Build Skills with our trainings

Sign up now!

Në një paralele të veçantë, por në një shkollë të përbashkët

Nën 14, 2017

Një ish-nxënëse e paralelës së veçantë në shkollën e mesme të ulët “Ali Kelmendi” në Vushtrri, e ka mbajtur një lidhmëri të veçantë me këtë institucion arsimor dhe sot e kësaj dite për çdo ditë i viziton mësueset e dikurshme.

D.H. ndërkohë e ka përfunduar edhe shkollën e mesme për persona me aftësi të kufizuara në Prizren.

Mësuesja e saj e parë, Fidane Maxhuni e mban në mend D.H.-në dhe e vlerëson si një nxënëse “shumë e sjellshme dhe e dashur me të gjithë”.

Në shkollën “Ali Kelmendi” edhe sot funksionon një paralele me 13 nxënës me aftësi të kufizuara të ndryshme, si Sindromi Dawn, autizëm, ngecje në të folur, dëgjim etj. Në klasë, vajza dhe djem nga mosha 8 deri në 19 vjet mësojnë me dy mësuese, përmes lojërave të ndryshme.

Djaloshi 16-vjeçar me Sindromin Dawn,  i cili insistoi në anonimitet, në bisedën e shkurtër tregon se sa me kënaqësi kalon kohën në klasë.

“Më pëlqen të bëj detyra, të dëgjoj mësusen, të luaj me shokët dhe shoqet e klasës. E kaloj shumë mirë edhe me nxënësit e tjerë”, thotë ai.

Edhe pse për këta nxënës nevojiten kushte të veçanta për mësim, në këtë shkollë mungojnë mjetet elementare, shpesh edhe fletoret, lapsat, librat…

“Shkolla nuk ka buxhet të mjaftueshëm për mbulimin e të gjitha kërkesave. Krejt çka kemi marrë donacione janë nga ato private, asgjë nga shteti”, thotë mësuesja Maxhuni.

Donacione – tabela, mjetet për zhvillimin e mësimit, kartela identifikimi, fletore, lapsa, figura gjeometrike, qilime, perde etj. deri tash kishin ardhur nga KFOR-i Danez dhe OSBE-ja.

Agim Miftari, drejtor i Arsimit në komunën e Vushtrrisë, ndonëse konsideron se shkolla i ka kushtet e mjaftueshme për zhvillim, pohon se nuk ekziston ndonjë buxhet i veçantë për këta nxënës.

“Tash e dy vite transporti për këta nxënës mundësohet nga buxheti i komunës së Vushtrrisë. Para disa viteve, të gjitha të hollat që MASHT-i i ka shpërndarë për këta nxënës, kanë shkuar në transport. Të hollat që kanë mbetur, janë shfrytëzuar për mjetet elementare që ka pasur nevojë klasa”, thotë ai.

Procesi mësimor zhvillohet sipas planprogramit të hartuar nga Ministria e Arsimit.

Kadrije Meniqi, ish-drejtoreshë në këtë shkollë, sot zyrtare e arsimit në komunën e Vushtrrisë thotë se mësueset janë të specializuara për trajtimin e nxënësve me aftësi të kufizuara.

“Mësueset kanë pasur trajnime dhe specializime në qendrën burimore për mësim dhe këshillim, në shkollën ‘Nënë Tereza’ në Mitrovicë,” thotë ajo.

Mësuesja Fidane Maxhuni, magjistre e psikologjisë dhe e certifikuar nga MASHT-i, dhe Tefide Krasniqi, e cila i ka kryer trajnimet si pedagoge, gati për 15 vite punojnë me nxënësit me aftësi të kufizuara në këtë shkollë të mesme të ulët.

Me nxënësit, gjatë orëve mësimore, punohet në mënyrë individuale por nganjëherë edhe në grup: varet se sa kanë nevojë për shpjegim dhe për përsëritjen e gjërave që mësojnë gjatë gjithë kohës.

Tefide Krasniqi, e cila ka kryer një trajnim profesional të organizuar nga ekspertët e specializuar finlandezë, thotë se nxënësit me aftësi të kufizuara mësojnë njohuritë elementare, ato që janë më të përshtatshme për ta.

“Mungesa e asistenteve në këtë shkollë, pamundëson të ketë një zhvillim të mësimit më të mirë. Ata kanë nevojë që ta kenë asistentin afër vetes në çdo moment, për shpjegimin dhe thjeshtësimin e gjërave”, thotë ajo për KosovaLive.

Edhe pse nuk paraqet problemin kryesor për zhvillimin e mësimit, mungesa e ushqimit për pushimin e madh ndikon tërthorazi në përqendrimin e nxënësve në mësim.

“Para një viti shkolla ua ka mundësuar nga një kifle në ditë, mirëpo këtë vit e kanë ndalur furnizimin me ushqim. Përsëri kemi bërë kërkesë për sigurimin e ushqimit të nxënësve në shkollë, por ende nuk kemi marrë asnjë konfirmim nga shkolla”, thotë mësuesja Maxhuni.

Por jo të gjithë nxënësit me aftësi të kufizuara përfshihen vetëm në këtë paralele të veçantë të shkollës, disa prej tyre janë të shpërndarë në paralelet e tjera. Sipas drejtorit të shkollës së mesme të ulët “Ali Kelmendi”, Milazim Hyseni gjashtë nxënës janë të shpërndara në klasa të rregullta dhe ata janë të socializuar me nxënësit e tjerë.

Eroll Venhari, drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në këtë qytet, thotë se po mundohen shumë për integrimin e këtyre nxënësve në shoqëri.

“Ka fëmijë prej tyre që janë aq të mençur, sa që ‘të lënë pa tekst’. Kemi një projekt i cili quhet ‘Kujdesi Shtëpiak’, ku janë gjithsej 4 doktorë dhe 8 infermierë. Fëmijëve me aftësi të kufizuar dhe të gjithë atyre që nuk e kanë mundësinë me ardhë në qytet me marrë shërbime, ky ekip iu ofron ndihma në shtëpi, pa paguar asnjë cent”, thotë ai.

Në anën tjetër, Hava Maloku, mësimdhënëse në klasët e rregullta të kësaj shkolle, thotë se mungesa e asistentëve mund ta ngadalësojë përparimin e nxënësve në mësim.

“Para dy viteve kam pasur një nxënës me vështirësi në mësimnxënie, për të cilin kam pasur nevojë për një asistente por që nuk iu është mundësuar, dhe si pasojë e kësaj fëmija ka pasur ngecje në mësim dhe është rikthyer në klasën e parë për përsëritjen e vitit”, thotë ajo.

Përpos shoqërisë në klasë me njëri-tjetrin dhe me mësueset, këta nxënës kanë edhe një mik me të cilin takohen çdo ditë.

Bajram Haziri çdo ditë i çon këta fëmijë nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas dhe thotë se këtë punë e bën qe 15 vite, me shumë vullnet dhe dëshirë.

“Asnjëherë nuk kam pasur problem me këta nxënës. Para do vjete kemi pas raste më të rënda, të cilët vetë i kam marrë në krahë, i kam mbajtur me dy duar duke i lëvizë nga kombi në klasë. E bëj këtë punë me shumë dëshirë sikur me qenë prind i tyre”, thotë ai.

Kjo afërsi është një ndihmesë e veçantë edhe për familjet e këtyre fëmijëve, sidomos për ata me kushte të rënda ekonomike si dhe ua lehtëson përditshmërinë e këtyre fëmijëve.

Një përkushtim më i madh institucional në mbështetje të mirëqenies së personave me aftësi të kufizuara, gjithsesi do të ishte e mirëseardhur.

Fikrije Gashi, prind i nje nxënëse me aftësi të kufizuara, thotë se ndihma aktuale prej 100 euro për nevojat e vajzës së saj, që çdo muaj e merr nga buxheti i komunës së Vushtrrisë, nuk po i mjafton për t’i mbuluar shpenzimet elementare për fëmijën e saj.

Shkurtë Spanca

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM