Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kurti merr pjesë në eventin “Let’s Talk”, histori suksesi me tre persona nga komuniteti Rom, Ashkali e Egjiptian

Dhj 22, 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në eventin “Let’s Talk”, histori suksesi me tre persona nga komuniteti Rom, Ashkali e Egjiptian, organizuar nga OJQ VoRAE.

Në këtë aktivitet, kryeministri pati mundësinë të dëgjojë së afërmi historitë e suksesit të tre personave të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, Elmira Pajazitin nga Gjakova, Berat Thaqin po ashtu nga Gjakova dhe Qëndresa Ademin nga Fushë Kosova.

“Është kënaqësi që sot të dëgjojmë përvoja të paharrueshme të të rinjve nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian. Kosova jonë është e mbushur me profesionistë të shumtë, në fusha të ndryshme e nga komunitete të ndryshme, të cilët jetojnë e veprojnë në vend. Këtë gjë, më së miri do të na e dëshmojnë me rrëfime, emocione dhe histori, të shoqëruara me sfida personale, folësit tanë kryesorë. Ata janë frymëzuesit për të gjithë dhe secilin prej nesh.” tha kryeministri.

Në adresimin e tij, duke folur rreth fushës së arsimit, kryeministri tha se “Qeveria jonë ka investuar me 200 mijë euro në qendra mësimore, si ndihmë për suksesin e nxënësve rom, ashkali dhe egjiptian. Gjithashtu kemi ndarë 500 bursa për nxënësit e shkollave të mesme të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian e në vitin akademik 2022/2023 kemi ndarë për herë të parë 26 bursa në vlerë 1000 euro secila për studentët e vitit të parë universitar nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Ndërsa në vitin akademik 2023/2024 në të cilin ndodhemi aktualisht, po i mbështesim me 55 bursa studentët nga këto komunitete, prej tyre 35 vajza dhe 20 djem.”

Ai përmendi dhe masat afirmative për kyçjen në punë, si për nga njohja e diplomave, ashtu edhe për qasjen në vendin e punës përmes konkurseve publike, themelimin e grupit punues ndërinstitucional për parandalimin e raportimin e martesave të hershme të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, regjistrimi i popullsisë i pranverës së ardhshme dhe punën e Ekipit Ndërinstitucional për Punësimin e Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve e hapat e vazhdueshëm që sa më shumë prej këtyre komuniteteve të jenë pjesë e tregut të punës. Më tej, theksoi dhe rëndësinë e kyçjes në institucionet publike, në institucionet e sigurisë publike por edhe në sektorin privat të ekonomisë.

Në fun kryeministri tha se ne jemi të interesuar që bashkëpunimi ynë të rritet, në javët, muajt e vitet në vijim, e posaçërisht në vitin në të cilin do të hyjmë së shpejti, pra vitin 2024, për çfarë më lejoni që t’iu them gëzuar festat e fundvitit, urime viti i ri, për punë edhe më të mira e për suksese edhe më të mëdha sesa ky vit të cilin, ngadalë, por sigurt po e lëmë pas, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.

 

 

Mirëmbrëma të gjithëve e mirë se e gjejmë njëri tjetrin në këtë takim shumë të vlefshëm e të rëndësishëm ku bashkëbisedojmë për problemet që kemi dhe për zgjidhjet që i bëjmë së bashku.

 

Është kënaqësi që sot të dëgjojmë përvoja të paharrueshme të të rinjve nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian. Kosova jonë është e mbushur me profesionistë të shumtë, në fusha të ndryshme e nga komunitete të ndryshme, të cilët jetojnë e veprojnë në vend. Këtë gjë, më së miri do të na e dëshmojnë me rrëfime, emocione dhe histori, të shoqëruara me sfida personale, folësit tanë kryesorë. Ata janë frymëzuesit për të gjithë dhe secilin prej nesh.

 

Sukseset e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian çdo ditë e më shumë po shtohen. Jemi të lumtur që tani së bashku do të kemi mundësi të dëgjojmë Elmira Pajazitin nga Gjakova, Berat Thaqin po ashtu nga Gjakova dhe Qëndresa Ademin nga Fushë Kosova.

 

Të nderuar të pranishëm, zhvillimi i arsimit cilësor është baza më e qëndrueshme për progresin për të ardhmen. Është përgjegjësia jonë, që të sigurojmë që çdo fëmijë të sigurojë e të përfitojë nga arsimimi i duhur. Qasja jonë është shumë dimensionale, sepse duam barazi. Ne e forcojmë shtetin, duke e forcuar arsimin dhe ekonominë tonë, me secilin e për secilin pa dallim prejardhje, baze materiale, moshe, gjinie, etnie apo feje.

