Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shpalosur të gjeturat një analizë që gjurmon llojin dhe shtrirjen e të dhënave ekzistuese digjitale që tregojnë për integritetin politik në Kosovë. Kjo analizë është realizuar duke përdorur metodologjinë për monitorimin e integritetit publik të dizajnuar nga Transparency International, degë e së cilës është edhe KDI. Të dhënat publike të cilat janë analizuar në rastin e Kosovës përfshijnë tetë grupe të dhënash, secila bazuar në 12 tregues, si në vijim: 1) regjistrat e zyrtarëve publik, 2) deklaratat e pasurisë së zyrtarëve publik, 3) raportet financiare të partive politike, 4) buxheti i qeverisë, 5) shpenzimet qeveritare, 6) prokurimi publik, 7) transkriptat e votave të deputetëve të Kuvendit dhe 8) regjistrat e bizneseve.
Disponueshmëria e të dhënave të hapura që kanë të bëjnë me zyrtarët publikë, pasuritë e tyre, financimin politik, buxhetin e qeverisë, shpenzimet, prokurimet publike, mënyrën si kanë votuar deputetët dhe regjistrat e kompanive përveç që janë indikatorë të fuqishëm të integritetit publik në vend, janë jetike për të zbuluar, ekspozuar dhe luftuar korrupsionin. Përderisa analiza tregon se Kosova ka krijuar një kornizë solide ligjore që promovon transparencë lidhur me të dhënat publike dhe ka një volum të mjaftueshëm të këtyre të dhënave të hapura, disponueshmëria e tyre në formate të ri-përdorshme dhe komunikimi ndërmjet këtyre të dhënave mbetet ende shumë e kufizuar.
Duke analizuar grupet e caktuara të të dhënave, del se të dhënat që lidhen me prokurimin publik përbejnë një praktikë të mirë dhe transparente si për nga përmbajtja, po ashtu edhe formati i tyre, por edhe nëpërmjet ofrimit të informacionit në kohë dhe pa kosto rreth operacioneve të tij.
Përderisa ekzistojnë të dhëna publike dhe pa kosto të publikuara në faqet zyrtare mbi deklaratat e pasurisë dhe regjistrat e biznesit, si Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ashtu edhe Agjencia Kosovare për Parandalimin e Korrupsionit nuk i publikojnë grupet e tyre përkatëse të të dhënave në standarde të të dhënave të hapura dhe të ri-përdorshme.
Në vitin 2018, Ministria e Financave lansoi Portalin e Transparencës me fokus buxhetin dhe shpenzimet e qeverisë. Fatkeqësisht, kjo platformë ka mbetur në harresë që nga viti 2021, duke e bërë atë të papërdorshme si një burim aktual. Tutje, vlerësimi zbulon ekzistencën e burimeve të të dhënave të qasshme dhe pa kosto nga publiku në lidhje me buxhetin publik (në formën e dokumenteve ligjore duke përfshirë tabelat) dhe shpenzimet e qeverisë (raportet financiare). Megjithatë, këto burime të dhënash janë ekskluzivisht të disponueshme në formatin PDF.
Së fundmi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka iniciuar publikimin e raporteve financiare të partive politike në faqen e tyre zyrtare. Megjithatë, këto burime të dhënash paraqiten në formën e imazheve të skanuara, duke i bërë ato mjaft sfiduese për t’u ripërdorur ose analizuar në mënyrë efektive.
Sidoqoftë, dy aktivitetet publike që shfaqin performancën më pak të kënaqshme janë ato që lidhen me regjistrin e zyrtarëve publik dhe të dhënat për mënyrën si kanë votuar deputetët e Kuvendit të Kosovës. Publikimi më i fundit i regjistrit të zyrtarëve publik daton në vitin 2018. Gjithashtu, që nga viti 2019, pajisjet elektronike të votimit brenda institucionit të Kuvendit kanë qenë jofunksionale, duke pamundësuar kështu nxjerrjen e të dhënave për mënyrën e votimit individual të secilit deputet gjatë tre viteve të fundit.
Kjo analizë rendit prokurimin publik si aktivitetin publik me disponueshmërinë më të lartë e të dhënave në format të hapur me 10.5 pikë, deklarimi i pasurisë, regjistri i bizneseve dhe raportet e shpenzimeve të qeverisë me nga 8.5 pikë secila, pasuar nga raportet financiare të partive politike me 8 pikë, buxheti i Kosovës me 7.5 pikë, rexhistrin e zyrtarëve publik me 1 pikë dhe 0 pikë për disponueshmërinë e transkriptit të votimeve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, thuhet në komunikatën për media e KDI-së.