Build Skills with our trainings

Sign up now!

Të rinjtë të etshëm për hapësira inovative

Jan 28, 2021

Kodra e Trimave, lagjja me më së shumti sipërfaqe territoriale dhe më së shumti popullsi në kryeqendrën e Kosovës, qysh nga e kaluara njihet si një lagje të rinjtë e së cilës janë parë  dhe vazhdojnë të shihen si më problematikët .

Ndryshe nga qendra e Prishtinës, ku gjenden disa hapësira inovative për të rinjtë, kjo lagje nuk ka ndonjë hapësirë inovative ku të rinjtë mund të kalojnë kohë, të mësojnë gjëra të reja, të  zhvillojnë  aftësitë kreative apo gjenerim të ideve, të socializohen dhe të marrin pjesë në aktivitete dhe trajnime të  ndryshme të cilat do t’i kontribuonin zhvillimit të tyre profesional dhe personal.

Një qendër inovacioni është një plan ndërfunksional që krijon një strehë të sigurt, për ide të reja me mundësi për bashkëpunim individual apo në grup, pra një vend ose hapësirë që nxit një kulturë të inovacionit përmes krijimit të ndarjes dhe testimit të idesë.

Të rinjtë e intervistuar nga Kodra e Trimave, e shohin si shumë të nevojshme një qendër të tillë. 

Enis Pllana thotë se ai me bashkëmoshatarët e tij, presin vazhdimisht për një projekt të tillë dhe hapja e një qendre inovative në këtë pjesë do i gëzonte shumë.

“Ndërtimi i një qendre të tillë do të kishte shumë beneficione për lagjen pasi do të përfitonin të gjithë. Gjithashtu do të shmangeshin edhe shumë probleme tjera me të cilat ballafaqohen qytetarët e kësaj lagjeje”.

Ai mendon se Kodra e Trimave, krahasuar me lagjet tjera të kryeqytetit, është një nga lagjet e cila më së shumti është lënë anash nga institucionet vendore, ku ka pasur vazhdimisht mungesë investimesh e po ashtu vazhdon të mungojë infrastruktura.  

Sipas tij, një nga arsyet që fëmijët dhe të rinjtë e lagjes janë më problematikë lidhet me mungesën e qendrave të tilla, andaj krijimi i një qendre të tillë do ishte në të mirë të komunitetit.

Edhe Agon Rexhepi, i riu nga Kodra e Trimave e sheh si të nevojshme një qendër të tillë në lagjen e tij, pasi siç thotë, të rinjtë do të kishin mundësinë që të angazhohen në të mirë të komunitetit të tyre por edhe të tregojnë talentet e tyre.

“Patjetër që do të merrja pjesë në aktivitetet e një qendre të tillë, dhe besoj që qendra do të kishte mjaft ndikim pozitiv te të rinjtë e Vranjevcit”, thotë Rexhepi. 

Një qendër kulturore dhe bibliotekë është në ndërtim e sipër në Kodrën e Trimave, faza e dytë e së cilës është planifikuar të vazhdojë në vitin 2021, sipas miratimit të buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2021.

Interesimi i madh për qendrat inovative

Një qendër e tillë,  më e afërt në distancë me Kodrën e Trimave është Qendra Inovative e Kosovës (ICK), ku ka ka një numër të madh të të rinjëve nga Kodra e Trimave që ndjekin aktivitetet e tyre.

Aida Bilalli, 22 vjeçare nga Podujeva, ka marrë pjesë në trajnimet e ICK-së, ku ka ndjekur trajnimin për Web Design, nga i cili ka përfituar njohuritë bazike për DOM (Document Object Model) – HTML, CSS dhe JavaScript. Për shkak të performancës së mirë, pas këtij trajnimi, Aida ka përfituar praktikë tre mujore në një nga kompanitë në Kosovë. Trajnimet dhe programet e tilla që kanë të bëjnë me inovacionin, sipas saj janë shumë të rëndësishme dhe se pasi jetojmë në kohën e teknologjisë dhe avancimin e hovshëm të saj, të rinjtë duhet t’i shfrytëzojnë mundësitë aktuale për mësime dhe trajnime për të qenë krah më këto zhvillime të hovshme.

“Trajnimet e tilla janë tepër të nevojshme dhe shumë të dobishme. E ardhmja është në duart e atyre që janë në rrjedhat e teknologjisë kompjuterike”, thotë Billali .

Pjesëmarrëse në trajnimet e ICK-së, ajo mendon se trajnimet e tilla jo vetëm që të mundësojnë të bësh hapa të mëdhenj drejt një karriere, por edhe “networking” që mund ta krijosh në një qendër si ICK është më se i rëndësishëm dhe i dobishëm për çdo të ri që është në fillim të karrierës.

“Termokiss” është një qendër sociale, një qendër me aktivitete dhe organizime edukative të ndryshme që për qëllim kanë krijimin e mundësive të reja për të rinjtë e Prishtinës, ku  mes tjerash promovojnë edhe edukimin jo-formal, kulturën, artin, sportin.

Linda Mustafa, administratore e kësaj qendre tregon se aktivitetet që i ndërmarrin, gjithmonë bazohen në nevojat e të rinjëve të Kosovës, duke iu dhënë edhe përgjegjësi në krijimin e aktiviteteve. Ajo i sheh si të mëdha përfitimet që kanë të rinjtë nga qendrat inovative.

“Rinia ka shumë përfitime nga hapësirat inovative, si edukative dhe socializim rreth tyre, ndërsa sa i përket Termokiss-it, rinia mund të përfitojë shkathtësi të reja, dituri, shoqëri e ndoshta edhe një shëndet më të mirë mendor”, thotë Mustafa.

Ajo mendon se çdo lagje ka nevojë për një qendër të tillë, përfshirë Vranjevcin (Kodrën e Trimave), pasi që për të ardhur deri në qendrën e tyre mund të jetë më vështirë për të rinjtë e kësaj lagjeje për shkak të vendndodhjes (në Dardani afër lagjes Emshir), edhe pse thotë se qendra e tyre frekuentohet prej të  rinjëve nga lagje të ndryshme edhe nga fshatra të ndryshme.

Edhe Organizata Kosovare për Arsim dhe Talent (TOKA), që nga viti 2015 merret me zhvillimin e shkathtësive të të rinjve në Kosovë. Stafi i organizatës thotë se që nga viti 2015 e deri tani kanë pasur më shumë se 15 mijë pjesëmarrës në programet e tyre dhe më shumë se 20 mijë orë punë vullnetare, me një qëllim, që ta bëjnë Kosovën një vend më të mirë.

Në organizatën TOKA thonë se hapësirat inovative janë shumë të nevojshme dhe elementare për realizimin e projekteve dhe angazhimin e të rinjve. Ata thonë se me bashkëpunimet që kanë me donatorët e tyre, aftësohen dhe krijohen edhe aftësitë e buta tek të rinjtë e Kosovës, si komunikimi, lidershipi dhe bashkëpunimi.  

Pandemia e ka problematizuar buxhetin

Plani i hartuar nga Ministria e Ndërmarrësisë dhe Inovacionit për periudhën 2017-2021 synon përforcimin e aktiviteteve inovative, duke ndihmuar fusha të ndryshme si në atë të ekonomisë, kulturës, artit etj. Po ashtu, në planin e hartuar thuhet se Qeveria do të përkrahë produktet e reja, metodat e reja të prodhimit, furnizimit, shtrirjen nëpër tregjet e reja dhe metoda të reja për organizim të biznesit dhe do të organizojnë në mënyrë të rregullt  “Javën e Inovacionit”, ku kompani të ndryshme inovative vendore dhe ndërkombetare do të  shkëmbenin përvojat e tyre.

Inovacioni do të ndahet sipas planit të hartuar në sektorin e energjisë që do ketë për qëllim uljen e konsumimit të energjisë me anë të disa masave që ndërmerren, pastaj tek sektori i bujqësisë ku do të aplikoheshin disa sisteme më të avancuara për rritje të produktivitetit e pastaj i njëjti edhe te sektori i shëndetësisë  që të ofrojë sa më shumë shërbime efikase për qytetarët.

Që nga viti 2008 kur është shpalluar pavarësia, asnjë mandat i qeverive nuk ka zgjatur deri në fund për shkak të mospajtimeve mes partnerëve të koalicionit. 

Sa herë që ndryshojnë qeveritë, ndryshon edhe numri i ministrive, sipas nevojave të partnerëve të koalicionit, e në zgjedhjet e fundit Ministria e Inovacionit është shkrirë në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit.

Ergin Bunjaku, zv/ministri në MEA, në një intervistë për KosovaLive, tha se është planifikuar edhe buxheti për inovacionin, gjegjësisht nga kategoria e investimeve kapitale, ku më pas është dërguar për miratim në qeveri nga departamenti i inovacionit, e pastaj të realizohen planet/projektet e planifikuara. 

Drejtoresha për inovacion në kuadër të kësaj ministrie, Laura Zherka spjegon më gjerësisht për planet e ministrisë për hapësirat inovative dhe përkrahjen e ideve dhe projekteve inovative nga të rinjtë, projekte të bizneseve ekzistuese apo edhe atyre fillestare (StartUp).

Rreth planit afatmesëm për krijimin e hapësirave inovative, për të rinjtë Zherka thotë se janë  në fazën e planifikimit të buxhetit, dhe presin të miratohen ato projekte të cilat i ka propozuar kjo ministri.

“Ka nga ato projekte të cilat do vazhdojnë, si përkrahja direkte e financimit të shkollave të mesme me pajisje të IT-së, të teknologjisë nga ato komuna që bëjnë kërkesë tek ministria jonë, duke i ditur nevojat e tyre”, tha Zherka.

Ajo thotë se qendra e inovacionit në kuadër të Universitetit të Prishtinës është pothuajse e gatshme, duke shtuar se këtë projekt e kanë përkrahur në disa faza si në projektin ekzekutues, ku hyjnë ato se çka nevojiten në furnizim me pajisje teknologjike dhe të laboratoreve pastaj është faza e renovimit në disa hapësira të cilat i quan “bukur të shkatërruara” por që ende nuk janë finalizuar si pasojë e asaj që mjetet janë marrë për rimëkëmbje ekonomike dhe se pritet të finalizohet objekti. 

Drejtoresha për Inovacion në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, Laura Zherka, tha se komuna e Prishtinës nuk ka bërë ndonjë kërkesë rreth ndërtimit të një qendre të kulturës dhe bibliotekë në Kodrën e Trimave, por sipas saj kjo lagje ka nevojë për një qendër të tillë, ku të rinjtë do të  mblidheshin në një  hapësirë të përbashkët dhe do zhvillonin dhe hulumtonin idetë e tyre dhe do të zhvillonin projekte  përmes trajnimeve dhe ekspertizës. 

Bizneset fillestare, pa një strategji të mirë dhe pa përkrahje shpesh edhe dështojnë. Ministria ka përkrahur rreth 70 biznese fillestare të cilat e kanë regjistruar biznesin e tyre. Projekti ka pasur shifrën e rreth 10,000 euro për financimin e ideve inovative, për të zhvilluar dicka të re dhe që do të ishte ishte konkurrente për treg.

Zherka thotë se për shkak të situatës me pandeminë, këtë vit gjendja sa i përket buxhetit ishte më  problematike se vitet tjera por ndër projektet që do të financohen në vitet në vijim janë furnizimi i shkollave të  mesme me pajisje teknologjike apo laboratorike. 

Kapacitetet e limituara ia pamundësojnë Ministrisë që të dalë në terren dhe të zhvillojë anketa të ndryshme me qytetarët në mënyrë që të mësojnë nevojat e qytetarëve, të  rinjve.

Një institucion shtetëror që ofron aftësime profesionale për të rinj është edhe Agjencia  e Punësimit të Republikës së Kosovës, e cila ndër të tjera zbaton politikat për aftësim profesional të papunëve dhe në riaftësimin e tyre për t’i përgatitur për tregun e punës, monitoron zbatimin e ligjeve nga Qendrat për Aftësim Profesional për ofrim të trajnimeve, vlerësimit dhe çertifikimin e njohurive apo aftësive të fituara përmes trajnimeve dhe mbështet kërkesat për organizim të trajnimeve që kërkohen në tregun e punës, ndjek zhvillimet e ofruesve jo-formal të trajnimeve si publik dhe privat.

Komuna e Mitrovicës me Kornizën Afatmesme Buxhetore 2021-2023, si objektiv të saj ka paraparë përkrahjen e rinisë dhe uljen e papunësisë si dhe ngritjen e nivelit të arsimit në këtë komunë.

Lorenc Marleku nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në komunën e Klinës, ka thënë se kjo komunë me Hartën Zonale që është miratuar për vitin 2020 kanë paraparë që të ndërmarrin diçka rreth hapësirave inovative, pa specifikuar se çfarë konkretisht.

“Komuna nuk ka pasur mundësi të ndaj buxhet për këtë vit, për shkak të buxhetit të limituar, por duke e parë rëndësinë e këtij destinimi dhe orientimi për zhvillim të komunës, parashihet që për vitet e ardhshme të ndahet buxhet për këtë aspekt për komunën e Klinës”, thotë  Marleku

E drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Pejës, Xhenet Syka Kelmendi thotë se kjo komunë ka hapësira inovative dhe përmend Qendrën Rinore “Peja”, e cila ngërthen rreth 20 aktivitete të të rinjve përfshirë edhe trajnme profesionale, dhe zhvillimin e projekteve të shumta vendore dhe ndërkombëtare, si dhe Qendrën Kulturore të Pejës në kompleksin e shkollës fillore “Dardania” e cila shërben për nevoja të ndryshme të inovacionit, ku përmes një bashkëpunimi me një organizatë kanë siguruar një hapësirë për kurse teknologjie, fotografie dhe dizajni.

Përpos qendrës, kjo komunë, nuk ka lënë  anash as vendet rurale, një hapësirë tjetër inovative dhe kulturore gjindet në fshatin Novosellë, në Baran dhe në Vitomiricë, hapësira këto në të cilat zhvillohen projekte nga ato komunitete, të cilat projekte mbështeten nga Brigada Shumëkombëshe e Perëndimit, të KFOR-it italian.

Banka Botërore, përmes një hulmumtimi të saj në  Kosovë, i sugjeron institucioneve drejtuese relevante se duke ofruar tani kushte më të mira në shëndetin dhe arsimimin e fëmijëve mund të  rrisin edhe të ardhurat e njerëzve dhe të vendeve, duke kontribuar në  një  të  ardhme më  të  mirë. Përpos kësaj ka edhe faktorë  tjetër kryesorë si njohuritë apo aftësitë  që  njeriu i merr apo fiton gjatë jetës duke rritur qëndrueshmërinë e ekonomisë dhe uljen e varfërisë. 

Sipas hulumtimit të lartëpërmendur, fëmijët në  Kosovë përfundojnë 12.8 vite shkollë, ku përfshihet fillorja dhe e mesmja. pra deri në moshën 18 vjece, por nëse flitet për cilësinë  e mësimit, kjo është ekuivalente vetëm me 7 vite, pra ekziston një hendek i mësimit për 5.1 vite. Për të  gjeneruar një  rritje më  të  shpejtë dhe gjithëpërfshirëse, sistemi i arsimit në  Kosovë  duhet të  ofrojë  mundësi më të mëdha, për të marrë aftësitë e kërkuara nga ata punëdhënës. 

Kosova është shteti më i ri në rajon, por jo vetëm sepse është shpallur shteti së voni, por edhe sepse e ka popullsinë më të re në Ballkan, ku gjysma e popullsisë i takon moshën nën 25 vjeçare. Kjo për organet udhëheqëse është edhe mundësi por edhe sfidë. Të rinjve në Kosovë u mungojnë edhe mundësitë e ndryshme, aftësitë  për vendimmarrje, formimin e politikave apo pjesëmarrje të  plotë  në  fuqinë  punëtore, pra kjo rini është e papërgatitur në  aftësim të  pjesëmarrjes qytetare, që  rezulton e dobët për punësimin në  të  ardhmen.

Edhe UNICEF-i në Kosovë, ka krijuar Laboratorin e Inovacionit në vitin 2010, për të fuqizuar të  rinjtë  në  përdorimin e teknologjisë, për nxitjen e ndryshimeve shoqërore. Ky laborator përdor metoda të  ndryshme jo-tradicionale edukative të cilat përqendrohen për të dhe në aftësi profesionale, që  të  rinjtë  ta transformojnë  potencialin e tyre për të  mirë.

Laboratori përfshin zakonisht një grup-moshë nga 14 deri 24 vjeç, e sidomos të  rinjtë  e grupeve të  margjinalizuara, më të prekshme apo të përjashtuara nga shoqëria ku hyjnë komunitetet jo-shumicë, komunitete që jetojnë në vende rurale dhe ata që  jetojnë në varfëri, kështu duke përfshirë këto grupe marrin pjesë si në fuqi punëtore në krijim të politikave dhe në  procese të  vendimmarrjes.

Urata Goska

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM