Kosova si vendi me popullsinë më të re në rajon përballet me mungesë të kushteve të favorshme për jetë aktive shoqërore. Në mungesë të qendrave rekreative, edukative dhe sportive të rinjtë e Hajvalisë i kanë të kufizuara aktivitetet në të cilat do të mund ta kalonin kohën e lirë por edhe të zhvillojnë talentet dhe pasionet e tyre.
Mungesa e tyre lë një boshllëk në jetën e komunitetit. Mungesa e bibliotekave me bazë në komunitet ndikon negativisht në jetën e banorëve, duke bërë kështu të ketë mungesë të kulturës së leximit. Nga ana tjetër, hapësirat e parqeve luajnë rol të madh në zhvillimin pozitiv të jetës së banorëve në çdo pjesë të vendit e që këtu mungon.
Edhe pse ka përpjekje nga institucionet e vendit për përmirësim të gjendjes, përmirësim i dukshëm nuk vërehet ende, dhe strategjitë e Ministrisë së Kulturës shihet se nuk janë të mjaftueshme për të pasur rezultatin dhe ndikimin e duhur.
Përveç shkollave të cilat brenda tyre kanë bibloteka vetëm për nxënësit e tyre, nuk ka bibliotekë ku të rinjtë mund të shkojnë për të lexuar. Gjithashtu, ajo që vërehet këtu është edhe mungesa e qendrave edukative, rekreative dhe sportive.
Ndërsa preokupimet e rinisë së kësaj pjese të kryeqendrës së Kosovës, Prishtinës, vihen në dukje në bisedat e para që bëhen këtu. Përditshmërinë, kërkesat dhe nevojat e të rinjve nga Hajvalia për KosovaLive na i përshkruan, Genti Rama, 25 vjeç banor i Hajvalisë, i cili ushtron profesionin e tregtarit në një biznes familjar.
Ai e përshkruan jetën e të rinjve këtu si jo-aktive. Një i ri këtu nuk ka se si ta kalojë kohën e lirë në mënyre produktive, rruga është vendi i vetëm ku ata mund të mblidhen dhe të kalojnë kohë me njëri-tjetrin. Mungesa e hapësirave rekreative, parqeve (të cilat mund të shërbenin si vend relaksimi), kanë bërë që të rinjve këtu t’u pamundësohet zhvillimi i aktiviteteve të ndryshme, detyrimisht kohën e lirë ta kalojnë në mënyrë monotone dhe pa efikasitet.
“Përgjegjës kryesor për situatën aktuale në përgjithësi dhe kushtet jo të favorshme për jetë normale të të rinjve këtu, është Komuna e Prishtinës. Komuna dhe institucionet e tjera të vendit nuk kanë bërë asnjë investim deri më tani për të përmirësuar të ardhmen e të rinjve. Mosplotësimi i këtyre kushteve po ndikon negativisht në jetën e gjithë komunitetit”, u shpreh ai.
Pasi që jeta e të rinjve nuk është thuajse aspak aktive, kjo gjë vihet në dukje edhe nga një anë tjetër, vihet re mungesa e dukshme e mospërfshirjes së vajzave dhe grave në jetën shoqërore dhe aktivitetet e mundshme në Hajvali.
Halide Vrajolli, 26 vjeçe nga Hajvalia e cila ndjekë studimet në kolegjin ISPE, thekson se ajo dhe vajzat e tjera ndihen të diskriminuara pasi që gjithë fokusi i njerëzve me ndikim në Hajvali është i orientuar vetëm kah futbolli, si vend ku mund të ketë përfitime materiale.
Ndërkaq, sipas saj është edhe një shqetësim tjetër.
“ …është thuajse e pamundur që të dëgjohet zëri nëse nuk je pjesë e ndonjë partie politike apo nuk bën pjesë në ndonjë organizatë”.
Gjithashtu si shqetësuese është fakti që në përgjithësi nuk shihet ndonjë interesim i madh nga vajzat dhe gratë që të jenë pjesë më aktive dhe vendimmarrëse në ndryshimin e kësaj gjendje.
Duke i parë vështirësitë dhe mungesat që janë prezente në Hajvali, një këndvështrim më ndryshe i një banori të këtushëm, që të bën të shohësh se aktivitetet, edhe pse në kushte jo të favorshme, prapëseprapë, mund të realizohen.
Burim Krasniqi, 35 vjeçar, aktivist i shumë ngjarjeve humanitare, kulturore dhe sportive në Hajvali, i pasqyron disa nga aktivitetet që janë zhvilluar dhe vazhdojnë të zhvillohen, disa prej të cilave tanimë janë shndërruar në tradicionale, duke iu dhënë kuptim datave dhe ngjarjeve të rëndësishme të vendit.
“Si shumë aktivitete dhe ngjarje të cilat janë anuluar në gjithë botën por edhe tek ne, shkaku i pandemisë së COVID-19, kjo situatë nuk la pa prekur edhe aktivitetet të cilat ishin paraparë të zhvilloheshin gjatë këtyre muajve”, thotë ai.
Ndër aktivitetet që janë zhvilluar është Mini Maratona “Vrapo në Paqe”, në vazhdën e aktiviteteve ishte edhe ekspozita me foto e titulluar “Shpresa Jonë”, në ditën e Çlirimin të Prishtinës, në sheshin “Nëna Terezë”.
Megjithatë, ai shprehet paksa kritik për bashkëpunimin me institucionet lokale dhe qeveritare si dhe organizatat tjera jo-qeveritare.
“Nuk kemi kontakte të shpeshta mirëpo me raste kemi bashkëpunim me bashkësinë lokale, gjithashtu edhe në komunë ndihemi të mirëpritur, ndërsa me organizata jo-qeveritare nuk kemi ndonjë bashkëpunim”, thotë Krasniqi për KosovaLive.
Shpresëdhënës shihet fakti i fillimit të projektit për restaurimin e Shtëpisë së Kulturës e cila ka nevojë për intervenim nga jashtë, thotë ai.
“Nuk ka pasur investime thuajse fare që nga paslufta në Hajvali dhe si urgjente shihet; ndërtimi i bibliotekës, parkut, këndit të lojërave dhe ndërtimi i sallave (qendrave) sportive, që direkt do të ndikonte pozitivisht në jetën e banorëve këtu, me theks të veçantë tek rinia”.
Se ka mungesë të kushteve për jetë më aktive shoqërore dhe nevojë për investime në Hajvali e theksojnë edhe zyrtarë nga Komuna e Prishtinës.
Sami Boroci, këshilltar komunal në Komunën e Prishtinës, e sheh mungesën e theksuar të jetës aktive të të rinjve, konkretisht mungesë të aktiviteteve kulturore, sportive dhe edukative, kjo për faktin se mungon infrastruktura poashtu edhe organizimi i komunitetit.
Ai potencon se përveç shumë investimeve që janë bërë në Hajvali ka ende nevojë për investime të mëtejme dhe direkte. Ndër tjerash tregon rolin e tij në Komunën e Prishtinës.
“Gjatë mandatit tim kam adresuar shumë çështje të banorëve të Hajvalisë dhe një numër i madh i tyre janë zgjidhur. Prej kohësh kam ngritur çështjen e Shtëpisë së Kulturës, ku në bashkëpunim dhe me mbështetjen e nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, kemi arritur që këtë ta fusim në buxhet. Ky projekt do të realizohet së shpejti”.
Ai gjithashtu shprehet se prej kohësh ka ngritur kërkesa të shumta si: ndërtimi i dy parqeve (njëri në pjesën e vjetër të Hajvalisë dhe tjetri në pjesën e re, në drejtim të Pallatit të Drejtësisë), po ashtu edhe ndërtimin e kolektorit nga Pallati i Drejtësisë, kërkesa këto që i përsëritë dhe insiston në vazhdimësi.
Investime tjera sipas tij, Komuna e Prishtinës i ka filluar vite më parë. Komuna e Prishtinës ka filluar ndërtimin e stadiumit në Hajvali, Në vitin 2019 Kuvendi Komunal, pasi ka marrë kërkesën nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) dhe Ministria e Kulturës dhe Sportit për dhënien në shfrytëzim të pronës ku po ndërtohej ky stadium, me qëllim që FFK të investojë në një kompleks të madh sportiv përmes fondeve të UEFA-s, e ka votuar këtë dhe projekti është në realizim e sipër.
Mirsad Vitia, asambleist në Komunën e Prishtinës mungesën e zhvillimit të jetës aktive e sheh si shkak të orientimit të rinisë kryesisht kah kryeqyteti, pasi që gjithë aktivitetet e tyre i zhvillojnë jashtë vendbanimit, por edhe nga mungesa e investimeve në Hajvali.
Ai shprehet për jetësimin e disa ideve inovative e që duke marrë shembuj nga vendet e rajonit do të ishin investime me ndikim të madh në aktivizimin dhe socializimin e banorëve të këtushëm (ndërtimi i këndeve të lojërave, shëtitoreve, sallave sportive dhe pushimoreve), kostoja e të cilave do të ishte shumë e ulët. Por, si problematike e sheh faktin e mungesës së hapësirave komunale.
Ndër tjerash si çështje për diskutim dhe investim ai e sheh pajisjen me një e-kiosk, në mënyrë që qytetarët të vetë- shërbehen dhe kësisoj të kurseheshin banorët nga shpenzimet e transportit dhe humbjes së kohës deri në kryeqytet vetëm për t’u pajisur me dokumente personale.
Sipas tij investimet në Hajvali janë të domosdoshme dhe të mirëpritura, por problematike e sheh edhe faktin e mos funksionimit të zinxhirit mes komunitetit dhe organeve. Përkundër vështirësive, thotë:
“Se do të vazhdoj të jem zë aktiv i të gjithë banorëve të Hajvalisë dhe do të adresoj shqetësimet dhe kërkesat e tyre deri në zgjidhje” thotë Vitia për KosovaLive.
Rëndësinë e inftastrukturës dhe kushteve më të favorshme për zhvillim të aktiviteteve të ndryshme në Hajvali na i bënë të ditur edhe drejtoresha e Shkollës së Mesme të Ulët “Shkëndija” në Hajvali, Minire Musliu- Berisha.
“Nxënësit janë mjaft aktiv me aktivitetet e tyre brenda shkollës, në kuadër të së cilës veprojnë shumë grupe nxënësish nga fushat e ndryshme,” thekson ajo.
Shkolla sipas saj është e pajisur me salla sportive, kabinete te të gjitha lëndëve, pasi që janë bërë investime të shumta nga komuna si dhe nga disa donacione në të cilat ka qenë përfituese kjo shkollë. Me gjithë investimet të cilat janë bërë, shton se ende ka vend dhe nevojë për përmirësim, pasi që stafi i shkollës detyrohet të bëjë edhe improvizime në mënyrë që të përfshihen dhe të realizojnë gjithë objektivat dhe kërkesat e nxënësve.
“Ndërtimi i një aneksi të ri që do i bashkëngjitej shkollës do të kishte efekte pozitive në mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe kushteve më të mira në zhvillimin e aktiviteteve rekreative, kulturore dhe sportive,” shprehet ajo. Ky aneks do të mundësonte që mësimi të zhvillohej vetëm në një ndërrim dhe kësisoj do të ishte e mundur edhe monitorimi dhe të shiheshin rezultatet mësimdhënie-mësimnxënie.
Ndër tjerash ajo shton se është angazhuar që të mundësojë promovimin e nxënësve duke i’u mundësuar që të mbajnë ekspozita apo të jenë pjesë e aktiviteteve të ndryshme në emisione televizive.
Duke pasur parasysh situatën aktuale në gjithë botën, shkaku i virusit COVID19 janë anuluar, shtyrë apo reduktuar shumë aktivitete në të gjitha fushat.
Fatbardha Zejnullahu nga Hajvalia, e diplomuar në UBT, në drejtimin arkitekturë dhe planifikim hapësinor ka ndërmarrë një iniciativë për të përmirësuar jetën kulturore këtu, duke projektuar restaurimin e Shtëpisë së Kulturës.
“Sa isha nxënëse e shkollës fillore ‘Shkëndija’ në Hajvali, kisha shumë dëshirë të merrem me aktivitete të lira jashtë procesit mësimor, mirëpo kurrë nuk kemi pasur ndonjë qendër multifunksionale që do të na kryente punë. …për t’i plotësuar këto mangësi jemi detyruar që shfaqjet teatrale, aktivitetet për fëmijë dhe kurset e ndryshme t’i ndjekim në qendër të Prishtinës”.
Muaj më parë nënkryetari i komunës Selim Pacolli dhe drejtoresha për Kulturë Blerta Basholli, vizituan objektin e Qendrës Kulturore në Hajvali, për të parë mundësinë e restaurimit dhe funksionalizimit të saj.
Ndër tjerash ajo shton se nevoja e madhe që ka komuniteti i Hajvalisë për ri-funksionalizimin e Qendrës së Kulturës e shtyri të punojë në këtë projekt dhe ta bëjë së paku një ide konkrete për funksionalizimin dhe ri-gjallërimin e ndërtesës.
Ajo thekson se nuk ka pasur nevojë fare që t’i drejtohet me kërkesë institucioneve për këtë çështje pasi që ideja është pëlqyer shumë nga komuniteti dhe Komuna e Prishtinës. Pasi janë informuar për projektin, ka ardhur edhe reagimi pozitiv dhe interesimi i menjëhershëm nga nënkryetari Selim Pacolli dhe Adrian Berisha për bashkëpunim rreth ri-vitalizimit të kësaj qendre. Ajo që është më e rëndësishmja, sipas saj, është mundësia e shfrytëzimit të Shtëpisë së Kulturës nga të gjitha moshat dhe aty mund të zhvillohen të gjitha aktivitetet kulturore, sportive dhe rekreative.
Se situata është jo fortë e mirë në Hajvali pajtohet edhe një tjetër banor i Hajvalisë. Albatrit Matoshi 31 vjec, gazetar, i cili vë në dukje nevojën e investimeve dhe angazhimit më të madh të komunitetit dhe institucioneve për të përmirësuar jetën e të rinjve këtu.
“Si i lindur dhe rritur në Hajvali jam mirë i informuar për kushtet e të rinjve për jetë më aktive këtu. Historikisht, ose të paktën në 20 vitet e fundit, Hajvalia gjithmonë ka pasur mungesë të kushteve, hapësirave dhe fushave për zhvillimin e aktiviteteve kulturore, edukative dhe sportive”, thotë ai.
Ndër tjerash shprehet, se Shtëpia e Kulturës “Afrim Gashi”, që e kanë pasur është e shkatërruar me themel dhe aktualisht Hajvalia nuk ka asnjë hapësirë për zhvillimin e aktiviteteve kulturore. Të gjitha organizimet bëhen private dhe në hapësira të organizuara vetvetiu.
Sipas tij, nevojë urgjente është ndërtimi i një palestre të mbyllur për zhvillimin e sporteve me dorë dhe atyre marciale, pishina e hapur dhe e mbyllur, fusha e futbollit të madh, restaurimi i Shtëpisë së Kulturës, ndërtimi i një librarie publike në Hajvali, ku do të mund të organizoheshin orë letrare, klube të poezisë etj.
Shqetësim tjetër, thotë ai është mosfunksionimi i zinxhirit mes të rinjve, bashkësisë lokale, organizatave jo-qeveritare, komunës dhe institucionet tjera, rrjedhimisht nuk ka as rini të organizuar, as organizata që merren me Hajvalinë e as interesim të institucioneve dhe bashkësisë lokale që konkretisht të bëjnë diçka.
Se është i nevojshëm një intervenim i shpejtë nga institucionet e vendit për të përmirësuar situatën në Hajvali në plotësimin e nevojave të komunitetit shprehet edhe drejtori i Ansamblit Folklorik të Këngëve dhe Valleve “Hajvalia”, Jakup Demolli.
Duke qenë se ansambli është shumë aktiv me aktivitete, mungesa e një salle në të cilën do të zhvilloheshin provat dhe shfaqjet e ansamblit e vështirëson mjaft shumë punën.
“Në vitin 2016 kur është themeluar ansambli kishim drojën e mungesës së interesimit për t’u bërë pjesë e tij, mirëpo tani numërojmë më shumë se 70 anëtarë aktiv, të të gjitha moshave, përkundër kushteve të pafavorshme”, konsideron ai.
Ai thekson se, përkundër kushteve dhe mungesës së hapësirës së nevojshme për funksionim ata përballen edhe me mungesë veshjesh kombëtare, mirëpo kjo asnjëherë nuk i ka ndalur që të vazhdojnë aktivitet e shumta anë e mbanë vendit dhe rajonit, punë kjo e cila është shpërblyer.
Sipas tij, është i dhimbshëm fakti që ka interesim nga të rinjtë për shumë aktivitet, mirëpo kushtet e pamundësojnë një gjë të tillë. Po ashtu për shkak të mungesës së kushteve janë shuar klubi i shahut, klubi i shenjëtarisë, i kitarës dhe kështu të rinjtë kanë mbetur me shumë pak mundësi për zhvillim të aktiviteteve dhe pasioneve të tyre.
Duke pasur parasysh faktin se e gjithë bota u përfshi nga pandemia COVID19, edhe vendi ynë u përballë me anulimin e thuajse të gjitha aktiviteteve kulturore dhe sportive. Gjatë fillimit të pandemisë institucionet e vendit morën një sërë masash për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së virusit, ku u ndërpre liria e lëvizjes së qytetarëve .
Kjo shtyri që të anulohen të gjitha aktivitetet kulturore ku u ndalua puna dhe shërbimet e gastronimisë, masa këto që do të kenë ndikim të madh në rimëmkëmbjen në të gjitha sferat edhe në atë kulturor.
Ndonëse disa aktivitete të cilat zhvillohen këtu, mungesa e informimit të banorëve del të jetë problematike.
Leonora Latifaj, banore e Hajvalisë thotë se nuk është e informuar për aktivitetet të cilat zhvillohen këtu.
“Ndonëse numri i popullsisë dita-ditës po rritet, rrjedhimisht do duhej të rriteshin edhe investimet nga komuna në plotësimin e kushteve për jetë më aktive në përgjithësi, por kjo nuk është duke ndodhur” shprehet ajo.
Egzona Sijarina
Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.