 

Qeveria jonë ka investuar me 200 mijë euro në qendra mësimore, si ndihmë për suksesin e nxënësve rom, ashkali dhe egjiptian. Gjithashtu kemi ndarë 500 bursa për nxënësit e shkollave të mesme të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian e në vitin akademik 2022/2023 kemi ndarë për herë të parë 26 bursa në vlerë 1000 euro secila për studentët e vitit të parë universitar nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Ndërsa në vitin akademik 2023/2024 në të cilin ndodhemi aktualisht, po i mbështesim me 55 bursa studentët nga këto komunitete, prej tyre 35 vajza dhe 20 djem.

 

Nga bashkëbisedimi që kam patur me këta studentë këtë javë, ata na e dëshmuan që zotimi ynë për shtimin e numrave të bursave po bëhet në mënyrë të suksesshme, me student të suksesshëm. Suksesi i tyre është edhe suksesi ynë, rrjedhimisht është i përbashkët.

 

Ne kemi marrë edhe masa afirmative për kyçjen në punë, si për nga njohja e diplomave, ashtu edhe për qasjen në vendin e punës përmes konkurseve publike. Me legjislacionin e ri për zyrtarët publik, kemi krijuar një bazë të qartë ligjore për këtë, për shpalljen e vendeve të punës të cilat janë të rezervuara vetëm për komunitetet jo shumicë.

 

Javën e kaluar, kemi themeluar grupin punues ndërinstitucional për parandalimin e raportimin e martesave të hershme të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, sepse një pjesë e mirë e progresit në vendin tonë nuk e ka vetëm thjesht aspektin legjislativ, por edhe atë social, kulturor e ekonomik. Urojmë që ky grup të sjellë më të mirën për luftimin e kësaj dukurie dhe mbështetjen e nevojshme për mbrojtjen e të drejtave të vajzave.

 

Ne jemi para një procesi të rëndësishëm shtetëror, që do të kisha dashur ta theksoj në veçanti sonte e ky është regjistrimi i popullsisë. Për këtë arsye jemi të përkushtuar që komunitetet rom, ashkali e egjiptian të jenë të përfshira maksimalisht në procesin e regjistrimit. Le të mos lëmë asnjë rom, ashkali apo egjiptian pa e regjistruar në pranverën e vitit të ardhshëm në Republikën e Kosovës. Kemi ndarë fonde për OJQ të komuniteteve të cilat bëjnë informimin e qytetarëve. Për herë të parë secili komunitet do të ketë regjistruesin prej komunitetit të vet. Pra romët do t’i regjistrojnë romët, ashkalinjtë, ashkalinjtë, egjiptianët, egjiptianët, por edhe komunitetet e tjera jo-shumicë, sikurse edhe komuniteti shumicë shqiptar, regjistruesit e vet do t’i ketë secili komunitet.

 

Nëpërmjet Ekipit Ndërinstitucional për Punësimin e Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve, kemi ndërmarrë hapa të vazhdueshëm që sa më shumë prej këtyre komuniteteve të jenë pjesë e tregut të punës, të kenë të ardhura të sigurta, dhe të kontribuojnë në ekonominë e Kosovës. Nga puna përfiton punëtori, po përfiton edhe shteti. Ne dëshirojmë të krijojmë kushte sa më të mira, që secila e secili të jetojë prej profesionit të vet që e shndërron në punë, me të cilën mban veten, familjen por njëkohësisht edhe shtetin i cili është në shërbim të shoqërisë, pa dallim.

 

Si pjesë e përkushtimit tonë për përfshirjen e komuniteteve në agjencitë e sigurisë publike, muajin e kaluar kemi organizuar një “Ditë të Hapur” në akademinë në Vushtrri vetëm për komunitetet. Aty kam patur mundësinë që të bashkëbisedoj me më shumë se 100 të reja e të rinj, kryesisht prej komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Pra jo vetëm kyçje në institucionet publike, por kyçje në institucionet e sigurisë publike. Jo vetëm kyçje në institucionet publike, por edhe në sektorin privat të ekonomisë në mënyrë që ajo që e bart barrën më të madhe të punësimit në Kosovë, të ketë gjithashtu pjesëtarë prej të gjitha komuniteteve.

 

E tash le të kthehemi te folësit kryesorë, është vlerë dhe kënaqësi që ndodhem këtu para jush dhe dua që sa më parë të kalojmë tek pjesa thelbësore e takimit të sontëm, ku do të dëgjojmë historitë e fuqishme të folësve gjatë këtij edicioni. Unë i falënderoj ato, ata, të gjithë juve, për angazhimin tuaj të përditshëm. Ne jemi të interesuar që bashkëpunimi ynë të rritet, në javët, muajt e vitet në vijim, e posaçërisht në vitin në të cilin do të hyjmë së shpejti, pra vitin 2024, për çfarë më lejoni që t’iu them gëzuar festat e fundvitit, urime viti i ri, për punë edhe më të mira e për suksese edhe më të mëdha sesa ky vit të cilin, ngadalë, por sigurt po e lëmë pas.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM