Build Skills with our trainings

Sign up now!

Disa komuna u përballën më lehtë, disa më vështirë me pandeminë

Gus 10, 2020

Derisa Kosova kishte hyrë në muajin e gjashtë që kur ishte shfaqur rasti i parë, komuna e Drenasit deri me datën 06 gusht 2020, numëronte 222 raste të konfirmuara me Covid-19.

Kjo komunë deri në muajin qershor, kishte qenë ndër komunat me më së paku të prekur nga ky infeksion, me vetëm 3 persona pozitiv, e sipas kryetarit të kësaj komune, Ramiz Lladrovci, kultura dhe disiplina e qytetarëve kishte bërë që kjo komunë të jetë model për menaxhimin e kësaj situate.

mbledhjen komunale të Shtabit Emergjent dhe Qendrës Emergjente Lokale në Drenas, të mbajtur me datën 14 korrik 2020, drejtori i Shëndetësisë, Arsim Haxhiu kishte raportuar për 60 raste aktive të konfirmuara me Covid-19 pozitiv, prej tyre 12 raste të hospitalizuara në SHSKUK dhe 48 raste të tjera nën mbikqyrjen e e Kujdesit Parësor Shëndetësor.

Mungesa e përvojës me situata të tilla pandemie, vlerësohet të ketë qenë sfida më e madhe për të gjithë, megjithatë komuna e Drenasit kishte edhe mungesë të mjeteve mbrojtëse medicinale për stafin mjekësorë.

Kryetari i komunës së Drenasit është shprehur i pakënaqur me furnizimin që iu ka bërë Ministria e Shëndetësisë, duke shtuar se kanë pasur donacione nga barnatoret e ndryshme të cilat e kanë ndihmuar QKMF-në në Drenas dhe Komoran.

Ministria e Shëndetësise e ka furnizuar në një masë shumë të vogël, gjë që jemi të pakënaqur me ato mjete mbrojtëse”.

Mungesa e mjeteve mbrojtëse ka bërë që puna e infermirëve vullnetarë të paraqitur në QKMF-në e Drenasit të vështirësohet. Fati i mirë, sipas infermierit vullnetar i paraqitur në QKMF-në në Drenas, Besjan Binaku, ishte se numri i të infektuarve me Covid-19 ishte i vogël.

Deri në muajin maj, nga QKMF-ja e Drenasit kishin shkuar 40 persona për testim por të gjithë dolën negativ. Bazuar në këtë, sipas Drejtorit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Arsim Haxhiut, deri në fund të muajit maj, kjo komunë praktikisht nuk kishte pasur të infektuar me koronavirusin Covid-19, por që dy raste kanë figuruar në listën e IKSHPK-së.

Me fillimin e zbatimit të masave të ndërmarra me 11 mars 2019, nga Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë për mbrojtjen e qytetarëve ndaj infeksionit, qytetarët e Komunës së Drenasit u përballen me një gjendje jo të lehtë ekonomike si pasojë e moszhvillimit të punës dhe aktiviteteve dhe për këtë.

Shumë familje ishin paraqitur për ndihmë tek komuna për pako ushqimore dhe higjienike, të cilat pastaj komuna i kishte ndihmuar familjet me  pako ushqimore dhe higjienike, derisa identifikimi i familjeve në nevojë dhe përzgjedhja e tyre, është bërë nga administratorët e fshatrave dhe komuna, duke i kontrolluar listat e personave që marrin asistencë sociale nga shteti.

“ Ne i kemi dalur në ndihmë çdo qytetari në nevojë të komunës sonë në këta muaj të pandemisë”, ka thënë Lladrovci, kryetar në komunën e Drenasit.

Në anën tjetër, drejtori për Shëndetësi i kësaj komune, Arsim Haxhiu thotë se i kanë shtuar ekipet mjekësore në 24 sosh, për menaxhimin sa më efikas të situatës epidemiologjike në këtë komunë. Paraqitja e mjekëve dhe infermierëve vullnetarë, sipas Haxhiut ka ndihmuar mjaftueshëm.

Duke parë gjendjen emergjente në Republikën e Kosovës, komuna e Drenasit kishte formuar Shtabin Emergjent Operativ i cili ka funksionuar në bashkëpunim me komunat e tjera, për menaxhimin e situatës epidemiologjike.

