Build Skills with our trainings

Sign up now!

Gratë në luftërat e Lindjes së Mesme: Pre e mosinformimit, imponimit por edhe indoktrinimit

Jan 11, 2017

Në mesin e personave nga Kosova, në luftërat e Lindjes së Mesme, janë gjetur edhe gra por edhe vajza. Disa kishin vendosur personalisht ta bëjnë këtë rrugë, disa të tjerave u ishte imponuar që së bashku me fëmijët t’i shoqërojnë bashkëshortët. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, janë përafërsisht 44 gra dhe 29 fëmijë që kanë udhëtuar për në Siri.

Në rast se këtyre grave u vriten burrat, ato mbesin në mëshirën e grupeve ekstremiste.

Këtë mendim e ndajnë gazetaret që u morën me hulumtimin e këtij fenomeni, Arbana Xharra  dhe Serbeze Haxhiaj.

“Disa muaj pas vrasjes së burrave të tyre, ato detyrohen të martohen mbi bazën e shtetit Islamik,” thotë gazetarja Haxhiaj.

Ajo pohon se këto gra janë në kampe të mbyllura dhe të ekspozuara ndaj dhunës fizike, psikike dhe seksuale.

“Gratë të cilat humbin burrin apo prindin në Siri, janë vërtetë në situatë shumë fatkeqe dhe duhet që institucionet të mendojnë se si ato të kthehen në Kosovë dhe të vazhdojnë jetën e tyre,” thotë Burim Ramadani nga Security Policy Research Center (SPRC), i cili gjithashtu merret me hulumtime rreth ekstremizmit.

Sipas gazetares Arbana Xharra, shumica e atyre që shkojnë në Siri dhe Irak janë të detyruar të japin të gjitha dokumentet që kanë dhe të marrin emra të tjerë, gjë që ua bën të pamundur kthimin në Kosovë. Ato që arritën të kthehen, kanë mbajtur të fshehur ndonjë gjurmë që vërtetonte shtetësinë e tyre.

Një hulumtim për gratë në Siri është duke u përgatitur nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe pritet të dalë në janar. Njëra nga hulumtueset në QKSS, Rudina Jakupi thotë se megjithëse gratë shpesh ndikohen nga burrat e tyre, nuk duhet që të jenë gjithmonë të pozicionuara në rolin e viktimës.

“Deri tash, jo vetëm në Kosovë por dhe në botë gruaja është e pozicionuar si viktimë, por dhe gruaja mund të jetë vetinicuese për t’u bashkangjitur luftës dhe grupeve ekstreme,” thotë Rudina Jakupi.

Ajo mendon se arsyet që i shtyejnë këto gra që të shkojnë në Siri janë të ndryshme, por shpesh nuk dallojnë shumë nga arsyet e burrave. Janë faktorët socioekonomik, arsyet ideologjike apo ndonjë arsye individuale siç është përjashtimi nga shoqëria.

Edhe sociologia, Sibel Halimi pajtohet se gratë jo gjithnjë kanë pozitën e viktimës, shumë shpesh ato mund të jenë një instrument shumë i rëndësishëm për rekrutime të mëtutjeshme. Ajo mendon se kategoria e vajzave të rekrutuara nga rrjetet sociale është një kategori që nuk ëshë studiuar dhe aq shumë.

“Ne kemi shifra se 43-44 gra dhe vajza janë të përfshira, mirëpo këto shifra nuk paraqesin të vërtetën që duhet ditur. Për shembull, në kuadër të kësaj shifre gratë kanë pasur pozita dhe role të caktuara, të cilat janë kryesisht të martuara që i kanë ndjekur burrat por ka, në anën tjetër, vajza të cilat janë indoktrinuar nëpërmjet rrjeteve sociale në internet, sepse grupet ekstreme e kanë shumë të qartë strategjinë e tyre se si duhet punuar me të gjitha kategoritë shoqërore. Kemi rastin kur dy vajza i kanë ndalur në kufi për t’u përfshirë, ndoshta jo si luftëtare direkte, mirëpo ata janë nisur për atje”, thotë Halimi.

Për dallim nga gratë e vendeve të BE-së, ato nga Ballkani nuk janë rekrutuar dhe aq shumë nga interneti, mendon Rudina Jakupi, sepse uebfaqet nëpërmjet të cilave rekrutohen femrat janë në gjuhën angleze dhe të parapara për një publik tjetër, kështu që nuk kanë arritur të tërheqin aq shumë gra. Në internet ka video në gjuhën shqipe me qëllime rekrutuese por ato shfaqin vetëm burra që flasin.

Keqardhjen e saj për këtë fenomen e shpreh dhe Besa Ismaili, profesoreshë në Fakultetin e Shkencave Islame në Prishtinë, e cila është e informuar se gratë atje janë keqtrajtuar dhe ankohen për abuzime nga më të këqijat.

“Shumica, të paktën për ato raste që kemi dëgjuar, kanë shkuar në shoqërinë e burrave të tyre dhe nuk kanë lidhje të drejtë me terrorizëm apo ekstremizëm të dhunshëm. Megjithatë, ky nuk ëshë një fakt që na qetëson por na shqetëson dhe më shumë”, thotë Ismajli.

Ajo nuk mendon se mund të jap përgjigje të saktë nëse këto gra kanë shkuar me dëshirë apo kanë qenë të detyruara, pasi që këto janë çështje “të mbyllura” brenda familjes. Megjithatë, nga gjithë ato që ka parë, ajo supozon se këto gra nuk kanë qenë mirë të informuara për gjendjen atje.

Duke u bazuar në pozitën e gruas në përgjithësi në shoqërinë kosovare, e cila karakterizohet me ndërvarësi ekonomike dhe mungesë të vendimmarrjes, Burim Ramadani mendon se është mjaft e dukshme se këto gra kryesisht bien pre e ndikimit me dhunë dhe mendimeve të imponuara nga persona tanimë të radikalizuar.

Me këtë pajtohet edhe Jakupi e QKSS-së e cila mendon se për një zgjidhje afatëgjate duhet si shoqëri të mirremi me pozitën e grave dhe të mundohemi t’i fuqizojmë gratë si në aspektin ekonomik dhe në atë arsimor.

Bulza Çapriqi

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM