Për dallim nga e kaluara kur familjet shqiptare në Kosovë ishin shumëanëtarëshe dhe tradicionalisht me një numër më të madh fëmijësh, të rinjtë e sotëm kryesisht duan të kenë dy fëmijë. Kështu kanë deklaruar shumica e të rinjve pjesëmarrës në një anketë jopretencioze me 150 të rinj kosovarë, të realizuar nga KosovaLive.
Më konkretisht, 36% e të anketuarve thonë se do të preferonin të kenë deri në dy fëmijë, 18% tre fëmijë dhe 10% deri në katër fëmijë.
Sipas Shkelzen Maliqit, studiues i zhvillimeve politike dhe sociologjike, numri i lindjeve në Kosovë prej kohës është në rënie si pasojë e proceseve që ndikojnë në atë që quhet tranzicion demografik.
“Dikur ka qenë normale që shumica e familjeve të lindin sa më shumë fëmijë, deri edhe 10 e më shumë, por ky trend sidomos në pjeset rurale ka ndryshuar dhe mesatarja e lindjeve bëhet gjithnjë e më e vogël sepse po ndryshon struktura dhe statusi i familjes kosovare”, tha Maliqi.
Që nataliteti në Kosovë ka shënuar rënie përgjatë viteve të fundit, e dëshmojnë edhe statistikat.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i lindjeve gjatë vitit 2016 ishte 23,416, kurse gjatë vitit 2017 numri i lindjeve ishte 23,402, do të thotë 14 lindje më pak.
Në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike (KOGJ) në Prishtinë, në pesë vitet e fundit rënia e numrit të lindjeve nuk është shumë e madhe, me një diferencë për 100 deri 150 lindje nga viti në vit.
Jakup Ismajli, drejtori i KOGJ, në një prononcim për KosovaLive, thotë se më 2018 në këtë klinikë pati gjithsej 9,985 lindje, ndërsa në tremujorin e parë të vitit 2019, numri i lindjeve ishte 2,223 lindje.
Po të vazhdojë ky trend, fundi i vitit mund të përmbyllet me rreth 1,000 lindje më pak.
Sipas tij, rënia e lindjeve nuk po ndodhë vetëm në Kosovë, por është trend global dhe që ka edhe efektetet e veta.
“Kemi shumë faktorë qe ndikojnë në rënien e natalitetit në Kosovë. Prej faktorëve më të qëndrueshëm mendoj që është faktori social-ekonomik (papunësia, të ardhurat e vogla për familje), pastaj arsyet personale si arsimimi, punësimi dhe zhvillimi i karrierës personale, duke shtyer krijimin e famijes në planin e dytë. Një faktor shumë i rëndësishëm është edhe mungesa e politikave shëndetësore për zhvillimin e popullsisë (në formë të programeve që ndihmojnë financiarisht familjen për rritjen e fëmijëve)”, ka thënë Ismajli.
Linda Gusia, sociologe, duke u bazuar nga raportet e fundit, thotë se shkaqet për rënien e dukshme të natalitetit në Kosovë janë të ndryshme, por prin faktori ekonomik.
“… E para, janë kushtet ekonomike, e dyta, qasja në kontracepcion është më e madhe se që ka qenë vitet e kaluara në Kosovë, domethënë planifikimi familjar ndodhë edhe për shkak të kushteve ekonomike, për shkak të qasjes në punë, etj. Tjetra, është shtyrë edhe numri i moshës së martesës”, thotë Gusia.
Për Shkelzen Maliqin, politikat e një shteti po ashtu janë ndër faktorët kryesorë të natalitetit në një shtet.
“Pos faktorëve ekonomik në uljen e lindjeve ka ndikuar edhe ndryshimi i karakterit dhe intensitetit të migrimeve, sepse dikur migronin kryesisht meshkujt pa familje e tani shpërngulen familjet e tëra edhe ato të posamartuara, kështu që edhe për lindjet vendosin që t’i bëjnë atje ku punojnë për shkak të kushteve më të mira dhe benefiteve sociale që i kanë fëmijët. Po kështu edhe kriza politike dhe lufta e ’90-tave ka qenë faktor që ka ndikuar në migrim dhe uljen e lindjeve në Kosovë”, thotë ai.
Kushtet ekonomike si faktor të rënies së natalitetit po i konsiderojnë edhe të rinjtë e sotëm. Duke iu referuar anketës së KosovaLive, 75% e respodentëve konsiderojnë që kushtet ekonomike janë faktori kryesor që të rinjtë nuk dëshirojnë fëmijë, kurse 45% e tyre se shteti i Kosovës nuk ofron politika për planifikim familjar, ndërkohë që 32% janë të mendimit se fëmijët janë pengesë për për karrierë.
Hivzi Islami, në librin “Studime demografike – 100 vjet të zhvillimit demografik të Kosovës” shkruan se në shoqërinë tradicionale shqiptare, çështje kryesore ishte ekzistenca, pra si do të mbijetonin njerëzit dhe si do mbetej në jetë një numër i caktuar i fëmijëve të lindur.
Pasja e më shumë fëmijëve, sipas tij, konsiderohej se e lehtësonte jetën, sepse përveç të tjerash, çdo anëtar i familjes vlente edhe si fuqi punëtore.
“Te çiftet bashkëshortore domosdoshmërisht u krijuan normat dhe qëndrimet se për ta ruajtur një numër të caktuar të fëmijëve në jetë, mundësia e parë ishte të lindnin sa më shumë fëmijë. Nga numri i fëmijëve që do të mbesnin në jetë dhe do të hynin në periudhën e punës do të varej funksionimi i ekonomisë së tipit natyral, ngase si fuqi ekstensive punëtore do të angazhoheshin herët në punët përkatëse, sikurse në fushë, rreth bagëtisë etj., në një anë, dhe do t’i siguronin familjes perspektivën dhe kontinuitetin social, në anën tjetër”, thuhet në këtë libër studimor.
Edhe Gusia arsye për rënien e natalitetit në ditët e sotme sheh mungesën( e një mirëqenieje sociale, që do të duhej t’ua ofronte shteti të rinjve.
“Për të mbijetuar një familje, duhet të punojnë të dy partnerët. Qasja në kopshte, në universitete është falas, por kualiteti i këtyre institucioneve nganjëherë është në pikëpyetje. Pra, sot njerëzit e dinë që nëse bëjnë fëmijë, duhet të kujdesen shumë më shumë për ta, për t’iu ofruar kushte më të mira, shkollim më të mirë, pra duhen më shumë shpenzime, më shumë kujdes, dhe është normale nëse mendojnë kështu”, shprehet ajo.
Ligji për Sigurimin Shëndetësor që rregullon funksionimin dhe financimin e sistemit publik shëndetësor në Kosovë, përcakton edhe shërbimet e garantuara shëndetësore edhe për gratë shtatëzëna dhe lehonat.
Ndërkaq, në Ligjin e Punës, në Kosovës, është një nen i veçantë kushtuar mbrojtjes së grave të punësuara dhe grave shtatzane.
“Femra e punësuar gjatë kohës së shtatzënisë, nëna me fëmijë nën moshën tri (3) vjeç, nuk mund të obligohet të punojë më gjatë se orari i rregullt i punës, dhe punë gjatë natës”, pëshkruan ky ligj,
Kur është fjala për pushimin e lehonisë, ligjet dallojnë kur bëhet fjalë për të drejtat e grave dhe burrave.
Gratë mund të gëzojnë pushim të lehonisë deri në 12 muaj, me pagese në gjashtë muajt e parë nga punëdhënësi me kompensim 70% të pagës bazë. Kurse për tre muajt në vijim, pushimi i lehonisë paguhet nga Qeveria e Kosovës me kompensim 50% të pagës mesatare në Kosovë.
Pas nëntë muajsh pushim, gruaja mund ta zgjasë pushimin edhe për tre muaj, por pa pagesë.
Ndërkaq, burri (në këtë rast babai) mund të shfrytëzojë vetëm dy ditë pushim me pagesë në rast të lindjes së gruas, apo adoptimit të fëmijës. Ai mund të marrë edhe dy javë pushim, por pa pagesë.
BESARTA BREZNICA me Drenusha Morina, Arnesa Tahiri dhe Errona Binxhija