Si masë parandaluese ndaj Covid-19, Komuna e Drenasit mori vendim që të mbyllet edhe Zyra Komunale e Punësimit, pasi nuk ishin respekuar vendimet dhe rekomandimet e IKSHPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë, për pajisjen me masa mbrojtëse dhe dezinfektimin e objektit.

Po ashtu është aplikuar ndalimi i qarkullimit të qytetarëve të Komunës së Drenasit si masë preventive ndaj infeksionit Covid-19. Përmes një vendimi, komuna kishte paraparë që prej datës 28 maj 2020 të ndalohet qarkullimi i qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 5:00 të mëngjesit. Derisa vendimi paraprak i ndërmarrë me datën 03 maj 2020, ndalonte qytetarët e kësaj komune të qarkullojnë, vetëm në raste specifike të cekura në vendim.

Gjithashtu është ndarë edhe një shumë e mjeteve financiare nga kjo komunë, e paraparë për menaxhmin sa më efikas të situatës epiemiologjike. 229 mijë e 200 euro janë bartur për mbulimin e kërkesave dhe nevojave të Shtabit Emergjent në Komunën e Drenasit, për menaxhim të situatës.

Në një mbledhje komunale, kjo komunë mori vendim që për vitin 2020 të lirohen nga taksa të gjitha bizneset që operojnë në Drenas.

Menaxhimi i situatës me pandeminë Covid-19 nga komunat e tjera në Kosovë

Përderisa e gjithë bota po luftonte me rezistencë të madhe ndaj koronavirusit dhe shumë shtete u izoluan me qëllim të mos përhapjes më të madhe të tij, rastet e para me këtë virus në Kosovë u shfaqën me 13 mars 2019.

Por, pak para paraqitjes së rasteve të para me Covid-19 në vendin tonë, Qeveria e Kosovës me 11 mars, 2020 aprovoi masat parandaluese në funksion të mbrojtjes nga Covid-19, e për t’u siguruar që këto masa po zbatohen, në krye të detyrës ishte Policia e Kosovës.

Baki Kelani, zëdhënës në Zyrën për Informim në Policinë e  Kosovës, thotë se policia ka arritur ta menaxhojë këtë situatë mirë, duke e zgjatur orarin e punës për zyrtarët policorë në 12 orë punë dhe duke shtuar stafin policor aty ku ishte nevoja.

“Fillimisht i kemi njoftuar për vendimet të cilat janë marrë, por njëkohësisht kemi shkuar në hapjen e rasteve ndaj atyre të cilët nuk i kanë respektuar vendimet, ndërsa shqiptimin e gjobave, e kanë realizuar inspektorët sanitarë”.

Me pak raste të konfirmuara kishte kaluar komuna e Drenasit, por të njejtin fat apo sukses nuk e kishin shumica e komunave të tjera të Kosovës, ku disa prej tyre numërojnë gati më mijëra raste të konfirmuara me Covid-19 deri më tani.

Komuna e Vitisë u përball me infektimin e parë me koronavirus, e për këtë, Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e nëntë të mbajtur me 13 mars 2020, mori vendim që të ndalojë hyrje-daljet në këtë komunë dhe në komunën e Klinës gjithashtu.

Për ta përcjellur gjendjen në këtë komunë, si vullnetar u paraqit Tefik Salihu, i cili në kohë pandemie ka kryer detyrën e zëdhënësit të Komitetit në Komunën e Vitisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

“Komuna e Vitisë dhe QKMF-ja ka futur në karantinë 17 punonjës të QKMF-së, përfshirë mjekë, punonjës teknik të cilët kanë pasur kotakt me pacientin e parë në Kosovë me Covid-19”, ka thënë Salihu për KosovaLive.

Me karantinimin e shumë familjeve në këtë komunë, sikurse në tërë Kosovën, ishte paraqitur nevoja për ndihma, pako ushqimore, higjienike dhe mjete mbrojtëse ndaj infeksionit.

Vitia kishte ndihmuar më shumë se 2,500 familje, të cilat kanë qenë të izoluara në atë kohë, e prej tyre ka pasur që kanë qenë edhe me persona të infektuar me Covid-19 brenda.

Në anën tjetër, edhepse koronavirusi kishte filluar të shfaqet më vonë në Prishtinë, deri me datën 6 gusht 2020, Prishtina kishte gjithsej 3 mijë e 199 raste të konfirmuara.

