Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka pritur në takim menaxhmentin e shkollës së mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, me cilët ka folur për mundësitë e vendosjes së bashkëpunimit sa i përket ngritjes profesionale të mësimdhënësve, si dhe shkëmbimit të nxënësve dhe mësimdhënësve, me qëllim krijimin e lidhjeve miqësore të nxënësve dhe mësimdhënësve nga të dy vendet.
Ministrja Arbërie Nagavci me këtë rast ka thënë se, Ministria e Arsimit përmes politikave të Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e shqiptarëve të cilët jetojnë në Luginën e Preshevës, gjatë dy viteve të fundit ka ofruar falas tekstet shkollore për nxënësit shqiptarë atje.
Ministrja Nagavci ka thënë se, asnjëherë nuk do të mungojë vullneti për të përmbushur kërkesat e nxënësve dhe mësimdhënësve shqiptarë, për aq sa është përgjegjëse Ministria, por edhe për të krijuar mundësi kontakti dhe bashkëpunimi me komunat, të cilat kanë kompetenca ekskluzive në organizmin e arsimit parauniversitar.
Drejtori i shkollës së mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, Admir Nazifi bashkë me përfaqësuesit tjerë të shkollës falenderuan ministren për pritjen dhe mundësinë që kërkesat e tyre të adresohen aty ku duhet, thuhet në postimin në Facebook të MAShTI-t.