Aktualisht në Prishtinë janë katër parqe të mëdha por sipas njohësve të ekonomisë dhe të kulturës parqet e kryeqytetit po cilësohen si të varfëra për nga infrastruktura teksa institucionet shtetërore tregojnë se momentalisht ato janë në gjendje të mirë dhe sipas tyre, vazhdimisht po punohet në to.
Parku i Gërmisë, shtrihet në verilindje të kryeqendrës së Kosovës (Prishtinës) dhe përfshin një sipërfaqe prej 62 km2. Ndërsa pika më e lartë e Gërmisë është maja e Butovcit me lartësi mbidetare prej 1050 m. sipas Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës. Sipas Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Parku i Gërmisë është evidentuar në listën ndërkombëtare të zonave të mbrojtura.
Dafina Vitia, banore e Prishtinës konsideron se parkut të Gërmisë i mungon infrastruktura e duhur, duke shtuar se gjatë frekuentimit të shpeshtë të parkut, ka hasur edhe në njerëz keqbërës të natyrës të cilët e kanë shkatërruar atë.
“Në parkun e Gërmisë dal shumë shpesh sepse e kam edhe afër shtëpisë. Infrastruktura e Gërmisë mundet me qenë më mirë, njerëzit munden me mbajt më mirë sepse nuk varet vetëm prej komunës dhe prej shtetit nëse ne nuk kemi vetëdije m’u kujdes ndaj natyrës. Shumë herë janë dëmtuar lodrat për fëmijë, karriget, këto janë krejt nga njerëzit”, thotë ajo në një prononcim për KosovaLive.
Ndër të tjerash, ajo përmend edhe qentë endacak si një ndër problemet kyç për jetën e njerëzve në parqet e Prishtinës, por se kjo nuk po merret seriozisht,.
Sipas Ylber Vokshit, arkitekt dhe ekspert në fushën e trashëgimisë monumentale parqet në kryeqytet nuk janë të mjaftueshme dhe se kryeqyteti dhe qytetet e tjera të Kosovës kanë nevojë për me shumë gjelbërim.
“…Numri i parqeve dhe hapësirave në qytetin e Prishtinës as përafërsisht nuk i plotëson kushtet dhe standardet e duhura. Duhet theksuar se në vendet me standard të larte jetësor parashihen deri në 25m2 hapësirë e gjelbëruar për koke banori, çka as përafërsisht nuk e kemi në Prishtinë dhe qytetet tjera në Kosovë. Fati i madh për Prishtinën është Parku i Gërmisë i cili në një formë e kompenson mungesën e parqeve në brendi të qytetit”, tha ai për KosovaLive.
Vokshi thekson se gjendja e parqeve në kryeqytet në kohë paslufte ka qenë e mjerueshme, ndonëse aktualisht janë më mirë por jo ne nivel te dëshirueshëm.
Ai, ndër të tjerash thekson se me zgjerimin e kryeqytetit në planin urbanistik, ndihet nevoja edhe e krijimit të paraqeve të reja, renovimi i atyre ekzistues dhe mirëmbajtja e tyre.
“Renovimi kohë pas kohe dhe begatimi i atyre hapësirave me elemente bashkëkohore është i domosdoshëm. Po ashtu, edhe ndërtimi i atyre është i nevojshëm për të arritur standarde më të larta të pushimit dhe rekreacion sidomos në lagjet e reja të Prishtinës, çka deri më tani nuk ka ndodhur në zonat e reja të zgjerimit marramendës të qytetit. Duke nisur nga niveli i ulët i sjelljeve tona mirëmbajtja vijuese është një domosdoshmëri e paevitueshme”, theksoi ai.
Ai konsideron se institucionet relevante duhet të kenë buxhet të ndarë për rregullimin, renovimin dhe mirëmbajtjen e parqeve ekzistuese në kryeqytet duke shtuar se zgjerimi i paraqeve ekzistuese dhe ndërtimi parqeve të reja është më se i nevojshëm.
