Në kazermën “Adem Jashari”, në cilësi të presidentes në detyrë të Republikës së Kosovës si dhe komandantes supreme të FSK-së, Vjosa Osmani, në vigjilje të fund vitit, sot iu adresua ushtarakëve dhe ushtarakeve të FSK-së.
Në prani të ministrit të Mbrojtjes, Anton Quni dhe me pritje të togut të rreshtuar të Gardës Ceremoniale përcjellur nga Orkestra Frymore e FSK-së, ajo u shoqërua nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant, Rrahman Rama.
Në adresimin e saj, presidentja në detyrë, Osmani, shprehu mirënjohjen për të arriturat e FSK-së për shërbimin e jashtëzakonshëm gjatë vitit të vështirë që po lëmë pas. Ajo me këtë rast shprehu ngushëllimet e saj për ndarjen nga jeta të kolonel Gyrner Muratit i cili u nda nga ne para dy ditësh.
Ndër të tjera, ajo shprehu vlerësimin e lartë për gatishmërinë dhe përkushtimin me profesionalizëm të lartë të pjesëtarëve të FSK-së në shërbim të institucioneve dhe qytetarëve tanë. Përveç shprehjes së gatishmërisë së saj për ndihmë me kapacitetet e specializuara të FSK-së adresuar autoriteteve shtetërore kroate pas tërmetit, ajo nënvizoi të arriturat kryesore të FSK-së gate vitit 2020.
Gjithashtu, Osmani theksoi vizionin shtetëror dhe vet FSK-së për ndërtimin dhe zhvillimin e një force moderne, bashkëpunuese e ndërvepruese me forcat aleate perëndimore, para së gjithash me SHBA-në, me orientim strategjik për anëtarësim në NATO për të ofruar kontributin e saj për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë.
Në fund, Osmani shprehu kujtimin dhe krenarinë për rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të komandantit legjendar Adem Jashari në luftën për liri dhe pavarësi të atdheut duke e ndërlidhur edhe me datën e sotme, Ditën e Veteranit , e cila ka pike referimi pikërisht mbrojtjen e armatosur nga Familja Jashari më 30 dhjetor 1991.