Build Skills with our trainings

Sign up now!

Plot skepticizëm rreth cilësisë së ushqimit që e konsumojnë

Qer 5, 2019

Alban Krasniqi, asistent i kryesuesit të Kuvendit në Komunën e Obiliqit, që 20 vjet merret edhe me kultivimin e produkteve bujqësore për nevoja personale. Ai këtë e bën me shumë dëshirë dhe vullnet, dhe nuk ndien aspak vështirësi.

“Kultivimin e produkteve bujqësore e bëj së pari për arsye që të kemi produkte sa më cilësore dhe pastaj është edhe më ekonomike. Ne i kultivojmë mollat, dardhat, kumbullat, por edhe grurë, misër, pasul dhe që dy vjet kultivojmë edhe kunguj. Tashmë 20 vite ne nuk kemi pasur nevojë të blejmë miell, misër apo fasule. Me produkte që kemi kultivuar, kemi arritur që të sigurojmë ushqim për tërë vitin”, thotë për KosovaLive Krasniqi.

Pjesa më e madhe e territorit të Kosovës është e mbuluar me toka të cilësisë së dobët (56%), një pjesë e konsiderushme (rreth 29%) është e cilësisë mesatare, ndërsa vetëm një pjesë e vogë (15%) e tokës në Kosovë llogaritet të jetë tokë e cilësisë së lartë.

Sipas agronomit Alkend Tahirsylaj, pjesa dërrmuese e tokës bujqësore pas luftës në Kosovë ka qenë e shkatërruar, por në vitet e fundit është vërejtur një hov në zhvillimin e bujqësisë.

“Janë mbjellë plantacione me kultura të ndryshme e që për synim e kanë eksportin në tregun e Europës. Zhvillimi më i madh që ka ndodhë në Kosovë është krijimi i kompanive që merren vetëm me kultivimin e një kulture bujqësore, janë specializuar vetëm në një kulturë si për shembull: mjedër, boronicë, mollë, arrë etj. Gjithsesi mbetet shumë të bëhet nga ana e shtetit për orientim të drejtë të politikave bujqësore”, shprehet Tahirsylaj.

“Sa i përket sigurimit të bukës (grurit), Kosova nuk ka kapacitete për ta ushqyer vetveten. Kjo për shkak se rendimentet e grurit janë të ulëta dhe konsumi i bukës është shumë i lartë. Kosova llogaritet ndër shtetet që konsumojnë më së shumti bukë. Kosova me një zhvillim me të madh të blegtorisë do të mund të siguronte sasi të mjaftueshme të qumështit dhe produkteve të tij. Në fushën e pemëve dhe perimeve, gjatë sezonit, Kosova i plotëson nevojat e veta por jo edhe jashtë sezonit, kur edhe duhet të importohen”, shton Tahirsylaj.

Nga ana tjetër, ai tregon se ushqimi që e konsumojnë qytetarët në përditshmëri nuk është aspak i sigurt dhe nuk dihet se a është kultivuar me kushtet standarde. Ai thotë se dukuria e përdorimit të të ashtuquajturave “hormone të rritjes” është mjaft e përhapur edhe në Kosovë. Këtë e dëshmon edhe një hulumtim, të cilin e ka bërë në gusht të vitit 2018, ku ka bërë matjen e nitrateve në produkte bujqësore, matje të cilat janë bërë për herë të parë në Kosovë. Gjatë atyre matjeve, shumica e produkteve të importuara në Kosovë rezultuan me vlera të larta të nitrateve.

“Matjet e nitrateve në produktet bujqësore janë bërë me aparatin e quajtur GreenTest, i cili është një aparat shumë i saktë për matjen e nitrateve e i cili gjenë përdorim në gjithë botën. Rezultatet e matjeve kanë qenë alarmuese, për arsye se vlera e nitrateve ka shkuar në tejkalim të vlerës së lejueshme deri në 70 herë. Vlerë më e lartë e nitrateve është hasur te produktet e importuara” thotë ai.

Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, Kosova për vitin 2019 deri në muajin maj ka importuar produkte bujqësore në vlerë prej 288 milionë €, kurse ka eksportuar 28 milionë €.

Kurse tri vendet e para prej nga Kosova importon më së shumti janë: 1.Gjermania me rreth 129 milionë €, 2.Turqia me rreth 120 milionë € dhe 3.Kina me rreth 95 milionë €.

Vlerat e larta të nitrateve në organizmin e njeriut  shkaktojnë disa çrregullime: mund të shkaktojnë probleme në lukth, hipertension, probleme me zemër etj.

“Fatkeqësisht, ushqimi të cilin e hamë nuk është aspak i sigurt, sepse nuk ka një kontrollë në atë se çfarë plehrash dhe preparatesh tjera kimike përdoren derisa një produkt të na servohet në tavolinë”, shprehet Tahirsylaj.

Megjithatë, sipas tij, përdorimi i pesticideve në bujqësi është pothuajse i domosdoshëm dhe ato përdoren në të gjithë botën. Por, ai insiston se edhe sasia e tepruar shkakton dëme si në bimë, në tokë, ashtu edhe në shëndetin e qytetarëve.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUVK) bën kontrollimin e produkteve nëpër markete dhe nëpër dyqane të ndryshme, dhe është e vetmja agejnci që bën kontrollimin e produkteve në terminale doganore.

Lamir Thaqi, zyrtar për informim në AUVK, thotë se ushqimi të cilin e kontrollojnë është i sigurt për konsumim. Sipas tij, inspektorët fitosanitarë, që e bëjnë kontrollimin e produkteve vendore dhe ato nga jashtë, arrijnë ta kryejnë kontrollin e cilësisë së produkteve që hyjnë në Kosovë.

Sa u përket pesticideve që importohen në Kosovës, ai thotë se ato fillimisht ato duhet të jenë në listën nacionale, e cila bëhet nga Ministria e Bujqësisë dhe kontrollohen në mënyrë permanente në të gjitha pikat kufitare.

“Nga importuesit kërkohet leja për import, licencat të cilat i jep Bashkimi Europian, fatura, certifikata e kualitetit, e cila lëshohet nga vendi i origjinës. Pastaj, inspektori bën kontrollin fizik të produktit dhe pas gjithë kontrollit që kryhet nëse haset në diçka të dyshimtë merret mostra për testim dhe kur vërtetohet gjithçka lejohet futja e produktit brenda Kosovës. Pas kësaj bëhet edhe kontrollimi i barnatoreve bujqësore, dhe në momentin kur hasim në produktet që nuk janë të lejuara bëhet konfiskimi i tyre dhe rasti dërgohet në gjykatë, dhe varësisht nga rasti bëhet edhe dënimi i tyre”, shprehet për KosovaLive, Thaqi.

Procedurat e kontrollimit të produkteve vendore kontrollohen në të njëjtën formë si bëhet edhe kontrollimi i produkteve të importuara.

“Në të kaluarën kemi hasur në ngarkesa të refuzuara, për shembull një ngarkesë me limon që ka qenë nga Turqia dhe komplet ngarkesa është asgjësuar ende pa hyrë në vendin tonë. Dhe sa herë të jetë nevoja ne do të jemi këtu dhe nuk do të lejojmë që ato produkte të futen në treg. Gati çdo vit kemi kaluar shifrën 1 milion kg/l produkte varësisht nga njësia matëse, të cilat ne i kemi asgjësuar dhe tani nga viti në vit është rritur niveli i sigurisë së produkteve në Kosovë.”– shprehet Thaqi.

Selatin Kaçaniku, themelues i organizatës “Konsumatori”, që po merret me të drejtat e konsumatorit, shprehet se mentaliteti në Kosovë është mjaft i çuditshëm, sepse ka raste të mashtrimit nga brendi i produkteve, nga çmimin dhe nga ambalazhi. Ai ka konstatuar se edhe nëse organizata ‘’Konsumatori” i paralajmëron se ato mund të jenë të dëmshme për shëndetin e njeriut, qytetarët në përgjithësi, prapë vazhdojnë t’i përdorin ato produkte.

