Build Skills with our trainings

Sign up now!

Rreziku nga mungesa e ujit – një trend në rritje

Gus 10, 2020

Kursimi e mbrojtja e cilësisë së resurseve ujore vazhdon të mbetet njëra prej sfidave më të mëdha mjedisore të shoqërisë sonë. Ndërkohë që urbanizimi, zhvillimi i mëtejshëm industrial janë vetëm disa prej faktorëve që po ndikojnë në ndotjen e ujërave, në vendin tonë. Por, problem po del edhe humbja e tij…

Erblin Hoxha nga Debate Center pajtohet se ka mungesë të resurseve ujore në Kosovë dhe konsideron se gjendja në realitet vetëm sa është duke u vështirësuar. Qytetarët e Kosovës që furnizohen nga ujësjellësit publik nuk kanë problem me cilësi të ujit, por vetë ujësjellësit po kanë probleme me sasinë e ujit.

“Ujëmbledhësit si Badovci dhe Batllava çdo vit e më shumë përballen me rënien e nivelit të ujit. Pra, kërkesa për ujë është duke u rritur vazhdimisht, ndërsa sasia e ujit të nevojshëm për ta mbuluar këtë kërkesë është duke u zvogëluar”, shton Hoxha.

Ish-kryeshefi ekzekutiv i ujësjellësit të Prishtinës, Gjelosh Valaj, shpjegon se procesi i sigurimit të ujit në Kosovë dhe në vendet kudo në botë është një proces që nuk ndalet dhe gjithmonë me rritjen e popullsisë duhet  të shtohet edhe sasia e ujit për konsum njerëzor.

Andaj edhe pse Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Prishtina’, ka bërë zgjidhje për një kohë me fabrikën e përpunimit të ujit në Shkabaj, prapë se prapë duhet që të vazhdojë puna në zvogëlimin e humbjeve si teknike ashtu edhe administrative”, konsideron ai.

Valaj konfirmon se gypat e sistemeve të ujit në Kosovë kanë probleme me vjetërsinë e gypave dhe se mos investimi në zëvendësimin e tyre ka shkaktuar probleme. Por ai, megjithatë thotë se sektori i shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimeve në Kosovë, ka shënuar një progres që nga viti 2004 sa i përket humbjes së ujit.

Ai përmend donacionet nga KfW Gjermane, USAID, SDCI dhe donatorët tjerë, të cilët kanë ndihmuar në ndërrimin e një përqindje të madhe të gypave gjatë viteve 2013, 2014 dhe 2015 në Prishtinë.

Sipas Valajt, diku rreth vitit 2015 është arritur të bëhet zvogëlimi në humbje të ujit deri në 49%.

Por, situata sërish ka ndryshuar viteve të fundit dhe tani humbja e ujit është një trend në rritje.

Kështu, Muhamed Suliqi, drejtor gjeneral i KRU Hidromorava Gjilan, rrëfen për gjendjen emergjente me furnizim me ujë në qytetin e Gjilanit, për shkak se Penda e Përlepnicës është në rënie e sipër.

“Në pikat më të larta jemi duke bërë redukime për furnizim me ujë. Sa i përket cilësisë së ujit është në rregull ku mostrat e ujit mirren për çdo ditë nga Hidromorava, Instituti regjional i  Shëndetësisë Publike – Gjilan dhe nga IKSHP-ja”, thotë Suliqi.

Suliqi sheh zgjidhjen e këtij problemi në ndërtimin e një pendeje të re.

Zgjidhja më e mirë është të investohet në ndërtimin e një pende te Lumi Llapushnica ose në Shushtë, që të kemi ujë të mjaftueshëm dhe cilësor për furnizimin e konsumatorëve me ujë 24 orë në 7 ditë të javës”, konsideron kryeshefi ekzekutiv i Hidromoravës.

Ish-kryeshefi ekzekutiv i ujësjellësit të Prishtinës, Gjelosh Valaj konsideron se Kosova do të duhet të ndiqte rrugën e kompanive dhe shteteve që kanë rezultate të mira në këtë sektor.

“Së pari shembulli i Sh.a Ujësjellës Kanalizime Korçë është një prej shembujve të mirë që ne si shtet ishte dashtë të shohim dhe ta studiojmë, si dhe shteteve të Evropës si Gjermania, Austria, Zvicra etj”, thotë ai.

Sipas tij, sa i përket humbjes së ujit do të duhej shikuar mundësinë e vendosjes së matësve intelegjent të ujit (smart water meter), që do të mund të lexoheshin nga një qendër dhe pastaj të bëhet intervenim në zonat me humbjet më të mëdha, qofshin të natyrës teknike – prishje te gypave apo administrative – vjedhje të ujit).

Erblin Hoxha nga Debate Center, nga ana tjetër, konsideron se për zgjidhjen e problemit të ujit, Kosova duhet t’i ketë katër probleme kryesore: shtimi i liqeneve akumuluese, ndërtimet dhe dendësia pa planfikim të përshtatshëm, keqpërdorimet dhe mungesa e taksimit të përshtatshëm.

“Një taksim më i lartë, dhe kontroll më strikt të kompanive të ujit në Kosovë, do të kishte fokusuar qytetarët që të përdorin ujin nga ujësjellësi . Uji i çezmës që e keni në shtëpi, është 100% më i sigurt/shëndetshëm/lirë sesa uji i blerë …”, shprehet Hoxha.

Uranik Emini

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM