Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në një raport të 2020-s thekson se kohëzgjatja e trajtimit të rasteve civile vetëm në shkallë të parë është 1.513 ditë, ndërsa ajo e shkallës së dytë është 1.288 ditë. Ndryshe në këtë raport thuhet se, për të përfunduar një rast nga momenti i parashtrimit të padisë e deri në momentin kur vendimi gjyqësor merr formën e prerë, mesatarisht duhet të kalojnë 2.801 ditë, apo rreth 7 vite e 8 muaj.
Sistemi i drejtësisë sipas Kushtetutës së Kosovës, në nenin 102 “Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor”, e ka përcaktuar pushtetin gjyqësor si të pavarur, të drejtë, apolitik dhe të paanshëm. Ndryshe sipas këtij ligji, gjykatat në Kosove gjykojnë në bazë të Kushtetutës dhe ligjit.
Aishe Qorraj–Berisha, zëdhënëse në Këshillin Gjyqësor të Kosovës thotë se pandemia ka reduktuar stafin gjyqësor në punë, për arsye të mbrojtjes së shëndetit të tyre.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës gjatë kohës së pandemisë ka punuar sipas rekomandimeve të institucioneve relevante që janë marrë me menaxhimin e pandemisë. Sa i përket kushteve të punës, stafi gjyqësor ka pasur kushte të punës dhe ka punuar me staf të reduktuar me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të tyre”, tha ajo gjatë një interviste për KosovaLive.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës, sipas saj, ka miratuar Planin e Veprimit për Menaxhimin e Krizës ku gjykatat kanë të drejtë të veprojnë në bazë të planit varësisht nga situata e krijuar në atë Gjykatë.
Por, Qorraj-Berisha thekson se KGJK-ja edhe në kohë pandemie ka qenë aktive ndaj lëndeve të karakterit urgjent.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës gjatë pandemisë, përveç se ka zbatuar rekomandimet e institucioneve relevante të cilat janë marr me menaxhimin e pandemisë, gjithmonë është kujdesur për lëndët e karakterit urgjent si p.sh. paraburgimi, dhuna në familje”, thotë ajo.
Gjatë këtij viti janë zgjidhur gjithsej 28,360 lëndë penale e civile, ndërkohë mbetën të pazgjidhura gjithsej 132,263 raste.
“Gjatë periudhës janar-nentor 2020 nga gjykatat themelore të Kosovës në total janë 42,144 lëndë të trashëguara për vepra penale, të pranuara 14,006, në proces të punës 56,150, të zgjidhura 14,122 dhe të pazgjidhura 42,028. Ndërsa nga civilja, lëndë të trashëguara janë 61,817, të pranuara 42,656, në proces të punës 104,473, të zgjidhura 14,238 dhe të pazgjidhura 90,235”, thotë ajo.
Ndërsa, Antigona Uka-Lutfiu, zyrtare për informim publik në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës thotë se në periudhën e pandemisë në ketë gjykatë ka qenë numri i njëjtë i lëndëve të pranuara sikurse nga vitet paraprake.
“…Trendi i pranimit të lendeve të reja në Gjykatë Supreme ka qenë pothuajse i njëjtë me vitet paraprake. Në Gjykatë Supreme ka pasur 171 lëndë të trashëguara nga viti 2019, të pranuara nga 1 janari deri më 30 nëntor 2020, janë 1,342 lëndë, në punë aktualisht kemi 1,513 lëndë, ndërkaq të kryera për këtë periudhe kohore janë 984 lëndë (rrjedhimisht të pakryera rezultojnë edhe 529 lende)”, tha Uka-Lutfiu gjatë një interviste për KosovaLive.
Sipas raportit, 2020 nga Gjykata Supreme, gjithsej kemi 2,738 aktgjykime të publikuara.
Uka-Lutfiu thekson se në ketë gjykatë nga viti i kaluar janë pranuar mbi 900 lëndë, janë kryer mbi 2 mijë dhe presin për t’u kryer edhe më shumë se 19 mijë lëndë të tjera.
“Në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme nga viti 2019 janë trashëguar 20,930 lëndë, janë pranuar 968 sosh, aktualisht në punë janë 21,900 lëndë. Për nëntë muaj janë kryer 2,768 lëndë ndërkaq rezultojnë te pakryera edhe 19.132 lëndë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, pandemia nuk ka shkaktuar grumbullim të lëndëve, situata është menaxhuar dhe janë tejkaluar problemet e vogla.
”…Në Gjykatën Supreme nuk ka pasur grumbullim lëndësh për shkak të gjendjes së krijuar. Vështirësitë si pasojë e gjendjes me pandemi, kanë qenë të vogla dhe janë menaxhuar mirë”, thekson Uka-Lutfiu.
Ndërsa, Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut – KMDLNJ thotë se sistemi gjyqësor i Kosovës gjatë mbylljes totale nga pandemia Covid-19, reduktoi punën brenda gjykatave dhe prokurorive të shtetit duke u fokusuar vetëm tek rastet urgjente.
“…Në fillim të pandemisë kur ishte edhe mbyllja totale, Prokuroria e Shtetit sikur edhe gjykatat në masë të madhe e kufizuan veprimtarinë duke trajtuar vetëm rastet e domosdoshme. Prokuroria e Shtetit dhe gjykatat zvogëluan masën e paraburgimit duke e zëvendësuar me masa më të lehta përjashtuar rastet kur paraburgimi ishte i domosdoshëm. Shumë procese gjyqësore u shtynë për më vonë për faktin se gjykatës, prokurorë apo të akuzuar u prekën nga COVID -19”, tha ai gjatë një interviste për KosovaLive.
Ai shton se me kalimin e kohës ka filluar dhe stabilizimi i gjendjes në sistemin gjyqësor duke u trajtuar vetëm rastet urgjente dhe se çdo ditë nga prokuroria kanë dalë 50 deri në 85 aktakuza.
Shala thekson se nga pandemia Covid-19 kanë qenë i rrezikuar edhe stafi i sistemit gjyqësor dhe se si shkak i këtij virusi kanë humbur jetën dy prokurorë.
“Pandemia COVID -19 ka shkaktuar shumë probleme në punë të prokurorisë së shtetit dhe gjykatave. Sigurisht se është rrezikuar drejtpërdrejtë shëndeti i prokurorëve, gjykatësve dhe stafit administrative përkundër faktit se janë bërë përpjekje për të siguruar masa mbrojtëse e që në fillim ka qenë vështirë të sigurohen. Kujtojmë se nga COVID -19, kryeprokurori i Prokurorisë i Gjakovë dhe ai i Gjilanit kanë humbur jetën, betejën me këtë virus kanë humbur edhe gjykatës dhe pjesë të stafit administrativ”, ka thënë Shala.
Zyrtarja për informim publik nga Gjykata Supreme thotë se Ambasada Amerikane stafin e punës e ka pajisur me pajisje ndaj mbrojtjes nga pandemia Covid-19.
“Fillimisht Gjykata Supreme është mbështetur nga Ambasada Amerikane me pajisje mbrojtëse, maska dhe doreza, me pastaj janë siguruar maskat mbrojtëse për staf (mbase jo te mjaftueshme), si dhe pajisjet tjera të nevojshme”, thotë Uka-Lutfiu.
Ajo thekson se aktualisht në gjykatë po punohet me staf të reduktuar, dhe se gjendja e përgjithshme po menaxhohet dhe lëndët po zgjidhen brenda periudhave 3 deri ne 6 muaj.
Behxhet Shala nga KMDLNj i konsideron vonesat e punës në sistemin gjyqësor si shkelje e të drejtave të njeriut.
“Zvarritja e proceseve gjyqësore, në rast kur nuk është e domosdoshme është shkelje e të drejtave të njeriut. Për këtë arsye KMDLNj ka reaguar publikisht shumë herë. Mirëpo, në Kosovë nuk është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, realisht është një gjendje e tillë. Ka shumë kufizime të lirisë së lëvizjes, pastaj për shkak të situatës dhe rrezikut të përhapjes së pandemisë në qendra të paraburgimit dhe qendrat korrektuese, sjellja e të akuzuarve para gjykatave është e kufizuar përjashtuar këtu rastet e rënda”, ka theksuar ai.
Shala rikujton se e drejta kryesore e njeriut është e drejta për jetë dhe në situatën aktuale, më me rëndësi është të mbrohet jeta e prokurorëve, gjykatësve, stafit administrativ dhe të akuzuarve se të mbahen gjykimet që nuk sigurojnë mbrojtje efektive shëndetësore.
Sipas tij, sistemi gjyqësor duhet të punojë me rastet më të rënda e më pas ato më të lehta në mënyrë të zgjidhen rastet e grumbulluara përgjatë pandemisë Covid-19.
“Rastet e grumbulluara duhet të zgjidhen me një dinamizëm të punës së prokurorisë së shtetit dhe gjykatave pasi situata të jetë normalizuar apo të krijohen kushte më të sigurta për punë. Rastet duhet të zgjidhen sipas prioritetit, natyrës dhe peshës së veprës duke e pasur gjithnjë parasysh rrezikshmërinë për shoqërinë, në radhë të parë. Ndërkaq, për rastet me rrezikshmëri të ulët, KMDLNj mendon se duhet të zbatohen masat alternative të dënimit si dënimi me kusht, dënimi me para apo punë e dobishme për komunitetin për një kohë të caktuar”, u shpreh Shala.
Ai thotë se edhe para pandemisë Covid-19, grumbullimi i lëndëve ka shkaktuar problem për gjykatat në Kosovë. Mënyra më efikase për zvogëlimin e rasteve të pazgjidhura, sipas tij, është zëvendësimi i dënimeve me masa alternative, në radhë të parë me para për ata që kanë mundësi materiale, pastaj me masa tjera si dënim me kusht apo punë e dobishme për komunitetin.
Ndërsa nga Kushtetuta e Kosovës për të drejtat dhe liritë themelore në nenin 25 tek e drejta për jetën, thuhet se çdo individ në territorin e Kosovës gëzon të drejtën për jetën dhe sipas ligjit dënimi me vdekje tek ne është i ndaluar.
Zyrtari për komunikim dhe qasje në dokumente publike nga institucioni i avokatit të popullit, Petrit Çollaku thotë se përgjatë periudhës 2020, Avokati i Popullit ka pranuar mbi 300 ankesa për sistemin gjyqësor.
“Nga 1 janari 2020 deri me 3 dhjetor 2020 te Avokati i Popullit janë parashtruar 343 ankesa me palë përgjegjëse gjykatat, nga të cilat 200 janë hapur për hetim, 140 janë shpallur të papranueshme, ndërsa 3 ankesa janë në pritje për shqyrtim. Ndërsa vetëm 55 ankesa me palë përgjegjëse prokuroritë, nga të cilat 36 janë hapur për hetim, kurse 19 janë shpallur të papranueshme”, tha ai për KosovaLive.
Sipas Çollakut, pandemia e ka rënduar sistemin gjyqësor duke e stopuar edhe punën me lëndë, por siç thekson ai, zvarritje të procedimit të lëndëve ka pasur edhe para përhapjes së pandemisë Covid-19.
“Zvarritja e procedimit të lëndëve nga gjykatat dhe prokuroritë ka qenë çështje edhe para pandemisë, supozojmë që pandemia e ka rënduar situatën akoma më shumë. Avokati i Popullit disa herë, nëpërmes raporteve me rekomandime, ka ngritur çështjen e zvarritjes se procedurave gjyqësore. E drejta në një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, në kuptimin e zgjidhjes së rasteve brenda një afati të arsyeshëm, është e drejtë që garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me institucionet ndërkombëtare që janë drejtpërdrejtë të zbatueshme në Republikën e Kosovës”, ka thënë Çollaku.
Ai, tutje tregon se numri i kufizuar i gjykatësve shihet si faktor kryesor të grumbullimit të rasteve neper sistemin gjyqësor të Kosovës.
“Pandemia ka mundur ta rëndojë situatën, por duke u bazuar në numrin e ankesave të cilat i pranon Avokati i popullit nga qytetarët, grumbullimi i lëndëve sidomos nëpër gjykatat dhe prokuroritë nëpër qendra të mëdha ka qenë i shprehur edhe më herët, faktorë që mund të ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të grumbulluara janë si numri i kufizuar i gjyqtarëve, koncentrimi i banorëve nëpër qendra të mëdha, dinamika e zhvillimit të çështjeve socio-ekonomike”, thekson ai.
Çollaku konsideron se për një zgjidhje të shpejtë të rasteve të grumbulluara fillimisht duhet të angazhohen bashkëpunëtorë profesional dhe staf mbështetës.
“Rritja e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe miratimi i një ligji i cili përcakton afate për zgjidhjen e rasteve, i cili njëherit përcakton edhe kompensimin për qytetarët të cilëve i është shkelur e drejta për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, do të ndikonte në zvogëlimin e numrit të lëndëve të grumbulluar ndër vite”, përfundon Çollaku.
Sipas hulumtimeve nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), sistemi gjyqësor i Republikës së Kosovës ende ka raste civile në të cilat padia është parashtruar në vitin 1997 dhe e njëjta padi ende nuk ka marrë përgjigje definitive. Tutje në këtë raport thuhet se, lëndët civile janë zvarritur me dekada, për arsye se sistemi gjyqësor nuk ka arritur për vite të tëra që të qartësojë situatën nëse një rast është apo jo “çështje e gjykuar”.
Shqipdona Gashi
Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.