“Në kryeqytet përveç parkut qendror që ekziston dhe mirëmbahet mirë është nevoja të kemi edhe parqe tjera me përmbajtje specifike, si Parku Botanik, Parku Zoologjik, parqe të ndryshme me lojëra rekreative për fëmijë, të rijnë edhe të moshuar. Nuk është në pyetje a ka kapacitet buxhetor, parqet janë domosdoshmëri për qytetin dhe ndarja e mjeteve buxhetore duhet parashikuar pasi zgjerimi i qytetit kërkon një qasje të tillë”, përfundoi Vokshi.
Rrahim Zullfi 67 vjeçar, pensionist nga Prishtina, thotë se parkut tjetër të qytetit – “Dodona” i mungon infrastruktura dhe si e tillë institucionet relevante duhet të punojnë në ketë drejtim.
“Parku i qytetit si vend është shumë i mirë por mungojnë ekspertët për ndërtim, mungon buxheti prej komunës dhe vetëdijesimi i njerëzve për mos me shkatërruar këtë bukuri natyrore. Komuna duhet me rregullu këtë park dhe të gjitha parqet e tjera në Prishtinë”, u shpreh ai për KosovaLive.
Edhe banori tjetër nga Prishtina, Valdet Sejdiu, 52 vjeçar shprehet se parqeve të kryeqytetit i mungon infrastruktura gjithashtu dhe kultura njerëzore.
“Vikendeve dal në parkun e qytetit dhe të gërmisë, investimet me beton janë të tepërta në Gërmi dhe të tjera parqe të Prishtinës, më tepër duam gjelbërim sepse janë të nevojshme për ne, po ashtu edhe sjellja e njerëzve nuk është në nivelin e duhur, parku duhet të mirëmbahet nga komuna, kompanitë e pastrimit si dhe nga njerëzit në mënyrë që të mos shkatërrohet”, ka thënë Sejdiu.
Në një raport të vetin për vitin 2019, Agjencia e Statistikave të Kosovës bëri me dije se sasia e mbeturinave industriale të gjeneruara në Kosovë kishte kapur shifrën mbi 2 milionë tonë, sasia e mbeturina të ricikluara ishte 9,223 tonë, e mbeturinave të djegura 299 tonë dhe sasia e mbeturinave të përpunuara ishte 2,096,098 ton.
Fatime Hajdari, drejtoreshë e Drejtorisë së Parqeve në komunë të Prishtinës thotë se, përveç mirëmbajtjes së parqeve ekzistuese në kryeqytet, komuna po planifikon edhe zgjerimin e tyre, me theks të veçantë kanë hapësirat gjelbëruese.
“Drejtoria e Parqeve në Komunën e Prishtinës fokus të punës së saj ka zgjerimin e hapësirave të gjelbërta në kryeqytet dhe mirëmbajtjen e atyre ekzistuese. Rrjedhimisht vazhdon kujdesi dhe mirëmbajtja konstante e parqeve, duke plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme që vizitorët të kenë mundësi rekreacioni në këto parqe”, u shpreh Hajdari në një intervistë për KosovaLive.
Hajdari thotë se disa organizata joqeveritare dhe kompani kanë mbështetur komunën në projektet e saja për parqe duke shprehur gatishmëri për të kontribuar në hapësirat e gjelbërta në kryeqytet.
“Organizata të ndryshme dhe kompani shpesh shprehin interesimin e tyre për bashkëpunim me Komunën e Prishtinës me qëllim të zgjerimit të hapësirave të gjelbëra, kryesisht me dhurimin e drunjëve. Një gjë e tillë aktualisht edhe po ndodhë përmes kampanjës ‘Bëhu mik i Prishtinës’, ku kompani dhe qytetarë të shumtë po dhurojnë drunj të rinj për mbjellje në lokacionet të cilat ata vetë po kërkojnë apo lokacione të caktuara nga Drejtoria e Parqeve”, tha ajo.
Sipas Hajdarit, vetëdijësimi i qytetarëve është në nivel të duhur, por përmend edhe rastet ku keqbërësit kanë shkatërruar parqet në kryeqytet.
“…Vetëdijësimi i qytetarëve për rëndësinë e mjedisit të gjelbër çdo herë është në rritje e sipër, duke treguar kujdes për parqet dhe hapësirat tjera të gjelbëra në kryeqytet. Mirëpo, fatkeqësisht ende ka raste kur dëmtohen hapësirat e gjelbëra me apo pa qëllim”, thekson Hajdari.
Ndryshe, Hamdi Berisha 80 vjeçar nga Prishtina teksa shëtiste në parkun e Taukbahçes konsideron se parqet në kryeqytet nuk janë në në nivel të duhur dhe se Prishtinës i duhen investime të reja dhe renovime tek parqet ekzistuese.
“…Parqet në Prishtinë nuk janë aspak në gjendje të mirë, Prishtinës i ka hije që të ketë më së shumti parqe por edhe ato parqe që i kemi nuk janë të rregulluara mirë, institucionet shtetërore duhet t’i rregullojnë parqet e vjetra dhe të krijojnë sa më shumë të reja”, tha ai për KosovaLive.
Sipas këtij prishtinasi, kontejnerët afro 20 vjeçar duhet të ndërrohen më të rijn, kultura njerëzore të jetë më e dukshme dhe projektet e institucioneve shtetërore të mos mungojnë për parqet e kryeqytetit.
“Më e rëndësishmja është se kontejnerët e parqeve janë diku që 20 vite dhe deri tani është dashtë me qenë me të rinj, Komuna dhe Qeveria duhet të hartojnë më shumë projekte për rregullimin e parqeve”, shprehet Berisha.
Drejtoresha e Parqeve në komunën e Prishtinës, Fatime Hajdari, thotë se buxheti prej 2 milionë eurove është i ndarë edhe për mirëmbajtje, renovim dhe krijime të reja të parqeve në vend.
“Duke qenë se numri i vizitorëve është çdo herë në rritje, parqet e qytetit kanë nevojë të vazhdueshme për mirëmbajtje, ashtu siç ekziston nevoja për ndërtimin e parqeve të reja. Drejtoria e Parqeve për vitin e ardhshëm ka buxhet mbi 2 milionë euro. Në këtë shumë të përgjithshme të buxhetit të drejtorisë hynë edhe mirëmbajtja e parqeve ekzistuese si dhe renovimet ku ka nevojë”, ka thënë ajo.
Sipas njohësit të ekonomisë, Mustafë Kadriaj, kryeqyteti si në të kaluarën por edhe aktualisht ka mungesë të parqeve.
“…Prishtina për fat jo të mirë është trashëguar nga e kaluara për mungesën e hapësirave të gjelbëra. Pra, Prishtina është më se e varfër me parqe me përjashtim të lagjeve të vjetra brenda qytetit kanë disa hapësira por jo të mjaftueshme ndërsa urbanizmi mbas lufte është dështim total ku kemi ngulfatje të hapësirave publike nëpër lagje por edhe hapësirat në mes të objekteve të banimit”, tha ai për KosovaLive.
Kadriaj për këtë e fajëson direkt politikën.
“Meqë jetojmë në sistemin demokratik ku qeverisja bëhet përmes partive politike si në nivel qendror dhe lokal, vlerësoi që dështimi po fillon pikërisht tek zgjedhjet për faktin që fuqia lobuese e bizneseve të ndërtimit është jashtëzakonisht e madhe duke devijuar urbanizmin dhe kryeqytetin për faktin që suportimi financiar gjatë fushatës e sjell para aktit të kryer që bizneset për interesa të veta ekonomike influencojnë administratën shtatore si në nivel lokal dhe qendror”, thotë Kadriaj.
Sipas tij buxheti ekzistues i Komunës së Prishtinës është i mjaftueshëm për rregullimin e infrastrukturës së parqeve në kryeqytet.
“Buxheti i komunës mbulon projektet për rregullimin e parqeve në Prishtinë. Se sa ka ndikim ekonomik pasurimi i kryeqytetit me parqe është më se evidente për faktin që njëri ndër faktorët që një investitor i huaji të investojë jashtë vendit, përveç përfitimit ekonomik njëherit është niveli cilësor i jetesës, rrjedhimisht imazhi i Kosovës si shtet në raport ndërkombëtar”, theksoi ai.
Shqipdona Gashi
Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.