Build Skills with our trainings

Sign up now!

Në mes të cilësisë dhe çmimit të mishit, kosovari zgjedh këtë të fundit, e pastaj ankohet

Tet 12, 2017

Çmimet e lira të produkteve të mishit nëpër disa pika shitëse, si në tregje të hapura apo markete, kanë shtyrë shumë qytetarë t’i blejnë e konsumojnë pa marrë parasysh cilësinë e tyre.

Rastet e fundit kur në doganë u ndaluan 20 tonë me mish gjedhi pa afat nga Belgjika dhe helmimi i mbi 100 fëmijëve nga konsumimi i mishit në një qebaptore në Mitrovicë, prapë kanë hapur pyetjen në mes qytetarëve se çfarë mishi po importohet dhe konsumohet.

Në një anketë të shkurtë dhe jopretencioze, të realizuar nga KosovaLive me dhjetra qytetarë të qyteteve të ndryshme, doli se shumica prej tyre produktet e mishit i blejnë në mishtore me çmime më të larta, ndërsa vetëm një numër i vogël në markete. Po ashtu, shumë prej tyre kishin hasur në produkte të mishit pa afat dhe të prishur, kryesisht në markete, ndonëse asnjëri nga ta nuk e kishin lajmëruar këtë tek organet kompetente.

Shahe Kastrati, e cila shpesh kishte hasur në mish të prishur në marketet e Kamenicës, ku edhe jeton, tregon pse nuk preferon blerjen në këto shitore, e sidomos shpreh dronë për blerjen e produkteve që origjinën e kanë nga Brazili.

“…Andaj nuk e blej atë. Unë e përdori mishin që shitet në mishtore, pasi që është më i freskët”, thotë ajo.

Kryetari i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku thotë se nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë vazhdimisht sigurohemi se artikujt e mishit që i ofrohen tregut dhe konsumatorit janë të sigurta.

“Në treg ne gjejmë edhe oferta të dyshimta. Shikoni ofertat e disa marketeve. Te shumica oferta e mishit është kapluar me borë e akull, që sinjalizon cilësinë dhe skadencën, disa kanë nisur të marrin ngjyrë të kaltërt. Shikoni funksionimin e frigoriferëve: nën dritat e neonit çdo lloj i mishit duket më i freskët se që është realisht. Disa lloje të kaçikave të pulës kanë tepricë ashti, që realisht dhe konform standardeve do të duhej pastruar,” thotë ai.

Një produkt shumë i përdorur në tryezat e kosovarëve, suxhuku, mund të blihet edhe për 1.50 euro për një kilogram në markete, krahasuar me deri në 7 euro e më shumë në mishtore.

Sipas Kaçanikut, nga çmimi i ulët i disa ofertave të suxhukut shihet se diçka me to nuk është në rregull, dhe se kemi të bëjmë me “suxhuk industrial me përbërës kryesor dhjamin dhe mëlmesat.”

“Në teren, në markete po ndodhin gjëra befasuese edhe të çoroditura. Kohë më parë në një market në Podujevë është gjetur brejtësi në suxhuk. Një lopë e pësuar nga aksidenti i trafikut në Vushtrri është gjetur nga organet tek kontrabandohej për qëllime të përpunimit të mishit në drejtim të Pejës. Kemi pasur dyshime se edhe mishi i ngrirë nga Brazili është përpunuar dhe i është ofruar qytetarit konsumator,” rrëfen ai.

Ai njëherësh rikujton rastet e kapjes, vite më parë, në Portin e Durrësit të afro 400 tonë të mishit të skaduar që ishte dedikuar tregut dhe konsumatorit të Kosovës, sikur edhe dërgimin, .në formë të ndihmave humanitare të rreth 160 tonëve konserva peshku, po ashtu me afat të skaduar.

Labinot Talla, menaxher në fabrikën e përpunimit të mishit “Kuvilab-Oreks” në Prishtinë, thotë se kosovarët i përdorin mjaft produktet e mishit, por fatkeqësisht i përdorin ato më të lirat.

“Prodhimet tona janë mjaft të sigurta dhe cilësore pasi që ne lëndën e parë d.m.th. mishin e marrim nga Holanda, i cili është një prej vendeve me standardet e mishit më të rrepta dhe gjithashtu shquhet për mish me kualitet. Ne asnjëherë nuk përdorim mish të vjetër. Çdo muaj e porosisim kamionin me mish direkt nga Holanda, vetëm se ta bëjmë produktin sa më të freskët”, thekson ai.

Sipas tij, afati i qëndrimit të mishit në markete është tre muaj, por nëse temperaturat në frigoriferët ku mbahen nuk janë në rregull, atëherë produkti ka shumë gjasa të jetë i prishur.

Në një prononcim për KosovaLive, Lamir Thaçi, zyrtar për informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), shpjegon se marketet në Kosovë nuk kontrollohen vetëm nga inspektorët veterinar fitosanitar dhe sanitar të AUV-së, por edhe  nga inspektorët gjegjës në kuadër te komunave.

“Sa herë që kemi hasur në produkte të dyshimta me origjinë shtazore, të cilat kanë qenë duke u ruajtur në kushte joadekuate, por kemi pasur raste edhe kur në markete ka pasur produkte me afat të skaduar, nga ana e inspektoratit është bërë konfiskimi dhe asgjësimi i produkteve dhe kemi bërë inicim të procedurave në gjykatë”, thotë ai.

KosovaLive ka tentuar disa herë të mësojë se sa kilogram mish është konfiskuar në Kosovë vitin e kaluar, por zyra për informim në AUV, nuk ka dhënë asnjë përgjigje.

Vitin e kaluar, bazuar në dy kumtesa për shtyp, Inspektorati Veterinar kufitar i AUV ka asgjësuar 20 tonë mish gjedhi nga Belgjika dhe 20 tonë mish të pulës me origjinë nga Britania e Madhe.

Sipas Departamentit të Analizave Ekonomike dheStatistikave Bujqësore, vetëm vitin e kaluar në Kosovë janë importuar mbi 4,8 milionë kilogramë mish gjedhi të përpunuar.

Shtetet nga të cilat është importuar më së shumëti janë: Sllovenia me gati 2,4 milionë kg, Italia mbi 927 mijë kg, Kroacia mbi 366 mijë kg, Mali i Zi mbi 155 mijë kg dhe Bosnjë-Hercegovinë me mbi 149 mijë kg.

Agjencia e Statistikave të Kosovës, ndërkaq pohon se vetëm vitin e kaluar në Kosovë janë importuar kafshë të gjalla dhe produkte me origjinë kafshe me vlerë rreth 110 milionë euro, ndërsa janë eksportuar me vlerë 775 mijë euro.

Thaçi thekson se të gjitha produktet ushqimore që importohen në Kosovë në mënyrë të rregullt kontrollohen në pikat doganore.

“Çdo ngarkesë e importuar i nënshtrohet kontrollit të detajuar. Së pari fillon procedura e kontrollit të dokumentacionit, i cili duhet të jetë në origjinal, ku në të përfshihet certifikata shëndetësore e origjinës së produktit dhe dokumentacioni tjetër përcjellës që dëshmon sigurinë e produktit për konsum. Pastaj, fillon kontrolli fizik dhe organoliptik. Pas tërë kësaj kontrolle inspektori merr mostrën për analiza laboratorike dhe kur merren rezultatet vendoset për procedim më tutje. Vetëm kur produkti i plotëson të gjitha kriteret ligjore gjatë tërë procesit të kontrollit, ai del në treg për konsum”, thekson ai.

Sipas ligjit për Blegtorinë e Kosovës, personi që prodhon, përpunon, ruan, importon dhe tregton ushqime për kafshë dhe aditive jashtë standardeve, mund të dënohet me gjobë prej 1.000 deri në 10.000 euro.  Në rastet më drastike, inspektori mund t’ia marrë përkohësisht objektin kryesit të kundërvajtjes, ndërsa Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural mund t’ia tërheqë edhe licencën.

Kaçaniku i “Konsumatorit” e sheh problemin edhe në atë se asnjë institucion nuk është duke  përmbushur obligimin i cili buron edhe nga Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit – që ta informojë konsumatorin për të drejtat e tij.

Me këtë ligj rregullohen dhe mbrohen të drejtat themelore të konsumatorëve gjatë blerjes së mallrave, shërbimeve dhe formave tjera në tregun e lirë si dhe detyrimet e shitësit, prodhuesit dhe furnizuesit.

Arbresha Berisha

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM