Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka njoftuar se në ditën kur i dhanë lamtumirën e fundit të ndjerës, Liridona Ademaj, Gratë për Vetëvendosje kanë ndezur qirinj në shenjë kujtimi për të.
Haxhiu në postimin e saj në Facebook ka thënë se Liridona le të pushojë e qetë në vendin ku lindi por ne si shoqëri dhe si institucione nuk do të qëndrojmë të qetë dhe do të angazhohemi edhe më shumë që krime të tilla të mos ndodhin asnjëherë më. Krimi i rëndë, vrasja mizore e Liridonës, është alarm për të gjithë ne, alarm që nuk duhet të ndalet derisa vajzat dhe gratë nuk trajtohen me dinjitet, shtypen, dhunohen, e vriten.
Liridona është viktimë e femicidit, Liridona u vra sepse ishte grua. Liridona u vra nga tre burra që ishin bashkë në planifikim, organizim dhe ekzekutim të këtij akti makabër.
Drejtësia është domosdoshmëri dhe kërkesë e secilit qytetar që bashkëndjenë për këtë rast. Është kërkesë edhe e jona. Liridonës iu mohua e drejta e jetës.
Dënimi nga sistemi i drejtësisë presim që të jetë maksimal.
Duke shprehur ngushëllime për familjen dhe ngushëllime për të gjitha gratë e Kosovës, ju siguroj që po angazhohemi maksimalisht dhe se lufta ndaj dhunës me bazë gjinore, dhunës ndaj grave, dhunës në familje dhe femicidit janë prioritet i yni i përditshëm.