Florina Imeri, nga Prishtina, e cila këtë vit votoi për herë të parë, thotë se nuk ishte ndikuar nga askush në zgjedhjen e saj.
“Unë kam qenë plotësisht e lirë dhe e pavarur për zgjedhjen time. Ndërsa nga zgjedhjet që kaluan pres një ndryshim në të mirë të Kosovës”, thotë ajo.
Në një hulumtim të Qendrës Kosovare për Studime Gjinore “Si votojnë gratë në Kosovë”, thuhet se përfshirja më e madhe e gruas në jetën politike mund të ketë ndikim edhe në sjelljen e saj si votuese, pasi ajo nuk do ta shihte votimin më shumë si një çështje të baballarëve, bashkëshortëve dhe vëllezërve, por pjesë të rëndësishme të rolit të saj si grua.
Edhe pse për zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk ka të dhëna për numrin e votuesve në baza gjinore, statistikat e publikuara nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), tregojnë se në zgjedhjet e vitit 2013, gratë përbënin 51% të votuesve në Kosovë.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), numri i votuesve të regjistuar në zgjedhjet e fundit ishte 1,888,059, derisa 118 mijë e 448 nga ta ishin votues të rinjë që kishin mbushur 18 vjet pas zgjedhjeve të vitit 2014. Pjesëmarrja në votime në zgjedhjet e fundit ishte 41.30% .
Ligji për Zgjedhje të Përgjithshme në Kosovë thotë se zgjedhjet mbahen në bazë të votës së lirë, të përgjithshme, të barabartë, të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë në përputhje me rregullat e ligjit për zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës dhe rregullave të KQZ-së.
Liza Gashi, drejtoreshë e OJQ-së “Germin”, mendon se gratë janë të interesuara për çështje politike.
“Mendoj se vajzat dhe gratë në përgjithësi kanë shpreh interesim për çështjet politike në vend. Sidoqoftë, shumë pak vajza dhe gra janë të përfshira në strukturat udheheqëse të partive politike përshkak se te ne ende ekziston fryma e patriarkut nëpër partitëpolitike”, thekson ajo.
Në një anketë të shkurtër të realizuar nga KosovaLive me 100 vajza të moshës 18-30 vjeçare, del se 87% e tyre kishin votuar në zgjedhjet e fundit. Gjithashtu të anketuarat treguan se ishin të lira në zgjedhjen e tyre dhe se nuk kishin pasur ndonjë ndikim nga të tjerët.
Arsimimi i një numri më të madh të grave në krahasim me vitet e kaluara, vetëdijësimi i tyre se mund të bëjnë ndryshim dhe premtimet për barazi gjinore, sipas të anketuarave, janë vetëm disa nga arsyet që kanë ndikuar në pjesëmarrjen dhe zgjedhjen e lirë të femrave në votim.
Njëra nga të anketuarat tregon se në krahasim me vitet e kaluara, gratë përmes votës do të luajnë një rol të rëndësishëm në ndryshimin e gjendjes politike në vend.
“Më herët gratë nuk kanë pasur të drejtat dhe liritë që i kanë tani. Ato janë më të arsimuara dhe më të vetëdijësuara për të drejtat e tyre, andaj përmes votimit të tyre do të arrihet edhe ndryshimi”, thekson ajo.
Disa nga organizatat joqeveritare në Kosovë, këtë vit janë angazhuar në rritjen e numrit të grave votuese.
Iliriana Gashi, drejtoreshë në OJQ “Kosova Women 4 Women”, tregon se kjo organizatë ka punuar rreth vetëdijësimit të grave për të drejtën e tyre në votim.
“Organizata ka një modul për vendimmarrjen si pjesë e kurikulës së programit një vjeçar, dhe ky modul zgjatë 3 muaj. Një prej sesioneve të këtij moduli është e drejta e votës, votimi dhe e drejta që të mos ndikoheni kur votoni deri te ajo që mund edhe mos t’i tregoni askujt se për kë keni votuar nëse kjo është dëshira juaj. Si në çdo trajnim tonin përveç pjesës teorike ekziston edhe pjesa praktike, ku në këtë rast kemi një ushtrim të simulimit të themelimit të partive, fushatën parazgjedhore dhe votimin”, thekson ajo.
Edhe Gashi konsideron se gratë janë mjaft të interesuara për çështjet politike pasi ndikimi i politikës në jetën e përditshme është i madh.
“Ndoshta edhe e kaluara e afërt e Kosovës, kur dashtë e pa dashtë pothuajse të gjithë i kanë diskutuar çështjet politike dhe kanë marrë pjesë, qoftë në rezistencën paqësore apo të armatosur, kam përshtypjen se në një formë inercioni po bartet edhe në ditët e sotme. Edhe situata në përgjithësi po politizohet më tepë se sa do të duhej dhe do të kisha shumë dëshirë që sa më shpejtë si pë gratë ashtu edhe për gjithë popullatën të ketë më shumë punë dhe mirëqenie”, thotë Gashi.
Në anketën e realizuar nga KosovaLive, del se 25% e të anketuarave janë shumë të interesuara për çështje politike, 43% mesatarisht, rreth 20% janë pak të interesuara dhe 12% prej tyre aspak.
Njëra nga të anketurat nga KosovaLive, thotë se kërkimi i barazisë gjinore, ka ndikuar që gratë të jenë më aktive në politikë.
Arbresha Berisha