ta mbështesja një veprim të tillë, pra martesën nëse nuk do të kalonte katër muret në tentim që të na ofrohet si civilizim dhe normalitet. Pra, arsyeja e qëndrimit të tillë është kulturore dhe shkencore”, thotë ai.
Cilado qoftë arsyeja e pranimit/mospranimit, ata që më së shumti afektohen nga kjo (mos)gatishmëri shoqërore, gjithsesi janë pjesetarët e komunitetit LGBTIQ+ në Kosovë.
Blert Morina, pjesëtar i këtij komuniteti, thotë se ka një presion të vazhdueshëm ndaj tyre, rrjedhimisht edhe shtytja drejt “jetës së dyfishtë” si dhe mohim të shërbimeve të ndryshme.
“Martesën si institucion ka shumë persona që mund ta shohin të arsyeshme ose jo. Mirëpo, martesa shpie pastaj të shumë çështje tjera, qoftë ndarja e pasurisë, kujdesi mbi fëmijët etj. Mbi këtë parim konsideroj që në këtë aspekt personave LGBTIQ+ është duke ju shkelur një e drejtë, të cilën çdo individ duhet ta gëzojë në momentin që hyn në martesë me dëshirë”, thotë ai.
Blert Morina (foto: Prishtina Insight)
Sipas tij, Kosova realisht gëzon një legjislacion mjaft të avancuar, ku themelet kryesore janë që të gjithë duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë, po kur vjen te martesa shihet një rezistencë mjaft e madhe.
“(Kjo) përkundër faktit që Kushtetuta nuk specifikon gjini, vetëm lejon të ndodh martesa mes dy persona (straight ose mes gjinisë së njëjtë), kurse ligji i familjes bie ndesh sepse martesën e definon mes një çifti heteroseksual”, thotë Morina.
Hapësirën për këtë të drejtë, si në Kushtetutë, ashtu edhe në konventa ndërkombëtare, e pohon edhe institucioni i Avokatit të Popullit, konkretisht udhëheqësi i saj, Hilmi Jashari. Ai thotë se qëndrimi i institucionit që udhëheq është në konsistencë me linjën e Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut dhe praktikën gjyqësore të së njejtës.
“Kushtetuta, parasheh trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët. Ndërsa, pjesa që i referohet institucionit juridik të familjes, kërkon që të ketë ligj, siç parasheh edhe Konventa Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, e cila lidhur me interpretimin në raste të paqartësive eventuale, i parasheh që standardet ndërkombëtare të kenë prevalencë mbi ligjet vendore dhe sistemin juridik vendor. Këto standarde kanë qëndrim afrimativ lidhur me këtë të drejtë”, thotë Jashari.
Ai e sheh Kodin e ri si një mundësi të mirë për t’i hapur rrugë kësaj çështjeje.
“Meqënëse është në proces Kodi Civil, patjetër që duhet të trajtojë këtë çështje, gjithashtu është një mundësi që një çështje e tillë të rregullohet me këtë kod dhe në pajtim me këto standarde ndërkombëtare”, konsideron Avokati i Popullit.
Sipas drejtorit ekzekutiv të “Qendrës për Barazi dhe Liri të Komunitetit LGBTI në Kosovë – CEL”, Blert Morina, secili nga ne mund të jap kontributin e tij për të sjellur ndryshimin, ndërkaq ai nga institucionet pret që të jenë më gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjëshme, të respektojnë Kushtetutën dhe konventat e ndryshme ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut.
Qendra të cilën e udhëheq edhe konkretisht është angazhuar drejt rregullimit të kësaj çështjeje.
“Dy organizatat për të drejtat e personave LGBTIQ+ (CEL dhe CSGD) kanë dërguar rekomandime te grupi punues i Kodit të ri Civil, që të përfshihet edhe martesa e personave LGBTI. Sigurisht që mendojmë se çdo individ duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë dhe të ketë në dispozicion dispozita ligjore të cilat janë gjithpërfshirëse”, shprehet Morina.
Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KosovaLive dhe SIT – Center for Counseling, Social Services and Research dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ.
Autore
Fatlinda Gashi
Fatlinda Gashi përfundoi studimet e nivelit Master për Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës. Që nga vitet e para të studimeve u angazhua me projekte brenda institucioneve dhe në kuadër të OJQ-ve të ndryshme. Së fundmi, ishte pjesë e programit ‘Gazetaria Transformuese’, në KosovaLive.