Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka shpreh ngushëllime familjes, me rastin e vdekjes së skulptorit Luan Mulliqi.
Çeku ka thënë se Mulliqi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën artistike të Kosovës për çka do të jemi gjithmonë mirënjohës. Angazhimi i tij në zhvillimin e artit pamor dhe monumental në vend ka qenë thelbësor.
Ministri Çeku ka thënë se kontributi i Mulliqit si drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës, autor i dy monografive për artin pamor në Kosovë, ligjërues në Universitetin e Prishtinës dhe atë të Tetovës si dhe angazhimi në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, do të mbetet i çmuar në artin dhe kulturën e Kosovës duke frymëzuar brezat e ardhshëm, thuhet në postimin në Facebook të MKRS-së.
E nderuar familje Mulliqi,
Me pikëllim pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të skulptorit të shquar, Luan Mulliqi dhe ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta.
Mulliqi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën artistike të Kosovës për çka do të jemi gjithmonë mirënjohës. Angazhimi i tij në zhvillimin e artit pamor dhe monumental në vend ka qenë thelbësor.
Kontributi i Mulliqit si drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës, autor i dy monografive për artin pamor në Kosovë, ligjërues në Universitetin e Prishtinës dhe atë të Tetovës si dhe angazhimi në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, do të mbetet i çmuar në artin dhe kulturën e Kosovës duke frymëzuar brezat e ardhshëm.
Karriera e bujshme e tij që ngërthen shumë simpoziume të skulpturës me karakter ndërkombëtar, një sërë shkrimesh për skulpturë, për artet figurative dhe zhvillimet kulturore në Kosovë, ekspozita personale e kolektive nëpër shumë vende të botës, do të vlerësohet gjatë.
Me punën e tij na la trashëgimi disa nga monumentet më të njohura të vendit, përfshirë shtatoren e akademik Fehmi Aganit në Prishtinë, shtatoren e Nënë Terezës në Tiranë, shtatoren e Ismail Qemalit në Prishtinë, bustin e Sekretares së shtetit të SHBA-ve Madeleine Albright, e të tjera. Ndërsa për punën që bëri mori çmime në konkurse të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Çmimet e fituara, tregojnë përkushtimin e tij të palodhur ndaj artit dhe kulturës së Kosovës.
Ngushëllime të thella për familjen, kolegët dhe të gjithë komunitetin artistik.