Masat parandaluese ndaj përhapjes së pandemisë të ndërmarra nga kjo komunë, ishin mbyllja e Qendrave për të moshuar, që sipas Drejtorit të Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës Bujar Gashit, ishin qendra të frekuentuara nga shumë pensionistë.

Me paraqitjen e rasteve në disa lagje të Prishtinës, komuna nën asistimin e Policisë Rajonale me 11 prill, kur edhe u paraqitën më së shumti raste me infeksion, mori vendim që të karantinoheshin tri prej tyre.

Komuna e Mitrovicës së Jugut ishte ndër komunat e Kosovës që kishte vendosur për marrjen e masave parandaluese para se të fillonte paraqitja e rasteve të para me Covid 19.

Sipas Erseka Hasanaj, drejtoreshë e Shëndetësisë në këtë komunë, i menjëhershëm ka qenë formimi i Shtabit Emergjent për të menaxhuar me situatën në nivel komune.

Në total janë shpërndarë mbi 6000 pako ushqimore dhe higjenike, duke përfshirë këtu edhe komunitetin pakicë në Komunë e Mitrovicës, komunitetin rom, boshnjak, ashkali edhe egjiptian”, ka theksuar Erseka Hasanaj, drejtoreshë e shëndetësisë në Mitrovicë..

Ndërsa në anën tjetër, komuna e Deçanit deri me datën 27 qershor 2020,  ka numëruar rreth katër raste të konfirmuara me Covid-19, prej të cilave dy kanë gjetur shërim, ndërsa deri me datën  6 gusht 2020, numëron 70 raste në total.

Erblin Beqirajt, doktor i paraqitur vullnetarisht, tregon se  QKMF-ja e Deçanit është përballur me mungesë të ndihmave dhe mjeteve mbrojtëse ndaj Covid-19, të cilat kanë qenë të pamjaftueshme, derisa kanë ardhur disa donacione private nga njerëzit, OBSH-ja dhe Ambasada Amerikane.

Gjatë kësaj kohe, rol të rëndësishëm ka pasur edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila u ka dalë në ndihmë Qendrave të mjekësisë nëpër komuna, duke ngritur tenda në jashtë hapësirës së objekteve.

Sefer Isufi, zëvendësdrejtor i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun në Ministrinë e Mbrojtjes thotë se FSK ka realizuar procesin e sensibilizimit të personelit ushtarak dhe civil të rreth masave higjenike-sanitare për tu përballur me  pandeminë COVID-19.

“Ndër aktivitetet konkrete vlen të theksohen sigurimi i transportit të qytetarëve nga pikat tokësore dhe ajrore deri në vend-karantinim dhe anasjelltas për raste specifike.

Se sa do të zgjasë kjo pandemi me të cilën po përballet tërë bota, e cila shkaktoi qindra mijëra vdekje tek njerëzit, nuk dihet saktësisht, por disa studime tregojnë që ky infeksion nuk do të zhduket deri në vitin 2021. Në anën tjetër sipas studimeve të Institutit Robert Koch (RKI) në Gjermani, të kryera me 13 mars 2020, parashikohet që numri i vdekjeve si pasojë e Covid-19 do të rritet, sepse numri i personave të moshuar është i madh.

Policia e Kosovës në vizionin dhe qëllimin e saj ka për detyrë dhe mision ​të ofrojë zbatim të ligjit në Kosovë në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase.

Sipas Baki Kelanit, zëdhënës në Policinë e Kosovës, kjo e fundit është e gatshme të kryejë detyrat e saj, nëse pandemia vazhdon dhe p oashtu, konsiderohet e domosdoshme zgjatja e orarit të pjesëtarëve policorë.

Në Komunën e Drenasit, atë të Vitisë dhe Deçanit, shprehen se kanë fituar përvojën e nevojshme me këtë situatë, ndaj sipas tyre janë të gatshëm që të menaxhojnë situatën pandemike nëse kjo vazhdon edhe më tej.

Ndërsa, sipas Erseka Hasanaj, Drejtoreshë e Shëndetësisë në komunën e Mitrovicës, kjo komunë është e gatshme të menaxhojë me situatën, mirëpo me shumë vështirësi, nëse nuk pranon ndonjë ndihmë nga shteti.

Selim Miftari

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM