Build Skills with our trainings

Sign up now!

Braktisja e fëmijëve, pasojë e mospërkrahjes morale e financiare

Gus 23, 2017

Fitore Vitija, nënë 26-vjeçare, këtë muaj ishte në pritje për të lindur fëmijën e saj të dytë. Në natën e lindjes ishte në Repartin e Gjinekologjisë së Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe tregon se ishte shumë e shqetësuar atë natë. Ajo që e bëri atë të ndihej edhe më keq, kishin qenë edhe rastet që i kishte parë e dëgjuar aty.

Ajo e kishte ndarë dhomën me një grua e cila mezi priste ta përfundonte procesin e lindjes dhe të largohej, pasi që tërë kohën bërtiste se e kanë dhunuar dhe nuk do ta merrte fëmijën me vete.

Një grua tjetër kishte dorëzuar kërkesën për ADN-në e fëmiut, pasi që bashkëshorti nuk i besonte se është i tij. Ajo ishte inatosur tej mase, sa që thoshte se do ta linte në spital foshnjën.

“Nuk munda ta kuptoj mosdashninë e nënave ndaj fëmijëve të tyre, si vendosnin aq lehtë për ta lënë aty. Gruaja që ndaja dhomën me të, lindi fëmiun të cilit nuk i kishte marrë as një rrobë me vete, qoftë edhe një ‘peshqir’ për ta mbështjellur atë. Ajo nuk donte as ta mbante në gjirin e saj”, thotë Fitorja.

Numri mesatar i lindjeve në Kosovë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në tetë vitet e fundit ka qenë rreth 32,000 në vit, ndërkohë që vitin e kaluar, pati ulje të dukshme të lindjeve në 23,494.

Në të njëjtën periudhë tetëvjeçare, numri mesatar i braktisjeve për tetë vitet e fundit po sipas ASK-së, ka qenë rreth 50 fëmijë në vit.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pohojnë se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë braktisur 5 fëmijë.

Vlora Fazliu 31-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, tregon që me dëshirën më të madhe kishte vendosur të mbesë shtatzënë dhe të sjellë në jetë fëmijët. Ajo konsideron që as në imagjinatën e saj nuk do të mund ta paramendonte braktisjen e fëmijës.

“Fëmijët nuk kanë vendosur të vijnë në këtë jetë, po kemi vendosur ne si prindër. Detyrë e jona është të kujdesemi për ta, pa marrë parasysh në çfarë gjendje jemi, të paktën me qenë afër tyre, me ato mundësi që i posedojmë.”

Për Vlorën nuk ka ndjenjë më të mirë sesa të sjellësh në jetë një foshnjë e ta shohësh çdo ditë rritjen e tij/saj. Ajo kishte pasur shumë probleme me shtatzëninë por prapë thotë se ia kishte vlejtur pritja, përballimi i dhimbjeve dhe vështirësive të nëntë muajve, pasi që konsideron se dhuratat më të çmuara që ajo posedon në jetë janë dy fëmijët e saj.

“Arsyet e braktisjes së fëmijëve janë të ndryshme, më së shumti janë ato sociale dhe ekonomike,” tregon punëtorja sociale në Repartin e Gjinekoloqjisë në QKUK, Mevlude Veseli-Bajra.

Ajo konsideron se asnjë nënë me dëshirë nuk do ta braktiste fëmijën e saj, pos ndoshta raste shumë të rralla.

“Ka shumë raste që i lënë fëmijët nga kushtet e rënda të jetesës, nga mospranimi i të tjerëve, p.sh. nga babi i asaj nëne. Raste kur ish-i dashuri nuk jep përgjegjësi për atë fëmijë. Në këto raste ndodh që ajo nënë t’i gënjejë familjarët se është dhunuar, për ta arsyetuar shtatzaninë. Nëse nuk përkrahet, ajo në mungesë të kushteve detyrohet ta braktisë atë. Një ndikim të madh në braktisjen e fëmijës ushtrojnë edhe mungesa e edukimit, mentaliteti i popullit”, rrëfen Veseli-Bajra.

Numri i fëmijëve të braktisur sipas QKUK-së, është në rënie: numri i fëmijëve të braktisur në vitin e kaluar kishte qenë dukshëm më i lartë – 23.

Bisedat me prindërit, kryesisht nënat që vendosin t’i braktisin fëmijët, sipas punëtores sociale Veseli-Bajra, kanë ndikim që ato të ndërrojnë mendje. Ajo thotë se ka raste që iu nevojitet vetëm një shtytje e vogël që ato të mos i braktisin foshnjet. Veseli thotë se numri i fëmijëve të braktisur do të zvogëlohej nëse shteti do t’iu ofronte një vendstrehim nënave dhe një mbrojtje financiare.

Me ligj e rregulla të QKUK-së foshnjet e posalindura qëndrojnë në spital 21 deri në 28 ditë, pastaj fati i këtyre fëmijëve varet nga Qendra për Punë Sociale e asaj komune të cilës i përket nëna, të cilët i kanë familjet strehuese, që janë nën kontroll.

Një derë tjetër e zhvillimit, rritjes, edukimit dhe kujdesit ndaj këtyre fëmijëve është “SOS Fshati i Fëmijëve”.

Besnik Peci, udhëheqës alternativ në SOS Fshatin e Fëmijëve, tregon se kujdesi alternativ përbëhet prej “SOS Familjeve” dhe “Shtëpisë së Rinisë”.

“Aktualisht 13 foshnje janë të vendosura në ‘Kujdesin afatshkurtër për foshnjet’, kurse 38 fëmijë të tjerë janë pjesë e ‘SOS Familjeve’.  Këto SOS familje, janë të integruara në komunitet, po ashtu ne i kemi edhe 11 fëmijë që janë të strehuar në shtëpinë e rinisë, të cilët marrin shërbime për zhvillim personal. Momentalisht gjithsej janë 62 fëmijë nën përkujdesjen tonë 24 orë”, tregon Peci.

Shtatë fëmijë të tjerë janë pjesë e gjysmëpavarësimit dhe e kanë mbështetjen e SOS Fshatit edhe pse nuk janë pjesë e tyre, ata jetojnë në qytet, mirëpo mbështeten në aspektin material, edukativ, shëndetësor etj.

“Përveç shtyllës së përkujdesjes direkte për fëmijët që kanë humbur në një mënyrë kujdesin prindëror, SOS fshati e ka edhe shtyllën tjetër, parandalimin e braktisjes, që punohet me fuqizimin e familjeve, që aktualisht janë mbi 600 fëmijë, e mbi 400 familje të cilat marrin shërbime direkte prej punëtorëve tanë social për ta ndaluar shpërndarjen e familjes dhe braktisjen e fëmijëve”, tregon Peci.

Për të gjitha rastet të cilat nuk kanë mundësi të marrin mbështetje psikosociale, nuk kanë mundësi të pagesës së seancave, psikologjike, pedagogjike, seancat për fëmijët me probleme në të folur, “SOS Fshati” e ka edhe qendrën këshilluese e cila përkujdeset që të ofrojë shërbime falas për të gjitha palët.

Peci thotë se të gjithë fëmijët të cilët pranohen janë të referuar nga Qendrat për Punë Sociale nga qytetet përkatëse dhe nga Departamenti i Shtetit për Punë dhe Mirëqenie sociale.

Fëmijët e “SOS Fshatit” kanë pasur suksese të ndryshme, ka shumë prej tyre që janë pavarësuar, kanë përfunduar studimet universitare, janë punësuar, po ashtu janë bërë edhe vetë prind.

Nafie Sylejmani

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM