Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka uruar ditën e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi dhe të gjithë pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Maqedonci në postimin e tij në Facebook ka thënë se një kapitull shumë i lavdishëm i forcave ushtarake të shtetit shqiptar, është përfshirja e ushtarakëve të saj në luftën e Kosovës më 1999, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo duke ndihmuar me trajnime dhe armë.
Më 2008, Forcat e Armatosura të Shqipërisë u anëtarësuan në NATO duke e rreshtuar Shqipërinë në mesin e vendeve aleate të Perëndimit. Sot, Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë partnerja më e natyrshme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, meqë të dyja këto forca ushtarake, mbrojnë hapësirën e jetesës dhe sigurinë në regjion.
4 dhjetori i vitit 1912 është data e themelimit të ushtrisë së Shqipërisë! Shtatë ditë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor, Kuvendi Kombëtar në Vlorë themeloi Ministrinë e Luftës me ministër Mehmet Dërrallën. Fillimisht për këtë detyrë u propozua Isa Boletini, i cili ndonëse e refuzoi atë, i vuri në dispozicion trupat e tij, rreth 300 vullnetarë nga Kosova, që u bënë bërthamë mbi të cilën u themelua ushtria shqiptare. Isa Boletini vazhdoi t’i shërbente ngritjes së ushtrisë shqiptare edhe gjatë misionit holandez në kohën e Princit Wilhelm Wied, kur Mbretëresha e Holandës Wilhelmina, dërgoi dhjetëra oficerë holandezë për të ndihmuar në ngritjen e ushtrisë shqiptare.
Urime dita e Forcave të Armatosura të Shqipërisë!
Bashkë jemi më të fuqishëm dhe bëhemi të pathyeshëm!