Çdo çift që planifikon të organizojë dasmë i kushton rëndësi secilit detaj, në mënyrë që gjithçka të jetë e përkryer, në ditën më të veçantë.
Një ndër detajet kryesore janë edhe ftesat e dasmës, të cilat duhet të jenë sa më të bukura dhe unike. Por, çifti Dafinë Maliqi nga Dardana dhe Qëndrim Pllana nga Prishtina, përgatitjen e ftesave për dasmën e tyre ua kanë besuar disa personave shumë të veçantë. Ata kanë vendosur që ftesat e tyre të përgatiten nga personat e prekur me Sindromin Down.
Dafinë Maliqi, tregon për KosovaLive arsyen pse kanë marrë këtë vendim së bashku me të fejuarin e saj:
“Arsyeja pse i kemi zgjedhë ftesat e punuara nga personat e prekur me Sindromin Down është se vëllain e madh e kam me Sindrom Down. Ai quhet Shqipron dhe është 22 vjeç. Kur unë e shoh që ai gëzohet me këto gjëra, mundohem edhe botën me ia dhuru”, theksoi ajo.
Dafina dhe Qëndrimi janë çifti i dytë që kanë shprehur interesim për përgatitjen e ftesave nga shoqata “Down Syndrome Kosova”.
“Kur e kam parë videon për një çift që i kanë bërë ftesat te kjo shoqatë, më ka pëlqyer shumë ideja. I tregova të fejuarit dhe vendosëm që edhe ne të mbështetemi te këta persona për ftesat e dasmës sonë. Menduam që më mirë është me i gëzu fëmijët me Sindrom, pasi e dimë që ata me shumë dashuri e bëjnë punën e tyre”, sqaron Dafina.
Ndërsa, zëvendësdrejtoresha e shoqatës Down Syndrome Kosova,Leonora Shabani- Bajraktari, e pyetur nga Kosovalive se si ndihet për faktin që ka interesim nga njerëzit për punën që kjo shoqatë bën, ajo u përgjigj:
“Më vjen mirë që shoqëria ka filluar të besojë në aftësitë e personave me Down Syndrome dhe ia kanë besuar atyre të kryejnë ftesat për ditën më të veçantë të jetës”, pohoi Leonora Shabani – Bajraktari.
Sa i përket çmimit të ftesave, ato ndryshojnë varësisht nga dizajni. Më të thjeshtat kushtojnë 1.50 euro.
Për punimin e ftesave për dasmën e Dafinës dhe Qëndrimit, janë përkujdesur tetë persona: gjashtë me Down Syndrome dhe dy të tjerë me dëmtime intelektuale. Ata janë ndihmuar edhe nga dy vajza vullnetare, Edona Shala dhe Albina Statovci.
Albina Statovci, nxënëse në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, tregon për Kosovalive përvojën e saj gjatë përgatitjes së ftesave:
“Puna me personat me Down Syndrome është kënaqësia më e madhe që mundet me përjetu dikush. Ka qenë mjaft relaksuese dhe e kemi marrë më shumë si qejf”, tha ajo.
Shoqata Down Syndrome Kosova posedon edhe programin e kartolinave punëdore. Kartolinat e punuara nga personat me Sindromin Down, shiten nëpër institucionet e Republikës së Kosovës, me ç’rast kjo shoqatë përfiton mjete materiale me të cilat paguhen obligimet e qendrës.
/Medina Mehmeti, “ Vajzë dëgjohu”/