Zyrtarë policorë nga stacioni Policor Zveçan, gjatë realizimit të detyrave të tyre të zakonshme, në magjistralen Mitrovicë-Leposaviq, kanë ndaluar një automjet (kamion) me targa të Serbisë. Drejtuesi i automjetit nuk kishte vendosur stikerat në targa të kamionit dhe për këtë zyrtarët policorë e kanë njoftuar se do t’i shqiptojnë gjobë.
Derisa zyrtarët policorë po i shqiptonin gjobën, drejtuesi i automjetit afrohet te vetura e policisë duke u ofruar para me qëllim që t’i ikte gjobës.
Për këtë veprim zyrtarët policorë kanë njoftuar Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Mitrovicë-Veri, të cilët kanë iniciuar rastin ‘dhënie e ryshfetit’ kundrejt të dyshuarit A.G ( viti i lindjes 1977, mashkull serb shtetas i Serbisë).
Për rastin është njoftuar prokurori i cili të dyshuarit i ka caktuar masën e ndalimit policor prej 48 orëve, thuhet në postimin në Facebook të PK-së.