Besiana Behrami, studente e Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës thotë se për të tani prioritet është krijimi i familjes, të gjejë një bashkëshort dhe të bëjë fëmijë.
“Në radhë të parë për mua vjen familja e pastaj karriera. Mendoj se do të arrijë qëllimet e mia në jetë atëherë kur do të jem një nënë dhe femër e zonja”, thotë ajo.
Nuk është ky rasti i vetëm: viteve të fundit edhe në Kosovë po ka raste kur femrat, në një periudhë të caktuar të jetës, më shumë janë të interesuara për karrierën se sa të martohen dhe të lindin fëmijë.
Në një hulumtim të revistës mjekësore britanike “Health and Social Behaviour Journal”, në të cilin u përfshinë 3,000 nëna të reja, rezultoi se mosha 34 vjeçare perceptohet si ideale për të lindur fëmijën e parë. Rrjedhimisht, gratë pas përfundimit të fakultetit preferojnë marrjen me karrierë se sa me krijimin e familjes.
Studentja Armenda Berisha 24 vjeçare, të ardhmen e saj e sheh vetëm si një femër dhe bashkëshorte e sukseshme, mirëpo jo patjetër edhe si një nënë.
“Duhet përmbysur këtë mentalitet ku femra domosdoshmërisht duhet të jetë edhe nënë. Një femër mund të ndjehet e përmbushur emocionalisht edhe pa pasur fëmijë”, thotë ajo.
Sociologja Drita Shumolli nga Fushë Kosova thotë se mentaliteti kosovar ende e sheh femrën domosdoshmërisht si një nënë. Mirëpo, sipa ssaj, kjo ka filluar të ndryshojë kohëve të fundit me emancipimin e femrës në shoqëri.
“Statusi i nënës është një zgjedhje personale e secilës femër, andaj si e tillë nuk duhet gjykuar nga askush”, thotë ajo.
Sipas saj shprehja “nuk dua fëmijë” ende është tabu për shumicën, mirëpo të gjithë duhet të jetojnë ashtu siç ju përshtatet atyre.
Shqipe Ademi, 36 vjeçare nga Prishtina, është një nga femrat e rralla të cilat nuk e fshehin se fare nuk dëshirojnë të kenë fëmijë dhe përqendrohen në karrierën e tyre.
Vendimi që e ka marrë me bashkëshortin e saj Adnanin, sipas tyre, pranohet vështirë nga të tjerët për shkak të mentalitetit kosovar që “e sheh femrën vetëm si nënë e asgjë më shumë”.
Çifti Ademi, ndërkaq, nuk ka problem me këtë vendim të tyre dhe thonë se “nuk do të sakrifikojnë jetën e tyre për fjalët e të tjerëve.”
Për çiftin Rama është e palogjikshme mosdëshira për të pasur fëmijë: Fikretja 39 vjeçar edhe bashkëshorti saj Avniu 43 vjeçar, ardhjen në jetë të një fëmijë e shohin si një bekim, e asessi si pengesë.
“Kemi provuar çdo mënyrë mirëpo ende nuk kemi arritur të sjellim në jetë një fëmijë. Ndoshta sepse ne i duam shumë fëmijët nuk mund të pranojmë që dikush me vetëdëshirë të refuzojë një fat të tillë. Për ne kjo është absurde”, thonë ata.
Sipas të dhënave të, në vitin 2015 janë regjistruar gjithsej 17,494 kurorëzime, prej tyre pjesa dërmuese brenda Kosovës – 16,274, ndërsa jashtë Kosovës 1,220 kurorëzimeve.
Në moshën 16-19 janë regjistruar 1,431 kurorëzime, në moshën 20-24 janë regjistruar 5,604 kurorëzime, në moshën 25-29 janë kurorëzuar 4,095 çifte. Gjatë moshës 30-34 janë kurorëzuar 2,168 çifte. Gjithsej 2,689 çifte të kurorëzuar në këtë vit janë të moshës 35 deri në 49 vjeç, ndërsa mbi moshën 50 vjecare vetëm 287 çifte.
Nga të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës në këtë vit kishin lindur gjithsej 31,433 fëmijë.
Më së shumëti fëmijë kishin lindur nga nga martesat e çifteve të moshës 25-29 – 8,611, nga ato moshës 30-34 – 6,029, të moshës 20-24 – 5,768 fëmijë, e më së paku nga martesat e çifteve të moshës – 287 fëmijë.
Është indikative se po në këtë periudhë 2,677 fëmijë kishin lindur nga nënat e moshës 35-39 vjeçare, 605 fëmijë nga nënat e moshës 40-44 vjeçare, 60 fëmijë nga nënat e moshës 45-49 vjeçare, ndërsa më së paku – 7 fëmijë kishin lindur nga nënat mbi moshën 50 vjeçare.
Xheneta Hasani