Tualetet ishin të vjetra, të dëmtuara dhe kundërmonin. Lagështi dhe kushtet higjienike jo në nivel. Shtretërit e të miturve nuk kishin çarçafë, dyshekët ishin jocilësorë dhe batanijet ishin shumë të holla dhe të vjetruara. Qelitë ku qëndronin të miturit ishin të mëdha dhe kishin ndriçim të mjaftueshëm, por muret ishin të pagëlqerosura. Në disa qeli, dritaret ishin të dëmtuara dhe nuk mbylleshin si duhet, për çka edhe kishte ankesa nga të akomoduarit që gjatë natës është ftohtë.
Ky ishte përshkrimi i gjendjes në Qendrën Korrektuese të Lipjanit që e kishte bërë Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT) i Avokatit të Popullit.
Në një vizitë këtoditëshe kësaj qendreje, nuk ishte e mundur të vërtetohet nëse kjo gjendje në ndërkohë ka ndryshuar. Gazetarëve u mbetet që për informim rreth funksionimit të Qendrës Korrektuese të informohen vetëm nga drejtori.
Majlindë Lulaj, udhëheqëse e Zyres për Marrëdhënie me Publikun dhe Mediat në zyren e Avokatit të Popullit thotë se gjendja në këtë qendër ka ndryshuar. Ajo thotë se në vizitën e fundit kësaj qendreje – më 2 maj të këtij viti, higjiena në të gjitha objektet ku mbahen të miturit ishte në nivelin e kënaqshëm, mirëpo mekanizmat e dritareve ende ishin të dëmtuara.
Ajo thotë se gjatë vizitave të mëhershme në Qendrën Korrektuese në Lipjan, më 7 dhe 19 tetor 2016, kishin pranuar edhe ankesa nga të miturit lidhur me përdorimin e tepruar të forcës nga ana e disa zyrtarëve korrektues. Gjithashtu kishin vërejtur një atmosferë të tensionuar ndërmjet të miturve dhe zyrtarëve korrektues sikur edhe ndërmjet vetë të miturve. Por, sipas saj, drejtori i qendrës dhe inspektorati policor i kishin trajtuar rastet e identifikuara.
Sipas vlerësimit të MKPT-së, duhet të zbatohen më shumë programe profesionale psiko-sociale dhe trajtime grupore për të miturit.
Një varg shkeljesh të të drejtave në QKL kishte evidentuar edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF). Sipas zyrtarit ligjor të këtij koalicioni, Valdrin Dervishaj, ndër shkeljet e evidentuara ishin stërzgjatja e paraburgimit, praktika e shqiptimit të masave në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, përdorimi i dhunës si mjet disiplinimi nga stafi korrektues në QKL, mbajtja e të miturve me masë edukative në institucion të tipit të mbyllur (shkelje kjo e të drejtave themelore), mungesa e programeve individuale që cenon rehabilitimin dhe reintegrimin e të miturve.
Dervishaj shtoi se ka vështirësi të shumta në mbarëvajtjen e sistemit arsimor dhe mungesë totale e edukatorëve dhe e programeve edukative.
“Ky institucion nuk i përmbush parakushtet për arritjen e qëllimit për të cilin është krijuar, sidomos rehabilitimin dhe reintegrimin e të miturve me dënime dhe masa të tjera. Që të kemi një proces të suksesshëm të përgatitjes së të miturve për përiudhën paslirimit, duhet të merren masa serioze në përmirësimin e infrastrukturës të objekteve, rritja e stafit profesional, shtimin e programeve rehabilituese dhe reintegruese, fuqizimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shtimin e efikasitetit të sistemit të drejtësisë”, tha ai.
Në Qendrën Korrektuese të Lipjanit janë të sistemuar kategoritë e të miturve të dy gjinive: të miturit e dënuar me burg dhe të miturit e paraburgosur. Ata janë nga mosha 14 deri në moshën 23 vjeçare dhe janë të vendosur në objekte apo kate të veçanta, por në mungesë të hapësirave femrat e mitura janë së bashku me madhorët.
Sipas Kodit te Drejtësisë për të Mitur, ata mund të dënohen maksimumi deri në 10 vite për veprat penale: për vrasjet zakonisht dënohen me nëntë ose nëntë vite e gjashtë muaj burg; për vepra tjera mund të dënohen me katër ose pesë vite burg. Përveç dënimit me burg të miturve u shqiptohet edhe masa edukuese-korrektuese.
Në raportin e realizuar nga KOMF, pohohet se vizitat e gjyqtarëve nuk janë mbajtur çdo gjashtë muaj, siç e parasheh Kodi i Drejtësisë për të Mitur. Të miturit dhe stafi i qendrës janë shumë të pakënaqur me bashkëpunimin me gjykatat sa i përket vizitave të gjyqtarëve për të mitur, kurse sa i përket shërbimeve shëndetësore me psikologë, të miturit e intervistuar nga KOMF kanë rrëfyer se shërbimet shëndetësore dhe trajtimi nuk janë gjithmonë në nivelin e duhur. Zakonisht mjekët vonohen në ofrimin e shëbimit prej kohës kur i mituri e kërkon ndihmën mjekësore.
Heset Loku, drejtor i Qendrës Korrektuese të Lipjanit, edhe pse thotë se të miturit janë të socializuar me njëri tjetrin, pranon se problem paraqet fakti se janë vetëm dy punëtorë social dhe një psikolog, që nuk është mjaftueshëm.
“Në Qendrën Korrektuese të Lipjanit është i organizuar mësimi për të miturit për shkollimin e ultë dhe të mesëm. Procesi mësimor është i organizuar nga MASHT por në këtë drejtim ka disa probleme gjatë këtij viti në drejtim të dokumentacionit shkollor. Përveç arsimimit organizohen dhe mbahen edhe aftësime profesionale për të mitur si në elektroinstalim, hidroinstalim dhe muratim. Për këto profesione ka mjaft interesim dhe të miturit çertifikohen pas përfundimit me sukses të trajnimit. Gjithashtu organizohen edhe trajnime grupore si programi EQUIP”, tha Loku.
Alban Muriqi, projekt menaxher në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ndërkaq pohon se të miturit në këtë institucion nuk kanë kushte të duhura në pikëpamje të programeve dhe aktiviteteve edukuese, si dhe risocializuese.
“Shkollimi nuk është i cilësisë së duhur dhe nuk përkrahet mjaftueshëm nga Ministria e Arsimit apo nga Departamenti Komunal i Arsimit në Lipjan. Në vitin 2016 tre muaj ka pasur ndërprerje të procesit mësimor dhe prej dy vitesh të miturit nuk mund të pajisen me çerifikata për vijimin e mësimit. Ka mungesë të mësidhënësve, mungesë të teksteve etj”, tha Muriqi.
Ai shtoi se në Qendrën Korrektuese për të Mitur ekziston edhe biblioteka e cila ka një numër të mirë të titujve, por mungojnë titujt nga fusha sociale dhe edukative.
“Interesimi i të miturve per mësim mbetet i vogël. Institucioni nuk ka politika ose metoda që do të nxisnin të miturit të vijonin mësimin”, tha Muriqi.
Ai tregoi se të miturit pas lirimit përballen me vështirësi në adaptimin me ambientin dhe zhvillimin e jashtëm.
“Ata kryesisht vijnë nga ambiente familjare me probleme socio-ekonomike, papunësi, nivel të ulët të edukimit, shpesh me të kaluar të dhunshme, prindër të ndarë ose me raporte të acaruara. Me vetëm një psikologe, e cila nuk është e specializuar për punën me të mitur si dhe dy punëtorë social të cilët shërbejnë për të dënuarit – gra dhe të mitur (gjithsej rreth 85) nuk mund të bëhet punë e mirëfilltë”, thotë Muriqi.
Këtë në njëfarë mënyre e konfirmon edhe drejtori i Qendrës Korrektuese, Loku duke i përmendur rastet kur të miturit, edhe pas lirimit nga Qendra Korrektuese, vazhdojnë të kryejnë vepra penale dhe kthehen në QKL si recidivistë.
Besarta Breznica