Build Skills with our trainings

Sign up now!

“Jemi” e “nuk jemi” të përgatitur për tërmete

Jan 7, 2020

Tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit në Shqipëri, edhe për Fatbardhën 24 vjeçare, ishte i frikshëm dhe i paharrueshëm. Ajo banon në katin e 11-të, në njërën nga njësitë kolektive në qendër të Prishtinës.

“Kam qenë në gjumë kur ndjeva lëkundjet e banesës, u frikësova shumë dhe bazuar në çka kam lexuar për tërmetet nuk guxova të përdorja as shkallët e as ashensorin”, u shpreh ajo.

Fatbardha ankohet se në objektin ku banon, shpeshherë nuk funksionon ashensori dhe në dy katet përdhesë janë bërë intervenime vend e pa vend brenda objektit.

Mentor Llunji, inxhinier i diplomuar i ndërtimtarisë dhe autor i librave të inxhinierisë sizmike, është i bindur se në rast të një tërmeti në Kosovë, si ai i Durrësit, do të  kishte pasur dëmtime të ngjashme. Ai thotë se intervenimet, shpesh joprofesionale në objekte pas ndërtimit final, sidomos në objektet e banimit, “mund të kenë efekt fatal në stabilitetin sizmik”.

“Qytetarët tashmë e kanë më se të qartë problemin dhe rrjedhimisht rrezikun. Tani jemi në fazën që ky fenomen është i përhapur gjithandej. Ka nevojë për veprim të organeve kompetenete në këtë drejtim…Problemi i nën-ndërtimeve tashmë duhet të kalojë në nivel të trajtimit dhe zgjidhjes së kësaj çeshtje me shumë rëndësi për sigurinë e një numri të madh të qytetarëve”, thotë ai.

Llunji sqaron se ndërtimet informale përfshijnë katet shtesë apo zgjerimet e objekteve ekzistuese, mosrespektimin e përmasave të objektit nga leja e ndërtimit apo edhe ndërtimin e objekteve të reja pa leje.

“Në mbarë Kosovën po projektohen shumëkatëshe nga inxhinierë që s’kanë përvojë të mjaftueshme  dhe kjo po bëhet pa asnjë kontroll të kualitetit të projektit”, shprehet ai.

Në Kosovë, si në vendet e rajonit, problemi kryesor qëndron te mosrespektimi i Ligjit për ndërtime pa leje, me të cilin në këtë rast, mund të shqiptohen gjoba në shumë prej 50 deri në 30.000 euro.

Sipas një ankete jopretencioze të KosovaLive, 87.02% e të anketuarit kanë thënë se nuk ndihen të sigurt në vendbanimin e tyre për shkak të intervenimeve ose renovimeve në objektim e banimit.

Në të njëjtën anketë, 82.1% kanë deklaruar se nuk janë informuar si duhet të reagojnë në rastin e tërmeteve.

Shemsi Mustafa, drejtor i Rrjetit Sizmologjik të Kosovës thotë se secila familje, të paktën, duhet të ketë një broshurë sqarimi si duhet mbojtur nga fatkeqësitë natyrore.

Ai tregon se Kosova paraqet një rajon me aktivitet të lartë sizmik, i cili është goditur në të kaluarën dhe mund të goditet edhe në të ardhmen nga tërmete autoktone shumë të fuqishme.  Sipas tij, në terrritorin e Kosovës zonat sizmogjene, si Prizren-Pejë, Ferizaj-Viti-Gjilan dhe Kopaoniku, janë zona më të fuqishme të burimeve sizmike.

“Vendin, kohën dhe madhësinë e saktë të tërmetit, deri më tani nuk ka pajisje që mund të parashikojë, përpos “hartave të rrezikut sizmik” në të cilat janë të regjistrura tërmetet që kanë ndodhur dhe mundësinë e përsëritjes së tyre pas disa viteve”, thotë Mustafa.

Ai këshillon që gjatë kohës së tërmetit duhet qëndruar brenda dhe të bëhet mbrojtja pranë një tavoline deri sa lëkundjet të pushojnë, ndërsa, në rast se personi ndodhet në ndonjë ambient të hapur duhet qëndruar larg pemëve, tabelave, ndërtesave dhe telave elektrik.

Fitim Humolli, profesori i gjeografisë në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore (FSHMN), në Universitetin e Prishtinës thotë se studentët e gjeografisë, të gjeologjisë, të ndërtimtarisë e arkiteturës, janë mjaft të informuar për tërmetet dhe pasojat nga to, por kjo nuk vlen për gjithë studentët.

“Nuk kam dëgjuar të ketë trajnime me këtë qëllim, përveç se nga ligjeratat në nivele studimesh. Shoqëria duhet këto njohje t’i merr në shkolla fillore ose te mesme”, tha Humolli.

Sipas tij, Kosova sa i përket aktivitetit sizmik “nuk ka pozitë të lakmueshme, prandaj studimi, kujdesi, përkushtimi, mirëmbajtja dhe zbatimi i normativave duhet të jetë në shkallë të lartë për aq sa është dhe rrëzikshmëria”.

Skender Haxhiu, drejtor i shkollës fillore “Naim Frashëri” në Podujevë  thotë se objekti i kësaj shkolle është i sigurt pasi “ndërtimi është me kualitet të lartë dhe ka edhe daljen urgjente”. Por, ankohet se përvec një trajnimi në të cilën morën pjesë vetëm 40 nxënësit e kësaj shkolle në prillin e vitit të kaluar, të mbajtur nga agjencia e mbrojtjes civile turke  AFFAD (Afet ve Acil Durum Yönetimi Başkanlığı – Menaxhimi i fatkeqësive dhe urgjencave), në shkollën e tyre nuk ka pasur të tjera të ngjashme.

Për të njejtin trajnim flet edhe Fehmi Zeqiri, drejtor i shkollës së mesme të ulët “Isa Boletini” në Podujevë. Edhe nga kjo shkollë 40 nxënës morën pjesë në trajnim, pas të cilit morën obligimin që atë që kishin mësuar t’ua përcillnin nxënësve të tjerë të klasës.

Nehat Koqinaj, përgjegjës për marrëdhënie ndërkombëtare dhe publikun në Agjencinë për Menaxhimit Emergjent (AME), thotë se tërmetet si kërcënim, trajtohen me programe vetëdijesimi në shkolla me përkrahje nga UNDP ose  ndonjë sponsor tjetër. Ai thotë se kanë organizuar trajnime të përbashkëta edhe me Agjencinë AFFAD në 80% të komunave, ku kanë marrë pjesë nga një ose dy nxënës nga një klasë. Trajnimi kishtë zgjatur 35 ditë dhe mijëra nxënës kanë kaluar përmes tij.

Megjithate, Koqinaj thotë se Kosova dhe qytetarët e saj janë pak të përgatitur për reagim kolektiv dhe tema të tilla për mbrojtje nga fatkeqësitë ose trajtohen pak ose fare nuk trajtohen.

Ai pranon se Agjencia për Menaxhim Emergjent nuk ka kapacitetin, mjetet dhe kohën të arrijë ta përmbushë kërkesën qytetare nga ky aspekt edhe pse është e gatshme dhe bën përpjekje të vazhdueshme.

“Nevojë për vëmendje dhe investim në ngritje dhe zhvillim të kapaciteteve kemi në vazhdimësi. Si në modernizim, ashtu edhe në shtim të dukshëm në pajisje dhe mjete, që të ushtrohet detyra e dhënë në kuadër të misionit – shpëtim të jetëve, të mirave materiale dhe ambientit jetësor”, deklaroi Koqinaj duke shtuar shtoi se Agjencia po përballet edhe me mungesën e mjeteve financiare.

“Fatkeqësisht!. Kjo është cështje e cila ndërlidh dimensionet e menaxhimit të secilës fatkeqësi nga faza e parandalimit, deri në fazën e rimëkëmbjes afatshkurtër…Mendoj se buxheti i Kosovës investon skajshmërisht, sipërfaqësisht dhe minimalisht në fushën e menaxhimit emergjent “, shprehet Koqinaj.

Në anën tjetër, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), e cila deri më tani ka marrë pjesë në tri misione për ndihmë humanitare në Shqipëri, në rastin e përmbytjeve dhe në rastin e fundit në tërmetin e para dy muajve, ka shfaqur profesionalizëm në nivel të lartë.

Ibrahim Shala, drejtor i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës shprehet i kënaqur me strukturën aktuale dhe numrin e personelit konform kësaj strukture.

“Regjimenti i Mbrojtjes Civile  (RMC) sipas misionit dhe fushat që i mbulon, bazuar edhe në numrin e pjesëtarëve, është e pajisur me mjete të mjaftueshme dhe e gatshme që në raste emergjente të intervenojë në dy lokacione njëkohësisht. Mirëpo synimi ynë është që këto kapacitete të shtohen”, thotë Shala.

Ai shpjegoi se Regjimenti i Mbrojtjes Civile (RMC) është pjese e strukturës së Gardës së FSK-së i cili përbëhet nga tri kompani për intervenime emergjente.

“Në kuadër të FSK ekziston Qendra e trajnimit për Kërkim Shpëtim (KSH) e cila ka kapacitete për trajnimin e pjesëtarëve edhe në nivel regjional”, thotë Shala.

Ai shtoi se në trajnime dhe furnizim me pajisje specialistike kontribut kanë dhënë SHBA-të, Marina Holandeze, KFOR-i italian dhe turk, Kroacia, Anglia, Finlanda, Norvegjia, Suedia.

Për reagime të shpejta është e gatshme edhe organizata humanitare “Kryqi e Kuq”. Kjo organizatë shtrihet në 26 komuna të Kosovës dhe 7 ekipe të cilat janë të gatshme të dalin në terren kurdo që ndodhë një fatkeqësi.

Burim Seferi, koordinator i menaxhimit të fatkeqësive thotë se nga 24 deri në 72 orë me ekipet e specializuara, ata mund të ndihmojnë më shumë së 1000 persona, me ushqim, veshje, ndihmë të parë, ndihmë psikosociale…

“Kur ndodhë një rast emergjent Kryqi i Kuq shkruan një raport për Federatën e Kryqit të Kuq në Gjenevë të Zvicrës. Ata e shpërndajnë në shoqatat e tyre dhe dihet saktë numri dhe lloji i ndihmave që mund të ofrohen prej tyre….Kryqi i Kuq ka kontrata me shumë restorante apo ‘fast food-e’ dhe markete të cilat ofrojnë falas ushqime të shpejta dhe ujë”, shpjegoi Seferi.

Megjithatë, gjykuar nga rezervat aktuale të shtetit nuk mund të logaritet për një ndihmë stabile afatgjatë.

Sipas deklaratave këto ditëshe të Lulzim Rafunës, këshilltarit të ministrit në detyrë të Financave në Qeverinë e Kosovës, të publikuara në disa media kosovare,  “tashmë llogaria e Fondit Rezervë të Kosovës është boshatisur”.

Me disa vendime të Qeverisë Haradinaj, është bërë alokimi i miliona eurove nga kjo linjë e buxhetit për rezerva shtetërore.

Sipas raportit për tre muajt e pare të Ministrisë së Financave, Qeveria e Kosovës kishte ndarë nga ky fond 500 mijë euro për shënimin e 11 vjetorit të pavarësisë, 300 mijë euro për delegacionin shtetëror për procesin e dialogut, 171 mijë euro për kompensimin e shtesave dhe stimulimin financiar për vitin 2019 prokurorëve special, 143 mijë euro mbështetje për ekipin olimpik të xhudos “Ippon” në Pejë dhe 112 mijë euro për rregullimin e këndit të fëmijëve dhe Parkut të Paqes në Preshevë…. 

Vetëm në muajin dhjetor, Qeveria në largim kishte shpenzuar rreth 800 mijë euro të tjera për nevojat e Zyrës së Kryeministrit, shoqatat e dala nga lufta dhe për Zyrën e Koordinatorit për Kulturë, Rini dhe Sport… Në ndërkohë, pas tërmetit katastrofal në Shqipëri, ishin ndarë edhe 500 mijë euro tjera si ndihmë.  

Arton Muqaj, drejtor i Departamentit për Rezerva Shtetërore në Ministrinë e Tregtisë në një bisedë telefonike me KosovaLive thotë se kanë “rezerva të konsiderueshme të mallrave” me të cilat mund të ndihmojnë menjëherë në raste emergjente. Ai ka shtuar se informacione të tjera më të detajuara nuk mund të jipen, meqë  janë të “seleksionuara si sekrete të shtetit”.

Ajo që mbetet e paqartë është sasia e këtyre mallrave. Sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore, rezervat e mallrave  përfshijnë prodhimet joushqimore industriale, materiale reprodukuese, të naftës dhe derivateve të saj, barnat, material sanitar. Këto rezerva krijohen nga buxheti i Kosovës, mallrat nga ndihmat humanitare, donacionet dhe mallrat e konfiskuara…

Ndryshe, Kosova e ka një histori te tërmeteve. Ndër tërmetet e fundit më të fuqishme konsiderohen ai në Gjilan i prillit të vitit 2002, me intensitet 5.7 shkallë, i cili pati një viktimë, tërmeti 5.2 shkallësh i Istogut i vitit 2010 dhe ai i vitit 2013 në Vushtrri me intenstitet 4.8 shkallë të Rihterit.

Elvira Agushi

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM