Sipas Agjencisë së Statistikave në Kosovë, numri i çifteve të shkurorëzuara gjatë vitit 2015 ka qenë 1,268. Ky fenomen ditëve te sotme po vazhdon të rritet dhe ata të cilët po vuajnë më shumë pasojat janë fëmijët. Në bazë te statistikave, bashkëshortët e divorcuar me dy fëmijë përfshijnë 14.2%, ndërsa ata me vetëm një fëmijë 11.7%.
Adelina Raci, edukatore në kopsht, thotë se ndarja e prindërve ndikon negativisht te fëmijët dhe se secili prind duhet të ketë kujdes të veçantë në sjelljet me ta.
“Ata që lëndohen, e që vuajnë pasojat më shumë nga divorci i prindërve janë fëmijët. Reagimet emocionale të fëmijëve zakonisht varen nga mosha e tyre në periudhën kur ndodh divorci. Shumë fëmijë përjetojnë trishtim, zemërim dhe ankth, dhe kjo nuk është e pazakontë, të manifestohet me sjelljen e tyre. Gjatë divorcit, fëmijët mund të paraqesin reagime emocionale të shumta. Mërzitja e tyre ka simptoma sikurse mospranimi dhe heshtja, kthimi mbrapa, lodhja fizike, ndjenja të fajit dhe me veprime armiqësore siç janë paniku, alarmi dhe konfuzioni”, pohoi Raci.
Njëlloj, Teuta Mustafa si një edukatore e re, tha se shkurorëzimi i prindërve paraqet ndryshim të madh në jetën e fëmiut.
Ndonëse edhe vetë pjesë e këtij tregu ai thotë se kujdeset shumë se si kompania e tyre të komunikojë produktin e caktuar edhe nëse produkti ka target gratë apo burrat gjatë lansimit.
“Në klasën ku mbaja praktikën vëreja një vajzë që rrinte shumë e heshtur, nuk kryente detyrat dhe nuk shoqërohej me askënd; po t’i flisje të kthehej me agresivitet, nuk shoqërohej me shoqe. Më herët vajza ka qenë shumë e qetë, e sjellshme dhe shumë e shoqëruar me të tjerët. Kam hasë edhe ne raste të tjera ku fëmijët bëhen agresiv, mbyllen në vetvete, ndjehen inferior, ndjehen fajtorë pasiqë mund të mendojnë që janë shkaktarë për ndarjen e prindërve,” shtoi Mustafa.
T.G (emër i njohur për redaksinë), e shkurorëzuar dhe nënë e një fëmiu, thotë se ndonëse vajza e saj nuk ka kaluar kohë krize kur ajo dhe ish-bashkëshorti janë ndarë, gjithësesi ka parë ca ndryshime në sjelljen e saj.
“Nuk mund të them që shkurorëzimi nuk ka ndikuar aspak në sjelljet e vajzës sime, edhe pse kujdesi i të dy palëve ka qenë maksimal në mënyrë që ajo të mos ndikohet. Normalisht nuk mund të pritet nga një fëmijë 7 vjeç të kuptoj ndarjen e prindërve, por jemi mundu të mos ndikojmë në disponimin e saj. Ndonëse ajo në fillim filloi të mbyllej paska në vete dhe nuk donte të lozte me shoqet, ajo shumë shpejt është adaptu me situatën dhe besoj që edhe ajo tani ndihet më e lumtur,” u shprehë T.G.
Poashtu, XH.K (emër i njohur për redaksinë), nënë e dy femijëve, thotë se në kohën e shkurorëzimit me ish-bashkëshortin, fëmijët kanë ndryshuar sjelljet.
“Edhe pse fëmijët ishin te moshave të ndryshme kur ka ndodh ndarja, njëri ishte 10 dhe tjetri 7 vjeç, mund të shihja te të dytë ndryshimin. Djali i cili ishte më i madh në moshë provonte çdo herë të iu shmangej bisedës së shkurorëzimit, kurse ai i cili ishte më i vogël në moshë shprehte dëshira për ribashkim. Sidoqoftë, ne kemi provu që asnjëri të mos lëndohej jashtazkonisht sa që pasojat të ishin më të mëdha apo ekstreme, dhe tash pas 4 viteve të dy fëmijët janë më të kuptueshëm dhe besoj që vetë ngjarja i ka pjekur ata më shumë ne krahasim me fëmijët e tjerë,” thotë XH. K.
Raci dhe Mustafa thonë se vetë prindërit duhet të minimizojnë stresin e përshkallëzimin e situatës ku fëmija ndodhet. Në anën tjetër, ato thonë se një rol të rëndësishëm e luan dhe gjinia e fëmiut, kultura, ligji, morali, kujdestaria e njërit nga prindërit, formimi psikologjik i fëmiut, e të tjera.
“Ndonëse numri i shkurorëzimeve po rritet çdo herë e më shumë, kujdesi dhe përcjellja e lajmit deri te fëmijët duhet të jetë shumë i kujdesshëm në mënyrë që të mos ketë ndryshime drastike te fëmijët,” shtoi Raci.
Fatbardha Tërpeza