Build Skills with our trainings

Sign up now!

Dinamika e punës, zyret u ndryshuan për gazetarët gjatë Covid-19

Qer 29, 2020

Me 13 mars 2020 rezultuan dy personat e parë të prekur me Covid-19 në Kosovë. Atë pasdite, ish-kryeministri dhe ish-ministri i shëndetësisë po mbanin konferencë për shtyp të cilën po e ndiqnin nga afër gazetarë të shumë mediave. Po atë ditë, orë më vonë, qeveria do mbante mbledhje ku do merrte vendime për shkak të gjendjes së re të krijuar në vend.

Gazetarët vazhdimisht njoftonin me më të rejat publikun. Ndër tjera, u njoftua se nga vendimet e qeverisë ishte mbyllja e shumë bizneseve, ndalimi i transportit publik e mbyllja e aeroportit, karantinimi i disa rajoneve të vendit, si dhe limitimi i qarkullimit të qytetarëve. Mediat s’do prekeshin nga masat drastike të qeverisë. Punëtorëve të mediave ju duhej vetëm një mjet identifikimi dhe mund të qarkullonin të lirë për punën e tyre. Por, puna e gazetarëve s’do mbetej e paprekur përgjatë pandemisë.

‘‘Ndryshimi më i madh ishte fakti se pandemia u shndërrua në prioritet. Shumica e edicioneve të lajmeve fillonin me të rejat më të fundit rreth pandemisë në vend. Numrit të të vdekurve, të të infektuarve, gjendjes së tyre shëndetësorë’’, thotë Teuta Arifaj, gazetare e Kohavisionit.

Pos që pandemia kishte zaptuar skemën programore të mediave, gazetarët në Kosovë po përballeshin edhe me një mënyrë të re të raportimit për shkak se tema ishte e tillë.

‘‘Meqë ekspertë mjekësorë megjithatë nuk jemi, ndonëse duhej të silleshim si të tillë, nganjëherë verifikimi i informatave paraqiste sfidë, e gjithë kjo me qëllim që të raportonim saktë pa ngjallur panik’’, thotë Arifaj për periudhën ku vazhdimisht bëhej thirrje për të pasur kujdesë por të mos bëhej panik. Sipas saj, ‘‘nga bindja ime personale, është vërejtur që në vend kemi mungesë të gazetarëve e redaktorëve, njohës të mirë- pothuajse në përsosmëri, ekspert, të shëndetit publik’’.

‘‘Pandemia dhe izolimi i imponuar kanë shkaktuar telashe logjistike në përpilimin e storjeve, megjithatë nuk vlerësoj se kjo ka ndikuar në raportim. Fillimisht mendoj se mediat në Kosovë, gjatë periudhës së pandemisë ndoshta për herë të parë ndodhë kjo, janë treguar shumë korrekte në raportimin e tyre. Kanë ruajtur qetësinë, nuk kishte tendenca për ekzagjerime dhe ndjellje të panikut mes popullatës’’, vazhdon Arifaj.

Vështirësi tjetër që zyret e lajmeve hasën përgjatë pandemisë ishte zhvillimi i takimeve e intervistave, kjo pasi vazhdimisht preferohej të shmangeshin takimet mes njerëzve më mënyrë që të ruhet shëndeti.

‘‘Takimet me palë dhe burimet është dashur të shmangen ndërsa kalimi në takime virtuale nuk është që ka zgjidhur problemet’’, thotë kryeredaktori i Kallxo, Kreshnik Gashi.

Edhe në nivel global, përgjatë pandemisë mediat kanë preferuar që gazetarët e tyre t’i zhvillonin intervistat onllajn, apo edhe takimet për të marr informata. E kjo, sipas Gashit, ka ndikuar për të keq sidomos në gazetarinë investigative, sidomos në Kosovë.

‘‘Burimet e informacionit në Kosovë preferojnë kontaktin fizik me gazetarët për shkak se ndjehen të pasigurt nga përgjimet në telefona dhe në rrjete sociale. Kjo ka vështirësuar dhe minimizuar rezultatet në zbulim të rasteve të mëdha dhe hulumtime cilësore’’, thotë ai.

Pos sigurisë dhe ruajtjes së burimeve, në Kosovë vështirësi ishte edhe qasja tek informatat përmes dokumenteve zyrtare, e që për Gashin vazhdon të jetë një prej problemeve kryesore me të cilat përballen gazetarët në Kosovë.

‘‘Shumica e dokumenteve zyrtare në Kosovë janë në formë hard copy dhe nuk janë të qasshme në mënyrë elektornike’’, thotë Gashi. Ai vazhdon se kjo u vështirësua pasi ‘‘gjatë kohës së pandemisë zyrtarët kanë qenë në pushime’’ dhe vazhdimisht janë arsyetuar me këtë se gazetarëve nuk mund të ju ofrojnë qasje në dokumente, apo edhe se ‘‘janë duke punuar nga shtëpitë’’.

E për të ruajtur burimet e gazetarëve, Arifaj thotë se media ku ajo punon ka marr disa hapa për të siguruar që bisedat onllajn të gazetarëve me burimet e tyre të ishin të sigurta.

Pos metodave të punës, gazetarëve do ju ndryshohej edhe ambienti i punës. Shumë media do përgjysmonin numrin e punëtorëve që punonin nga zyret, e të cilët do punonin nga shtëpitë. Kjo do të paraqiste probleme të udhëtimit, pasi transporti publik veçse ishte ndaluar. E gazetarët që punonin nga zyrat kishin edhe një problem tjetër.

‘‘Frika nga infektimi i mundshëm dhe përhapja e virusit në redaksi paraqiste sfidë jo vetëm për shëndet por dhe mendore për shkak të stresit që krijonte vigjilenca e vazhdueshme’’, thotë Arifaj. Për këtë, në fillim të pandemisë, shumë nga kolegët e saj kanë punuar pa qëndruar në zyre, por që ishte arritur që ‘‘puna në redaksi vazhdonte me rrjedhën e natyrshme’’.

Redaktori e gazetari Gashi kujton se me të nisur pandemia është shtuar paniku tek gazetarët për shkak të rrezikut nga virusi. ‘‘Gjatë kësaj kohe është dashur që në disa raste të mbahen trajnime për kolegët e poashtu të rikthehet vëmendja për masat mbrojtëse në mënyrë që të shmanget rreziku për infektim’’, thotë ai.

Në Kosovë ende nuk ka të dhëna nëse gazetarët janë prekur me Covid-19 si pasojë e punës së tyre. Në anën tjetër, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë thirrje ndaj mediave e institucioneve që të krijohen kushte të përshtatshme për të ruajtur shëndetin e gazetarëve përgjatë raportimit.

Mediat kishin vështirësi për krijimin e kushteve për gazetarët, pasi edhe u prekën financiarisht.

‘‘Tek disa media kriza e pandemisë është shoqëruar me ulje të të hyrave financiare dhe të marketkingut dhe largim të stafit nga puna. Kjo ka krijuar situatë varfërimi për gazetarë, e poashtu një ndjenjë frike tek të gjithë për vendet e tyre të punës. Mediat të cilat funksionojnë duke krijuar të hyra nga rrjetet sociale poashtu kanë pasur problem financiare për shkak se Facebook dhe google Adds kanë ulur shumat e pagesave për shkak të pandemisë’’, thotë Gashi.

Edhe në televisionin ku punon Arifaj, vështirësitë financiare u shfaqën.

‘‘Përpos problemeve të zakonshme me të cilat ballafaqoheshim si gazetarë, pandemia solli pikë së pari telashe financiare. Si medium i pavarur që jemi, të ardhurat tona në masë të madhe varen nga reklamat. Për shkak të mbylljes së shumë bizneseve, kanë munguar edhe reklamat, rrjedhimisht të ardhurat (pagat) tona ishin në rrezik’’, thotë Arifaj.

Për Arifajn pandemia ndryshoi punën e gazetarëve. ‘‘Praktikat të cilat tashmë janë përdorur gjatë izolimit, sikurse komunikimi online dhe përgatitja e storjeve po ashtu duke u mbështetur në këtë mendoj se do të mbetet edhe për një kohë të gjatë në praktikën e gazetarëve’’.

Se gazetaria është transformuar prej pandemisë e thotë edhe raporti  “Journalism and the Pandemic”. Në studimin ndërkombëtar thuhet se ‘‘pandemia po transformon punën e përditshëm të mbledhjes dhe botimit të lajmeve’’. Sipas tyre, puna e gazetarëve për të mbajtur të informuar publikun dhe kërkuar llogari ndaj qeverive kurrë nuk ka qenë me e rrezikuar. E po ashtu se dezinformimi, rreziqet e sigurisë dhe kërcënimet për lirinë e shtypit janë në rritje.

Ngadhnjim Avdyli

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Promovimi i Edukimit Medial dhe Forcimi i Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor”, i cili realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasades Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e Kosovalive dhe nuk pasqyron domosdoshmerisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM