Build Skills with our trainings

Sign up now!

Vendosja në konvikt është 35 €, por çmimi “nën dorë” mbërrin edhe mbi 150 €

Tet 25, 2017

A.B. studente e diplomuar sivjet nga Universiteti i Prishtinës, e ardhur nga Gjilani, e duke mos pasur kushte që të paguajë banesë pasi që nuk ishte pranuar në konvikt, tregon se e kishte blerë lejen e qëndrimit në konvikt nga një vajzë e cila i kishte ofruar këtë mundësi.

“Para dy viteve një vajzë e cila ishte pranuar por nuk donte të qëndronte në konvikt më dha kartelën e saj. Ajo më dha kartelën ndërsa unë i dhashë vetëm pagesën sa ajo kishte paguar kur ishte pranuar dhe nuk më ka kërkuar para shtesë”, thotë ajo.

Gjatë qëndrimit në konvikt nuk kishte hasur në asnjë problem.

Çmimi për banim në konvikt është 35 euro për muaj (20 euro banimi, 15 euro ushqimi) dhe është njëra ndër arsyet e shumëta që studentëve u konvenon më shumë gjatë periudhës së studimeve se sa të banojnë në ndonjë apartament me qera.

Edhe studentët e tjerë tregojnë jo pak raste kur disa prej tyre edhe pse fitojnë të drejtën që të banojnë në konvikt, gjejnë zgjidhje të tjera dhe kartelën për qëndrim në konvikt dhe për ushqim në mensë, e shesin tek studentët e tjerë të interesuar për to. Nuk janë rastet e pakëta edhe të banimit ilegal  në dhomën e ndonjë studenti më me fat.

Një “blerëse” tjetër e kartelës së konviktit tregon se vendin në konvikt e kishte blerë për shkak se mësimi dhe udhëtimi njëkohësisht paraqiste problem për të.

“Jo sepse unë jam larg, por në shtëpi kemi më shumë punë dhe s’kam shumë kohë të mirrem me mësime. Kartelën e kam blerë 150 euro”, thotë Y.V.

Në konviktet e Qendrës së Studentëve (QS) të Universitetit të Prishtinës (UP),  çdo vit shpallet konkurs për pranimin e studentëve për banim në konvikte dhe për ushqim në mensë, ku gjithëherë ka shumë të interesuar. Zgjidhja për banimin gjatë studimeve mbetet një ndër çështjet më kryesore që i hasin studentët që vijnë nga qytete e tjera të Kosovës.

Këtë vit QS ka pranuar rreth 4,000 studentë, të cilëve u siguron strehim, ushqim si dhe hapësirat për lexim, studim, sport dhe aktivitete tjera të ndryshme.

Përzgjedhja e kandidatëve të cilët fitojnë të drejtën për strehim dhe ushqim bëhet në bazë të kritereve të përcaktuara me konkurs, ku si kriter themelor është që komuna nga vjen studenti të rregullt të jetë së paku 25 km larg Prishtinës.

Eldiana Azemi, studente e Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore (FSHMN) e cila banon në konvikt, tregon se ka dëgjuar për dukurinë e shitblerjes së vendeve në konvikt.

“Mendoj që nuk është e drejtë por deri në një masë ndoshta edhe i kuptoj ata që duan patjetër të hyjnë në konvikt, për shkak se kushtet për ne studentët janë më të mira”, thotë ajo.

Isak Beha, shef i strehimit në Qendrën për Studentë pohon se kanë hasur raste të shitblerjes dhe se QS ka aktivizuar mekanizmat për t’i mbrojtur rregulloret dhe kriteret e veta.

“Si rezultat i kësaj, ata studentë të cilët kanë publikuar shitblerje të vendeve në profilin zyrtar të Qendrës së Studentëve apo edhe atë personal, QS ka nxjerrë të dhënat e tyre dhe i ka shpërndarë listat nëpër të gjitha konviktet por edhe në profilin zyrtar”, thotë Beha.

Atyre studentëve, sipas tij, rrjedhimisht iu janë marrë vendet dhe nuk kanë mundur të vendosen në konvikte.

Vetëm gjatë periudhës së sivjetme të vendosjes së studenteve u hasën 16 raste të shitblerjeve të vendeve në konvikte.

Studentja Liridona Berisha, një banuese tjetër e konviktit, konsideron se ata që nuk duan të banojnë në konvikt, nuk do duhej të aplikonin fare dhe t`ia zinin vendin dikujt tjetër.

“Meqenëse është një dukuri mjaft e përhapur, mendoj se ka një anë pozitive pasi që shumë studentë nuk kanë mundësi të paguajnë banesë dhe të ushqehen jashtë, kështu që paguajnë një shumë të caktuar në fillim dhe pastaj tërë vitin mund të ushqehen në mensë dhe të paguajnë vetëm 20 euro për strehim”, thotë ajo.

Njomza Berisha

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM