Qeveria e Serbisë vazhdon t’i financojë strukturat e veta paralele në Kosovë, në veçanti komunat, të cilat në raste të caktuara drejtohen nga kryetarë që i përgjigjen si Prishtinës ashtu edhe Beogradit zyrtar. Madje, ndarja e mjeteve nga Beogradi as që mbahet sekret. Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e vlerëson këtë si “të natyrshme”, dhe pranon se do ta bëjë edhe pas krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe. Kjo qasje e Serbisë është vlerësuar si e dëmshme nga autoritetet e Kosovës, të cilat kanë thënë se Asociacioni nuk do të funksionalizohet pa shpërbërjen e plotë të strukturave paralele.
/Fisnik Minci- Koha Ditore/
Prishtinë, Beograd, nëntor – Murselj Huseini, ish-kryetar i Komunës paralele të Gorës, për vite të tëra kishte ushtruar detyra zyrtare në kuadër të pushtetit lokal serb, i cili që prej pasluftës sfidon vazhdimisht autoritetin e institucioneve të Kosovës. Ai nga viti 2008 deri në vitin 2011 ka qenë nënkryetar i Komunës së Gorës, derisa nga prilli i 2011-s e deri në vitin 2013 ka qenë kryetar, duke drejtuar ekzekutivin lokal “në të zezën”. Madje, gjatë këtij viti në një bisedë për “Kohën Ditore” ka pranuar se ka vepruar kundërligjshëm, duke miratuar financimin nga Beogradi, por se besimi që po i shërbente komunitetit goran e kishte shtyrë që asokohe të vazhdonte veprimtarinë.
“A kam qenë i vetëdijshëm se po veproj kundër rendit kushtetues e ligjor të Kosovës? Në njëfarë forme them se kam qenë, por njëfarë besimi më ka shtyrë që të vazhdoj derisa i njëjti filloi të zbehej nga dita në ditë, pasi e kam parë situatën se Kosova është shtet… Kam qenë i bindur se po veproja në interes të komunitetit goran. Dëshira ishte që të kemi një komunë të ndarë të Gorës, por kjo nuk u realizua si duhet”, ka thënë ai më herët gjatë këtij viti. Huseini qe shkarkuar nga posti i kryetarit të Komunës së Gorës në vitin 2013.
Mirëpo dëshmia e tij është tregues se Qeveria e Serbisë vazhdon që t’i financojë strukturat e veta paralele në Kosovë, në veçanti komunat, të cilat në raste të caktuara drejtohen nga kryetarë që i përgjigjen si Prishtinës ashtu edhe Beogradit zyrtar.
Madje, ndarja e mjeteve nga Beogradi as që mbahet sekret. Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e vlerëson këtë si “të natyrshme”.
“Përkrahja financiare i kontribuon zhvillimit të bashkësisë serbe”
“Serbia natyrshëm i financon komunat në territorin e saj, e kështu edhe komunat në krahinat autonome të Vojvodinës dhe Kosovës e Metohisë”, thuhet në një përgjigje të kësaj zyre, ku theksohet se shumat për këto destinime janë publike. Kjo zyrë beson se përkrahja financiare i kontribuon zhvillimit të bashkësisë serbe, por “hairin” mund t’ia shohin edhe banorët e tjerë.
“Këto fonde shkojnë përmes kanaleve formale, dhe askush nuk duhet të ketë neveri nga fakti se Serbia ndihmon zhvillimin e komuniteteve serbe në Kosovë, sepse nga kjo tërthorazi përfitojnë të gjithë banorët e krahinës”, ka bërë të ditur Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Në bazë të informatave të grumbulluara nga shoqëria civile në Beograd, del se Qeveria e Serbisë ndan mjete të konsiderueshme për të mbajtur gjallë praninë e saj në Kosovë. Në platformën online, të krijuar nga Qendra për Politikë Praktike, që quhet “Sa kushton Kosova?”, shkruan se nga qershori i vitit 1999 e deri më sot, Qeveria e Serbisë, në bazë të vlerësimeve zyrtare, në Kosovë shpenzon gjysmë miliardi euro në vit. “Shuma e përgjithshme e vlerësuar (e harxhimeve në Kosovë), në euro, deri në këtë moment është 8.23 miliardë”, shkruan në këtë platformë.
Pjesa më e madhe e parave të Qeverisë së Serbisë, sipas vlerësimeve të kësaj qendre, shkon në të ashtuquajturat struktura paralele, ku para së gjithash hyjnë mjetet e Ministrisë së Arsimit, Shëndetësisë, Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe të ngjashme. Ndërkohë, mjete ndahen edhe për pagat e punëtorëve të ndërmarrjeve publike.
Në buxhetin e Republikës së Serbisë, për vitin 2015, në pjesën që i dedikohet Zyrës për Kosovë e Metohi, figurojnë shifrat e zotuara për përkrahjen e funksionimit të institucioneve dhe organizatave në territorin e Kosovës, pastaj mbështetja për funksionimin dhe avancimin e kapaciteteve administrative në nivel lokal, përkrahja për funksionimin e institucioneve edukativo-arsimore në përputhje me rrjetin e shkollave dhe institucioneve parashkollore, pastaj mbështetja për funksionimin e institucioneve shëndetësore, e kështu me radhë.
Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, muaj më parë ka deklaruar se shteti i tij ka plot 29 organe të përkohshme në Kosovë, me më shumë se 5 mijë të punësuar.
Asnjë mbështetje financiare e Serbisë për komunat në Kosovë nuk ka kaluar përmes Thesarit
Në anën tjetër, Komunat me shumicë serbe pranojnë mjete edhe nga buxheti i Kosovës.
Këtë vit Graçanica ka menaxhuar mbi 6 milionë euro, e për investime kapitale i ka pasur mbi 2,7 milionë euro. Leposaviqi ka pasur buxhet afro 3 milionë euro, me mbi 1,1 milionë për investime kapitale. Zubin-Potoku afro 2 milionë euro, prej të cilave 620 mijë euro për investime kapitale.
Zveçani në total ka pasur mbi 1,8 milionë euro me 836 mijë euro për investime kapitale. Mitrovica e Veriut mbi 4 milionë euro me 933 mijë euro për projekte kapitale. Shtërpca mbi 3 milionë euro, e për investime kapitale 535 mijë euro. Buxheti i Parteshit ka qenë mbi 800 mijë euro, me vetëm 26 mijë euro për investime kapitale. Afro 800 mijë euro ka qenë edhe buxheti i Kllokotit, me 36 mijë euro për investime kapitale. Ranillugu ka menaxhuar me mbi 1.2 milionë euro, me 97 mijë euro për investime kapitale, derisa Novobërda ka pasur mbi 2 milionë euro në dispozicion me 100 mijë euro për investime kapitale.
Të gjitha këto komuna sipas legjislacionit në fuqi të Kosovës mund të pranojnë asistencë financiare nga Republika e Serbisë.
Ligji për vetëqeverisje lokale përmes nenit 30 lejon që komunat “të bashkëpunojnë brenda kompetencave të tyre, me komunat dhe institucionet, përfshirë agjencitë qeveritare të Republikës së Serbisë”, dhe sqaron se bashkëpunimi i tillë do të ketë formën e ofrimit të asistencës financiare dhe teknike nga ana e institucioneve të Serbisë, duke përfshirë personelin e specializuar dhe pajimet, në zbatimin e kompetencave komunale.
Ligji për financat lokale si burime financiare komunale njeh edhe ndihmat financiare nga Serbia.
E, Ligji për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, nenin 59 në tërësi ia kushton ndihmës financiare nga Republika e Serbisë. Aty thuhet se komunat kanë të drejtë që të pranojnë ndihmë financiare nga Republika e Serbisë. Po ashtu, sqarohet se të gjitha ndihmat financiare për një komunë nga Republika e Serbisë janë të ardhura të dedikuara të asaj komune dhe do të shfrytëzohen nga komuna vetëm për qëllime që ndërlidhen drejtpërdrejt me ushtrimin e kompetencave të saj komunale.
Por bazuar në këto dispozita komunat duhet të sigurojnë që të gjitha këto ndihma financiare të depozitohen në një llogari zyrtare bankare në pajtim me kërkesat e përcaktuara në LMFPP ose në një llogari në një bankë komerciale, e cila është certifikuar nga AQBK-ja. Nëse një ndihmë financiare depozitohet në një bankë komerciale, komuna duhet ta regjistrojë atë depozitë në Regjistrin Kontabël të Thesarit.
Mirëpo, zëdhënësi i Ministrisë së Financave i Qeverisë së Kosovës, Muharrem Shahini, ka bërë të ditur se deri më tani asnjë asistencë financiare nga Serbia nuk i ka përfillur dispozitat e mësipërme.
“Sa i përket ofrimit të asistencës financiare nga Republika e Serbisë për komunat e Kosovës me shumicë serbe, ju informojmë se deri më tani nuk ka pasur asnjë mbështetje financiare apo donacion që ka kaluar përmes Ministrisë së Financave, përkatësisht Thesari”, ka thënë Shahini.
Pos këtyre mundësive të sipërpërmendura për komunat me shumicë serbe, për në veri të Kosovës është arritur edhe një aranzhim tjetër i veçantë, gjatë dialogut në Bruksel. Taksat që mblidhen në vendkalimet Jarinje/Rudnicë dhe Tabavije/Brnjak derdhen në Fondin Zhvillimor për Veriun. Sipas një njoftimi të Zyrës së BE-së në Kosovë, të muajit shtator, rreth 7.2 milionë euro janë mbledhur në llogarinë e Fondit.
Muaj më parë, Komuna e Mitrovicës së Veriut pati përfituar tri projekte nga Fondi për Zhvillim, në vlerë prej 1.5 milionë eurosh që do të përdoren për ndërtimin e një qendre për zjarrfikësit, për të mbështetur zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM), si dhe për shpronësimin e tokës për ndërtimin e një ndërtese të re të komunës. Bordi do të shqyrtojë projektet e mëtejshme të dorëzuara nga komunat veriore për aprovim në një fazë të mëvonshme. Bordi menxhues, i përbërë nga Samuel Zhbogar, kryesues i Bordit në cilësinë e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në Kosovë, ministri i Financave në Kosovë, Avdullah Hoti, në emër të autoriteteve të Kosovës, dhe Danijela Zubac në emër të komunitetit serb, vendosin për operimin e këtij fondi.
Prishtina alarmon Brukselin për ndërhyrjet e Beogradit
Në një raport që Qeveria e Kosovës ia ka përcjellë kohë më parë Brukselit, nëpërmjet të cilit e informon Bashkimin Evropian për shkallën e zbatimit të marrëveshjeve të mbërritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, alarmohet për ndërhyrjen e Beogradit.
Në këtë dokument, Qeveria e Kosovës e ka pranuar se procesi i integrimit të veriut ka prodhuar një situatë paradoksale, ku autoritetet e zgjedhura nëpërmjet procesit ligjor ushtrojnë njëkohësisht edhe veprimtari paralele në funksion të shtetit të Serbisë.
“Në këtë periudhë raportuese kanë vazhduar zhvillimet negative të shkaktuara nga Serbia. Në njërën anë Serbia punon për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, ndërsa në anën tjetër vazhdon të mbështesë strukturat e saj ilegale paralele në Kosovë. Kjo qasje e dëmshme e Serbisë ka çuar në situatën paradoksale ku të dyja strukturat komunale, legale dhe ilegale, veprojnë në pjesën veriore të Kosovës dhe më gjerë. Fenomeni është i përhapur në të gjithë Kosovën”, thuhet në raport. “Serbia vazhdon t’i mbështesë politikisht dhe financiarisht strukturat paralele ilegale”.
Për shkak të ndërhyrjeve dhe paralelizmit që vijnë nga Serbia, Qeveria ka pranuar se katër komunat veriore kanë dështuar të ofrojnë shërbime për qytetarët, siç parashihet në ligjet e Kosovës. Po kështu, pranohet se në vend të tyre, shërbimet janë duke u ofruar në mënyrë të paligjshme nga strukturat ilegale komunale.
Mbështetur në marrëveshjet e Brukselit, katër komunat veriore që mbajnë lidhje të forta me Serbinë kanë marrë pjesë në zgjedhjet lokale të Kosovës në vitin 2013. Megjithëkëtë, komunat ilegale të Serbisë në Kosovë kanë vazhduar të operojnë dhe të pengojnë punën e atyre ligjore. Pas inaugurimit të kryetarëve të ligjshëm dhe autoriteteve të tjera legale komunale, Beogradi zyrtar ka caktuar disa nga të njëjtët njerëz si kryetarë të organeve ilegale komunale. Raste të tilla ka në Komunën e Mitrovicës veriore, atë të Zveçanit, Leposaviqit, Zubin-Potokut e Shtërpcës.
Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë se ky model i sovranitetit të dyfishtë që Serbia po e shtyn përpara, ka për qëllim shkatërrimin e konceptit që Republika e Kosovës është një dhe e pandarë, një dukuri që, sipas tij, e dëmton seriozisht kapacitetin e Kosovës për t’u dukur një shtet serioz edhe në marrëdhëniet me shtetet e tjera, por edhe me organizatat ndërkombëtare.
“Strategjikisht Serbia po instalon në një rreth të ri të pushtetit të njohur edhe nga BE-ja, përmes të cilit e legjitimon prezencën e saj institucionale në Kosovë, por edhe e shkëput përfundimisht mundësinë që përfaqësimi i serbëve në Kosovë të bëhet në respekt për Kushtetutën dhe institucionet e Republikës së Kosovës”, ka thënë Korenica. “Një gjë e tillë hap shumë kapituj kontestimi për Kosovën, si në kuptimin e brendshëm, ashtu edhe atë të jashtëm, dhe prodhon situata që mundësojnë që Qeveria e Beogradit të bëhet aktor i brendshëm politik për çdo proces të rëndësishëm në Kosovë, që është rrezikim serioz i vizionit për një demokraci kushtetuese në republikën tonë”.
Beogradi vazhdon me konceptin e “dykuptimësisë konstruktive”
Ndërkohë, drejtuesi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në një intervistë të mëhershme për “Kohën Ditore” e pati quajtur këtë dykuptimësi konstruktive.
“Ajo çka është e mirë është se kemi institucione që i pranojnë njëra dhe pala tjetër. Dhe kjo është ajo që ne duam ta arrijmë. Që të lëmë anash rrëfimin se ekzistojnë institucionet e vetëm njërës palë apo tjetrës palë. Në Kosovë dhe Metohi duhet të ekzistojnë institucionet e përbashkëta dhe ato të funksionojnë pavarësisht nga mosmarrëveshjet për çështjen e statusit. Dhe kjo është ajo që e quaj dykuptimësia konstruktive”, ka thënë ai.
Mirëpo, të njëjtin qëndrim nuk e ndajnë zyrtarët e Ekzekutivit të Kosovës. Përmes një shkrese që ministrja për dialogun, Edita Tahiri, ia kishte drejtuar Bashkimit Evropian në fillim të këtij viti kishte konsideruar se veprimet e Serbisë në këtë drejtim janë thelbësisht destruktive dhe që kanë për qëllim përmbysjen e arritjeve të shumta nga procesi i dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë dhe cenojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Ndërhyrjet ilegale të Serbisë në Kosovë përherë kanë qenë veprime negative dhe kanë krijuar tensionime dhe destabilizim. Këto veprime nuk janë në përputhje me frymën e BE-së për fqinjësi të mirë dhe stabilitet rajonal, përkundrazi janë akte dëshpërimi kur tentohet të pengohet legjitimiteti demokratik dhe puna e kryetarëve komunalë të zgjedhur në mënyrë të rregullt në bazë të Kushtetues dhe ligjeve të Republikës së Kosovës”, thuhej në reagimin e Qeverisë së Kosovës.
Javë më parë zyrtarët qeveritarë në Prishtinë kanë shprehur besimin se kjo situatë nuk do të zgjasë shumë.
Zëvendësministri i MAPL-it, Bajram Gecaj, ka thënë se janë duke punuar që kjo dukuria e mbajtjes së njëkohshme të “dy kapelave” të marrë fund.
“Ende kemi probleme dhe telashe për shtrirjen e plotë të autoritetit në tërë territorin e Kosovës”, ka thënë ai. “Në Bruksel jemi pajtuar se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk do të funksionalizohet pa shpërbërjen e plotë të strukturave paralele, e që përfshin edhe funksionet e dyfishta”.
Në anën tjetër, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë pohon se do të vazhdojë përkrahjen e komunave me shumicë serbe edhe pas krijimit të Asociacionit.
“Kur të formohet Asociacioni i Komunave Serbe, Serbia do të vazhdojë që intensivisht të ofrojë përkrahjen financiare dhe mbështetjen tjetër për komunat me shumicë serbe në Kosovë, gjë që nuk ka asnjë lidhje me faktin se këtyre komunave ju transferohen edhe mjete nga buxheti krahinor i Kosovës”, ka bërë të ditur kjo Zyre.
Ndërkohë ish-kryetari i Komunës paralele të Gorës, Murselj Huseini, ka pranuar se është bërë pishman që ka ushtruar dikur këtë detyrë për faktin se që prej shkarkimit ka mbetur i padëshiruar si për Serbinë, e po aq më shumë për institucionet e Kosovës.
“Kam pasur dëshirë që të kemi një komunë në këmbë të shëndosha, duke besuar se një ditë do të vijnë gjërat në vend të vet, qoftë nën Serbi, qoftë nën Kosovë, megjithëse nën Serbi shumë vështirë… Mendoj se jam penduar, pasi që si individ tani ndiej se kam mbetur askund”, ka thënë Huseini.
Kjo storje është realizuar në kuadër të projektit Kosovo Serbia: LIVE, implementuar nga NUNS dhe KosovaLive, të cilin e financon Bashkimi Evropian në kuadër të Mbështetjes Shoqërisë Civile 2013. Përmbajtja e kësaj storjeje dhe qëndrimet e paraqitura në të janë përgjegjësi ekskluzive e autorit dhe nuk pasqyrojnë pikëpamjet dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian.