Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se sot shënohet 5 vjetori i transformimit ligjor të FSK-së me kapacitete të kufizuara në ushtri profesionale.
Në këtë përvjetor, ministri Ejup Maqedonci theksoi se ky ndryshim është arritur falë punës së jashtëzakonshme të ushtarëve, oficerëve dhe stafit civil, përmes një angazhimi të palodhshëm e të pandërprerë, frymëzuar nga amaneti i dëshmorëve e vullneti i hekurt për të ardhmen e brezave të rinj, por sigurisht dhe bashkëpunimit të ngushtë me shtetet anëtare të NATO-s, aleatët tanë strategjik, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Partnerë këta kyç, me të cilët do të vazhdojmë të punojmë me synim rritjen e bashkëpunimit dhe realizimin e objektivave tona të përbashkëta”, u shpreh ministri Maqedonci.
Më tej, ai theksoi se “do të vazhdojmë tranzicionin e FSK-së në ushtri me kapacitete të plota, e gatshme për të përmbushur misionin e saj vital të garantimit të sigurisë për gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe mbrojtjen e integritetit të territorit të saj, me synim ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe ofrimin e kontributit përtej kufirit gjeografik të shtetit tonë, integrimin në strukturat euro-atlantike si aleat me peshë i partnerëve tanë duke kaluar nga konsumues të sigurisë në ofrues të saj”.
Më 14 dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi tri ligjet që e ndryshuan mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës.
Ligjet që u miratuan ishin: Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, thuhet në postimin në Facebook të Ministrisë së Mbrojtjes.