 “Pasojat e gjithë kësaj janë mjaft të mëdha. Si dëshmi i kemi edhe të ashtuquajturat ‘sëmundjet’ e reja, të cilat janë bërë shumë të përhapura në Kosovë gjatë viteve të fundit, që janë produkt i produkteve të industrializuara dhe që rriten në mënyrë jo të shëndetshme”, thotë Kaçaniku.

Sipas tij, ka shumë vende në Kosovë ku mund të blihen produkte të sigurta bujqësore, pasi bujqit në Kosovë ende nuk janë “modernizuar” dhe ende nuk e kanë mësuar “shkollën e djallit”, pra ende i përdorin zakonet e vjetra të kultivimit të produkteve bujqësore.

“Cilësia  e produkteve që vjen deri te ne është nga njëra anë, ajo që na jepet si bindje apo si informatë nga AUVK dhe çdo produkt, i cili kalon nëpër duart e saj, veçanërisht produktet ushqimore dalin të sigurta. Institucionet e shtetit, që kanë mandat të na informojnë, të na edukojnë dhe të na arsimojnë, duhet të na mundësojnë që të krijojmë kontrollë konsumi, gjë që nuk e kanë bërë deri më tash” shprehet Kaçaniku.

Dyshimin e qytetarëve në produktet që i hasim në treg ose në markete ai e spjegon me faktin se zbatimi i ligjeve në Kosovë, përgjithësisht nuk e arrin 40%.

Kaçaniku, i cili është pjesë edhe e bordit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë thotë se në bazë të kontrollimeve që ka bërë organizata “Konsumatori” nëpër laboratoret e AUVK-së, gjendja është e mirë dhe analizat bëhen në mënyrë korrekte. Por, sipas tij problemi më i madh është te produktet që hyjnë në Kosovë në mënyrë ilegale pasi tek ato nuk ka kontrollim e as nuk iu bëhet asnjë lloj analize.

Agim Berisha, qytetar i Prishtinës, shprehet se në përgjithësi ndihet konfuz sa i përket produkteve që duhet t’i konsumojë dhe thotë se edhe njeriu më i thjeshtë arrin ta vërejë se produktet që ne i konsumojmë çdo ditë nuk janë në rregull.

“U është ndryshuar shija dhe ngjyra, e pastaj kemi produkte verore, të cilat mund t’i gjesh në stinën e dimrit, gjë e cila të lë të nënkuptosh që ajo ka pasur rritje të detyruar”, thotë ai.

Berisha thotë se mosbesimi që ësht krijuar në institucionet e vendit po e krijon edhe përshtypjen që kontrollimi i produkteve nuk bëhet në mënyrë të rregullt dhe të sinqertë.

“Pjesa e sigurisë ushqimore zakonisht është shumë pak e trajtuar dhe e përmendur, ajo bëhet lajm vetëm në rast të shfaqjes së ndonjë skandali. Një shqetësim, të cilin unë e has çdo ditë te produktet bujqësore, si në treg apo edhe në markete, është se asnjëherë nuk ka ndonjë tiketë, e cila na tregon se nga e ka origjinën ai produkt. Andaj ne shumë lehtë mund të jemi të manipuluar nga shitësi, i cili do të na thotë se produkti është vendor apo nga ndonjë vend tjetër që na e krijonë përshtypjen se ai produkt është cilësor, prandaj ne nuk e dimë asnjëherë se produktet e kujt jemi duke i ngrënë”, shprehet ai.

Në një hulumtim të bërë nga “US National Library of Medicine – National Institutes of Health” në qershor të vitit 2016, pohohet se përdorimi i pesticideve shoqërohet me pasoja të shëndetit dhe të mjedisit.

Ekspozimi ndaj pesticideve mund të jetë nëpërmjet kontaktit me lëkurën, me gëlltitjen ose me thithjen. Lloji i pesticideve, kohëzgjatja dhe mënyra e ekspozimit dhe statusi i shëndetit individual, si për shembull mangësitë ushqyese dhe dëmtimi i lëkurës së shëndetshme janë faktorë përcaktues në rezultatin e mundshëm të shëndetit.

Brenda një trupi njerëzor ose një trupi të kafshës, pesticidet mund të metabolizohen, ekskretohen, ruhen ose bioakumulohen në yndyrën e trupit. Efektet e shumta negative shëndetësore, të cilat janë shoqëruar me pesticidet kimike përfshijnë, ndër efektet e tjera, efektet dermatologjike, gastrointestinale, neurologjike, kancerogjene, frymëmarrëse, riprodhuese dhe endokrine. Për më tepër, ekspozimi i lartë profesional, i rastësishëm ose i qëllimshëm ndaj pesticideve mund të rezultojë në hospitalizim dhe në vdekje.

Mbetjet e pesticideve mund të gjenden në një larmi të madhe të ushqimeve dhe pijeve të përditshme, përfshirë ushqimet e gatuara, ujin, verën, lëngjet e frutave, pijet freskuese dhe ushqimet e kafshëve. Për më tepër, larja dhe qërimi nuk mund t’i heqë plotësisht mbetjet e pesticideve.

Në shumicën e rasteve, përqendrimet nuk i tejkalojnë nivelet e përcaktuara në mënyrë legjislative. Megjithatë, këto “kufizime të sigurta” mund të nënvlerësojnë rrezikun e vërtetë shëndetësor, si në rastin e ekspozimit të njëkohshëm të dy ose më shumë substancave kimike, që ndodhin në kushte reale dhe mund të kenë efekte sinergjike. Mbetjet e pesticideve janë zbuluar edhe në mostrat e qumështit të gjirit të nënës, dhe ka shqetësime rreth ekspozimit para lindjes dhe efekteve shëndetësore te fëmijët.

Sipas Ligjit të Kosovës, me gjobë nga 500 deri në 2,500 euro mund të dënohet personi, i cili produktin për qëllim hulumtimi e fut në territor apo nuk e respekton ndalimin e përhapjes, tregtimit dhe mbajtjes së organizmave të dëmshëm për bimët, për produktet bimore dhe për objektet e tjera.

Linda Bucena, këshilltare rezidente e binjakëzimit nga Bashkimi Europian, tregon për projektin 1.2 milionë eurosh të BE-së “Mbështetje në fuqizimin e kapaciteteve të sistemit të prodhimit dhe mbrojtjes së bimëve në Kosovë”, që filloi në shtator të vitit 2017.

“Qëllimi kryesor i projektit është ta harmonizojë legjislacionin e Kosovës me atë të BE-së në sektorin fitosanitar dhe sepse kemi gjetur shumë zbrazëtira në këtë legjislacion, jemi duke punuar shumë që nga fillimi i projektit. I kemi themeluar katër grupe të punës. Një grup punues merret me mbikëqyrjen dhe çrrënjosjen e organizmave të pranishëm në bimë në këtë kohë (kohë prezente). Pastaj një grup merret me mbrojtjen e produktit, përdorimin e sigurt dhe kontrollet e shpërndarësve të produkteve. Fusha e tretë e punës sonë janë fertilizuesit. Dhe e katërta janë farat dhe të drejtat e varietetit” thotë ajo.

Institucioni përfitues i këtj projekti është Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, e në këtë projekt bashkëpunohet ngushtë edhe me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës si dhe me Institutin e Bujqësise së Kosovës në Pejë.

“Kemi marrë shembuj të listave të kontrollit të produkteve nga Letonia dhe jemi duke i përshtatur me legjislacionin në Kosovë. Inspektorët e Agjencisë janë duke e bërë edhe kontrollin e përdoruesve, gjë që nuk është bërë më herët në Kosovë. Ne do t’i bëjmë edhe disa video për praktikën e mirë të mbrojtjes së bimëve në Kosovë. Njëra do të jetë për speca në Krushë, një tjetër për patate në Pestovë dhe një për mjedra e boronica në Podujevë”, shprehet Bucena.

DJELLZA IMERI dhe Arta Berisha, Argnesa Statovci dhe Arbenita Molliqaj

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM